Michel: Në 2030-n BE e Ballkani të jenë gati për anëtarësim
29 Gusht 2023Sërish shpresa për anëtarësim nga Forumi i Bledit në Slloveni me pjesëmarrje të krerëve të rajonit dhe atyre nga BE. Presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel u shpreh në forum, se viti 2030 do të duhej të ishte afati deri kur Bashkimi Evropian dhe vendet kandidate për anëtarësim të jenë të gatshme për zgjerim. Por ajo që duhet bërë deri atëherë. Vendet e Ballkanit Perëndimor "duhet të zgjidhin konfliktet e tyre dypalëshe”, theksoi Michel. “Nuk ka bashkëpunim pa pajtim. Dhe, të jemi shumë të qartë, nuk ka vend në BE për konfliktet e së kaluarës”, tha Presidenti i Këshillit Evropain, Charles Michel.
Përplasje mes Kurtit dhe Brnabiq
Në një panel në hapje të Forumit të Bledit që po zhvillon punimet në Slloveni replikuan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi. Kryeministri Kurti tha se qeveria e tij është e përkushtuar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por procesi po vështirësohet nga veprimet e Beogradit zyrtar. Ndërsa, kryeministrja e Serbisë Ana Bernabiq, tha se nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve pa zbatim të marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Kurti iu referua një deklarate të kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiq që Serbinë dhe Kosovën e cilësoi një shtet, dhe shtoi, se normalizimi i marrëdhnënieve mund të bëhet vetëm duke zbatuar marrëveshjen bazë për të cilën ai dhe Vuçiq janë dakorduar. Kjo marrëveshje në opinion njihet si plani franko-gjerman. "Dua t'i normalizojmë marrëdhëniet dhe do ta bëja menjëherë një gjë të tillë, nëse për shembull fqinji im do të ishte Republika Çeke, por normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është shumë më i vështirë. Mund të ndodhë, sepse ne duhet ta zbatojmë marrëveshjen bazë për të cilën unë dhe presidenti serb jemi pajtuar në Bruksel, por normalizim në psikologji do të thotë mungesë e ngatërrimit të realitetit me fantazinë e ky është një aspekt tjetër, në të cilin unë nuk mund të ndihmoj”, tha kryeministri Kurti.
Kundërpërgjigjja e kryeministres së Serbisë ishte e menjëhershme. Prishtina duhet të zbatojë marrëveshjen e vitit 2013, tha Brnabiq. "E vetmja gjë që Prishtina duhej të bënte në përputhje me marrëveshjen e parë për normalizim marrëdhëniesh ishte themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Gati 11 vjet më pas ka ndodhur gjithçka përveç themelimit të këtij Asociacioni. Themelimi i tij do të hapte rrugën që Serbia të ndërmarrë hapa pozitiv drejt shtensionimit të plotë të situatës në veri të Kosovës”, tha Brnabiq.
Në veri të Kosovës situata u tensionua gjatë muajit maj kur kryetarët e zgjedhur shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe nën përcjelljen e policisë u vendosen në objektet komunale. Ata po kundërshtohen ashpër nga banorët lokalë. Autoritetet ndërkombëtare vazhdimisht bëjnë thirrje për ulje tensionesh duke kërkuar pezullimin e operacioneve në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të serbëve në to.
Lajçak: Përgatitje për takim të ri të nivelit të lartë në dialog në shtator
Në Forumin e Bledit në Slloveni ndërmjet sesioneve, i dërguari i BE-së Miroslav Lajçak takoi kryeministrin Kurti, në përpjekje për të organizuar një raund të ri të bisedimeve të nivelit të lartë, që parashihet të mbahet në shtator. "Çështja kryesore e takimit ishin përgatitjet e takimit të ri të nivelit të lartë në dialog në shtator, me fokus në normalizimin e raporteve”, shkroi Lajçak në X, dhe paralajmëroi edhe takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.