Kush do ta udhëheqë xhihadin botëror?
28 Nëntor 2014Flamuri i zi i "Shtetit Islamik" (IS) prej kohësh nuk valëvitet mö vetëm në Siri dhe Irak. Edhe grupet terroriste në vende të tjera ndjekin me besnikëri kalifin e vetëshpallur, udhëheqësin e IS, Abu Bakr al-Baghdadi. Së fundi një grup në Derna në lindje të Libisë e shpalli territorin e pushtuar "provincë" të "Shtetit Islamik". Edhe xhihadistë nga Egjipti, Jemeni, Arabia Saudite dhe Algjeria i janë bashkuar kalifatit të ri, deklaroi Al-Baghdadi në një mesazh audio. Në këtë mënyrë rrjeti terrorist Al-Kaida po humbet gjithnjë e më shumë rolin e tij udhëheqës ideologjik në mesin e ekstremistëve muslimanë.
Organizatat pararendëse të IS u shfaqën dikur si degë të Al-Kaida-s në Irak. Jordanezi Abu Musab al-Sarkavi udhëhiqte grupin irakian, por shpejt ai filloi të mos përfillë më rregullat dhe paralajmërimet. Sidomos me brutalitetin kundër shiitëve ai devijoi nga linja e Al-Kaidës. Rrjeti terrorist, edhe pse është rreptësisht sunit, nuk e acaroi konfliktin fetar me shiitët. Al-Sarkavi u vra në vitin 2006. Kur vite më vonë drejtimin e grupit irakian e mori Al-Baghdadi dhe luftoi edhe në Siri me shkurtimin ISIS (Shteti Islamik në Irak dhe Siri) ndarja ndërmjet dy organizatave xhihadiste u bë e dukshme sërish. Në Siri luftëtarët e dy grupeve zhvilluan luftime të përgjakshme.
Luftë kundër armikut të afërt apo të largët
Të dy grupet rivale terroriste luftojnë për ndikim në lëvizjen botërore xhihadiste. Bëhet fjalë për para, luftëtarë dhe autoritet në islamizmin militant. Katherine Brown, eksperte e terrorizmit në King's College në Londër, e krahason Al-Kaidën dhe IS me sipërmarrjet franchise, që u mundësojnë grupeve lokale të përfshihen në ideologjinë e xhihadit global. Al-Kaida ka në krahun e saj edhe grupe si "Al-Kaida në Magrebin islam" (AQMI) dhe "Al-Kaida në gadishullin Arabik" (AQAP). Edhe milicët somalezë Al-Schabab janë betuar për t'i qëndruar besnikë udhëheqësit të Al-Kaidës, Ayman al-Savahiri. IS ka mundur të bëjë për vete grupet "Ansar Bait al-Makdis" në gadishullin e Sinait dhe grupin algjerian "Dschund al-Chilafa", që i prenë kokën në shtator një pengu francez.
Rivalët dallohen kryesisht në qëllimet e tyre. "Al-Kaida nuk ka deklaruar kurrë synimin se do të qeverisë vetë", thotë profesorja në bisedë me DW. Ndërsa IS thekson vullnetin për të sunduar dhe u ofron edhe grupeve të tjera për t'u bërë pjesë e këtij sistemi sundues. Në veriun e Sirisë dhe në perëndim të Irakut IS ka nën kontroll një territor shumë të madh dhe po ngre atje struktura shtetërore. Me shpalljen e kalifatit Al-Baghdadi pretendon udhëheqjen globale të muslimanëve. Deri këtu Al-Kaida nuk ka shkuar kurrë.
Brown thotë se dallimi tjetër qëndron tek strategjia. Qendra e Al-Kaidës ka vendosur të mos luftojë aq fort kundërshtarët gjeografikisht afër, si shtetet dhe sundimtarët në Afrikën Veriore dhe në Lindjen e Mesme. Lufta drejtohet më tepër kundër "armiqve të largët", si SHBA dhe aleatët e tyre. Ndërsa "Shteti Islamik" sulmon direkt shtetet përreth. Sulme ndaj caqeve në Evropë, apo SHBA IS nuk ka kryer deri tani.
Zbehet fuqia tërheqëse e Al-Kaidës
Sulme terroriste si 11 shtatori 2001 në Shtetet e Bashkuara dhe në Londër në 2005 Al-Kaida nuk ka kryer prej kohësh. "Për sa kohë Al-Kaida ishte në gjendje të tregonte, se po lufton me sukses kundër armikut të largët, ajo tërhiqte pasues dhe para", thotë Brown. Kur nuk pati më sulme spektakolare kundër objektivave perëndimore, shteruan të dyja, edhe pasuesit edhe paratë.
Ndërsa IS po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për organizatat apo grupet e pavarura, tö shkëputura nga Al-Kaida. Ka arsye të ndryshme, thotë Aymenn Jawad al-Tamimi, analist i institutit studimor Middle East Forum. "Kjo ndoshta për shkak se ata e mbajnë IS për një markë më të suksesshme në xhihad se Al-Kaida", thotë Al-Tamimi, studiues në qendrën ndërdisiplinore në Herzliya në Izrael.
Udhëheqësi i Al-Kaidës al-Zawahiri deri tani nuk ka bërë komente në lidhje me kalifatin e ri. "Al-Zawahiri vetë është dëshmuar si një udhëheqës i paefektshëm i Al-Kaidës në përpjekjen e tij për të ndalur stuhinë e IS", thotë Al-Tamimi. Megjithatë ai vepron në prapaskenë. Thuhet se ai ka penguar një përpjekje të IS për të marrë milicët Al-Shabab.
Ballafaqim të drejtpërdrejtë midis dy organizatave të xhihadit aktualisht ka vetëm në Siri. Një linjë e dytë konflikti mund të krijohej në Jemen, spekullon Al-Tamimi. Nëse IS mund ta mënjanojë në periudhë afatgjatë Al-Kaidë, është ende e paqartë, mendon docentja e King's College, Brown. Vendimtare janë ardhja e mëtejshme e vullnetarëve për luftë dhe paratë. Përveç kësaj një rol mund të luajë edhe koalicioni kundër IS i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.
A mund të ketë shkallëzimi i konfliktit midis IS dhe Al Kaidës një ndikim të favorshëm mbi luftën ndërkombëtare kundër terrorizmit? Nëse të dy organizatat xhihadiste dobësojnë njëra-tjetrën, lufta kundër tyre do të jetë më e lehtë. Por Al-Tamimi nuk beson, se mund të dalë kjo llogari. Në Siri të dy grupet pavarësisht nga rivaliteti kanë konsoliduar pozitat e tyre duke dobësuar grupe të tjera rebele më pak radikale. Kjo nuk është për perëndimin një pikënisje për t'i dhënë xhihadizmit një goditje vendimtare.