Lufta e Dytë Botërore
Më 1.9.1939 ushtria gjermane (Wehrmacht) me urdhër të Adolf Hitler sulmoi Poloninë. Deri më 8.5.1945 - dita e çlirimit prej diktaturës së Hitlerit - popujt e Europës luftuan kundër njëri-tjetrit.
1939
Më 1.9.1939 ushtria gjermane (Wehrmacht) me urdhër të Adolf Hitler-it sulmoi Poloninë - me pretekstin si hakamarrje ndaj sulmeve polake, gjë që ishte një gënjeshtër lufte. Franca dhe Britania e Madhe, që ishin në aleancë me Poloninë, nga ana e tyre i shpallën luftë Gjermanisë pas 3 shtatorit, por nuk u implikuan në luftimet në Poloni.
1939
Polonia nuk mund t'i kundërvihej Wehrmacht-it të armatosur rëndë - brenda pesë javësh trupat polake u mundën. Më 17.9. Ushtria e Kuqe pushtoi lindjen e Polonisë - mbi bazën e marrëveshjes sekrete, që Rajhu Gjerman dhe Bashkimi Sovjetik kishin vendosur një javë përpara sulmit të Gjermanisë ndaj Polonisë.
1940
Wehrmacht-i në prill 1940 marshoi në Danimarkë dhe e përdori këtë vend si trampolinë drejt Norvegjisë. Që andej vinin lëndë të para, që ishin të domosdoshme për ekonominë gjermane të luftës. Britania e Madhe donte ta ndërpirste këtë furnizim me lëndë të para dhe dërgoi ushtarë në Norvegji. Por edhe në Norvegji aleatët kapitulluan në qershor. Ndërkohë kishte nisur fushata perëndimore.
1940
Tetë muaj ushtarët gjermanë dhe francezë qendruan përballë njeri-tjetrit në perëndim - të fshehur në komplekse të fuqishme bunkerësh. Por më 10 maj Wehrmacht-it sulmoi shtetet neutrale Holandën, Luksemburgun dhe Belgjikën, duke i pushtuar ato brenda pak ditësh dhe duke iu shamngur kësisoj komplekseve franceze të fortifikimit.
1940
Gjermanët i sulmuan në befasi trupat franceze dhe depërtuan shpejt drejt Parisit, që u pushtua në mes të qershorit. Më 22 qershor Franca kapitulloi dhe u nda: Në një pjesë të pushtuar prej Gjermanisë së Hitlerit dhe në Francën e "Vichy"- që qeverisej nga një qeveri kukull nën gjeneralin Pétain.
1940
Por Hitleri sulmoi edhe Britaninë e Madhe. Bombarduesit e tij bënë shkrumb e hi qytete si Coventry. Njëkohësisht avionët gjuajtës kryenin beteja nga ajri mbi kanalin e Lamanshit mes veriut të Francës dhe jugut të Anglisë. Aviacioni britanik Royal Air Force e mposhti aviacionin gjerman dhe në pranverën e vitit 1941 sulmet gjermane nga ajri u kufizuan dukshëm.
1941
Pas humbjes së "betejës ajrore për Anglinë" Hitleri iu drejtua jugut dhe më vonë lindjes. Ai urdhëroi marshimin e Wehrmacht-it në veri të Afrikës, në Ballkan dhe në Bashkimin Sovjetik. Njëkohësisht shtete të tjera si Italia dhe Japonia u bashkuan në aleancën Fuqitë e Aksit Gjermani.
1941
Në pranverë Hitleri urdhëroi sulmin ndaj Jugosllavisë, pasi ajo sërish kishte dalë prej paktit të tri fuqive. As Greqia, në të cilën ishin dislokuar njësitë britanike, nuk mbeti pa u prekur prej Wehrmacht-it. Një ndër operacionet më të mëdha nga ajri deri në atë kohë ishte sulmi i parashutistëve gjermanë ndaj Kretës në maj 1941.
1941
Si "Aksioni Babarossa" hyri në histori sulmi i gjermanëve ndaj Bashkimit Sovjetik më 22.6.1941. Qëllimi i fushatës ishte "zgjerimi i hapësirës së jetesës në Lindje", siç e quante propaganda gjermane. Në të vërtetë kjo ishte një kryqëzatë shfarosjeje, gjatë së cilës ushtarët gjermanë kryen krime të panumërta lufte.
1942
Fillimisht Ushtria e Kuqe bëri pak rezistencë. Megjithatë gradualisht marshimi i Wehrmacht-it në Rusi nisi të çalojë. Humbje të mëdha dhe rugë të pasigurta furnizimi e dobësuan sulmin gjerman. Ndonëse Hitleri sundonte në mbarë Europën, pjesë të veriut të Afrikës dhe Bashkimit Sovjetik, viti 1942 shënoi njëkohësisht edhe një pikëkthese për luftën.
