Mahmud Abaz do të flasë mbi zhvillimet më të fundit në Gaza
14 Qershor 2007Qyteti i Gazës: Presidenti palestinez, Mahmud Abaz, pritet gjatë ditës së sotme që të flasë mbi gjendjen aktuale në territoret autonome palestineze. Ka gjasa që ai të bëjë të ditur edhe mbi ndërprerjen e bashkëpunimit me qeverinë e unitetit. Kjo qeveri u formua në mars pas bisedimesh të zgjatura prej muajsh mes përfaqësuesve të grupeve rivalizuese Hamas dhe Fatah. Për shkak të luftimeve të ashpëra dhe sulmeve nga luftëtarët e Hamasit, ministrat nga grupi Fatah nuk do të marrin më pjesë në kabinetin qeveritar. Deri tani, si pasojë e këtyre luftimeve mes dy partive rivale kanë humbur jetën të paktën 70 njerëz. Sot fraksionet rivale palestineze, Hamas dhe Fatah, thanë se kanë rënë dakord për kushtet e një armëpushimi të ri për t'i dhënë fund luftimeve intensive në Gaza.