1942
Aleatja e Gjermanisë Italia hyri në qershor 1940 në luftë dhe sulmoi trupat britanike në veri të Afrikës. Hitleri dërgoi në pranverë 1941 si përforcim "Afrikakorps". Për një kohë të gjatë britanikët qëndruan të rezervuar - deri në betejën e El Alamain në vjeshtën e vitit 1942. Si rrjedhojë për gjermanët situata ndryshoi kryekëput dhe nisi tërheqja. Afrikakorps kapitulloi më 13 maj 1943.
1942
Pas frontit të Lindje regjimi i Hitlerit ndërtoi kampet e shfarrosjes si atë në Auschwitz-Birkenau. Mbi gjashtë milionë njerëz ranë viktimë e marrëzisë raciste të nacionalsocialistëve: ata u ekzekutuan, u dogjën në dhomat e gazit, u lanë të vdesin prej urisë ose sëmundjeve. Në këtë krim të njerëzimit ishin involvuar mijëra ushtarë gjermanë.
1943
Në vitin e katërt të luftës nisi kthesa. Lindja mobilizoi Ushtrinë e Kuqe për kundërsulm. Në Jug në Itali zbarkuan aleatët. Gjermania dhe aleatët e saj ishin të detyruar të tërhiqeshin.
1943
Simboli i kthesës së luftës u bë Stalingradi. Që nga korriku 1942 ushtria e 6-të e trupave të Hitlerit përpiqej të merrte qytetin rus. Kur komandantët në shkurt hoqën dorë prej luftës parrugëdalje, vetëm në këtë betejë ishin vrarë rreth 700.000 vetë - shumica ushtarë të Ushtrisë së Kuqe. Ky dështim e tronditi moralin e luftës tek shumë gjermanë.
1943
Pas kapitullimit të trupave gjermane dhe italiane në Afrikë ishte hapur rruga për aleatët perëndimorë në Itali, për të luftuar në kontinentin europian kundër fuqive të aksit. Më 10 korrik pasoi zbarkimi në Siçili. Ndër aleatët bënin pjesë edhe SHBA-ja, që në vitin 1941 i kishin shpallur luftë Hitlerit.
1943
Në shtator aleatët zbarkuan në territorin kontinental italian. Qeveria në Romë vendosi armëpushimin. Hitleri urdhëoi Wehrmacht-in të pushtojë Italinë. Ndërsa në jug alatët depërtonin ngadalë, trupat e Hitlerit në pjesën tjetër të vendit përhapnin frikë e tmerr.
1944
Në Lindje Ushtria e Kuqe po i sprapste gjithnjë e më shumë invazorët gjermanë. Jugosllavia, Rumania, Bullgaria, Polonia... njëri vend pas tjetrit po binin në duart e sovjetikëve. Aleatët perëndimorë po përforconin gjithashtu ofensivën e tyre dhe zbarkuan në veri të Francës si dhe pak pas kësaj edhe në jug të Francës.
1944
Në orët e para të mëngjesit më 6 qershor trupat e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe shteteve të tjera zbarkuan në plazhet e Normandisë në veri të Francës. Udhëheqja ushtarake gjermane kishte llogaritur me zbarkimin e forcave aleate, por në një zonë më largët në lindje. Aleatët perëndimorë mundën ta shtrijnë kryeurën e tyre duke e detyruar nga Perëndimi Hitlerin që të gjunjëzohej.
1944
Më 15 gusht aleatët perëndimorë ndërmorrën një tjetër kundërofensivë në jug të Francës dhe zbarkuan në Provence. Trupat në veri dhe në jug shumë shpejt depërtuan në vend dhe më 25 gusht Parisi u çlirua prej pushtuesve gjermanë. Në fund të tetorit me Aachen-in aleatët morën qytetin e parë gjerman nën kontroll.
1944
Wehrmacht-i i përqendroi trupat e veta për kundërsulm në perëndim në dimrin 1944/45. Por pas dështimeve fillestare në perëndim aleatët mundën ta thyejnë rezistencën dhe depërtuan pandalshëm drejt "Rajhut të madh gjerman" - nga lindja dhe nga perëndimi.
1945
Më 8.5.1945 Gjermania naziste kapitulloi pa kushte. Hitleri më 30 prill kish kryer vetëvrasje, për t'i shpëtuar arrestimit. Europa pas gjashtë vjet lufte në pjesën më të madhe ishte mbuluar prej rrënojave. Gati 50 milionë njerëz gjetën vdekjen në Europë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjeneral-marshalli Wilhelm Keitel në maj 1945 nënshkroi dokumentin ratifikues të kapitullimit në Berlin.