Milloshevici arriti t'u shpëtojë përgjithmonë gjykatësve të kësaj bote, por ...
13 Mars 2006Gazeta SONNTAG-EXPRESS që botohet në Këln shkruan:
"Asnjë shenjë pendimi apo përgjegjësie. Për vite të tëra krimineli i luftës, Sllobodan Milosheviç e quante tribunalin e Hagës, si gjykatë e fituesve dhe përpiqej t'a quante veten viktimë. Njeriu që e hodhi Ballkanin në kaos dhe shkaktoi vdekjen e qindra-mijëra njerëzve arrinte herë pas here që ta ngadalësonte procesin kundër tij. Tani ai arriti t'u shpëtojë përgjithmonë gjykatësve të kësaj bote. Kjo është tepër e hidhur për viktimat e shumta që Millosheviçi ka në ndërgjegje dhe një zhgënjim i hidhur për gjykatësit, të cilët katër vite me radhë nuk arritën të merrnin një vendim. Tani Millosheviçit nuk i duhet të përgjigjet më për krimet e tij dhe ithtarët e vet e kanë shpallur pa pikë turpi martir. Le të shpresojmë se pas vdekjes së Milosheviçit, Serbia do ta lërë pas të kaluarën e tmerrshme. Për të kuruar plagët e vjetra, duhet që sot më tepër se kurrë shikimi të drejtohet nga e ardhmja."
Po për të njëjtën temë në gazetën LÜBECKER NACHRICHTEN lexojmë:
"Tani duhet të presim me kurreshtje për të parë se ç'pasoja do të ketë vdekja e Milosheviçit për politikën serbe. Nën drejtimin e presidentit nacionalist, Vojisllav Koshtunica vendi po mbyllet kundrejt Evropës. Gjykimi vlerësues ndaj lufterave ballkanike nuk po bëhet dhe pasuesit e Milosheviçit janë në parlament një shtyllë e fuqishme e presidentit. Po ashtu ata kanë në dorë në shumë qytete levat e pushtetit. Mbetet për t'u diskutuar nëse këta do të humbasin terren pas vdekjes së figurës së tyre kryesore. Beogradi mund t'i drejtonte tani një sinjal të qartë Evropës duke arrestuar më në fund ish-gjeneralin Ratko Mlladiç dhe ish-presidentin serbo-boshnjak Radovan Karaxhic."
Kurse gazeta FRANKFURTER RUNDSCHAU shkruan:
"Bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet evropiane nuk duhet të irritohen prej fillimit të krijimit të legjendave rreth vdekjes së të vetmit ish-president që ishte ulur në bankën e të akuzuarve të një gykate ndërkombëtare. Presioni ndaj Beogradit për arrestimin e atyre që mbajnë përgjegjësi për krimet e luftës dhe për bashkëpunim me Tribunalin e Hagës duhet të vazhdojë. Viktimat dhe ata që mundën të shpëtonin gjallë prej luftërave të fundit ballkanike, por edhe drejtësia dhe vlerat e humanizimit kërkojnë që përgjegjësit të dalin në bankën e të akuzuarve. Gjykimin për Milosheviçin nuk do ta bëjë tani Gjykata e Hagës, por historia. Gjithsesi pas kësaj fundjave është sërish e pasigurtë nëse ndonjëherë do të ketë ndonjë histori të përbashkët të popujve të Ballkanit, e cila do të jetë në gjendje të ofrojë pajtim dhe paqe."
Gazeta TAGESSPIEGEL që botohet në Berlin e përqëndron vëmendjen tek reagimet për vdekjen e Miloshevicit në Serbi:
"Botimi në faqet e para të gazetave bulevardeske në Serbi i kryeartikujve me tituj të tillë si "Ata e vranë!" dëshmon se sa pak ka depërtuar në shoqërinë serbe ndërgjegjia për drejtësinë, transparencën, fajin e së kaluarës dhe reformat demografike. Disa vëzhgues janë të mendimit se ndoshta Millosheviçi mund të ketë marrë ndonjë helm për t'ia veshur vdekjen tribunalit të Hagës. Kjo do t'i vinte atij mjaft për shtat, sepse do të ishte shanci i fundit në favor të teorisë së përbetimit të botës kundër Serbisë, sikurse besojnë ithtarët e tij."
Gazeta tjetër e Berlinit TAZ kritikon zvarritjet në tribunalin e Hagës:
"Megjithë deklaratat e kundërta të Carla del Pontes, për faktin që Milosheviçi nuk u arrit të dënohej sa ishte gjallë, përgjegjësi mban tribunali i Hagës. Procesi zgjati katër vjet me radhë. Madje Milosheviçi ia doli mbanë për kohë të gjatë që ta shfrytëzonte atë si skenë për propagandën e tij. Pas rrëmujës në përzgjedhjen e dëshmitarëve ishte e vështirë që të kuptoje se cila ishte strategjia e procesit. Milosheviçi, i cili mbrohej vetë pa avokat, shfrytëzoi çdo rast për ta zvarritur procesin. Megjithatë pohimet e dëshmitarëve e vërtetuan fajin e të pandehurit. Verën e këtij viti pritej që Milosheviçi të dënohej me heqje lirie të përjeshtme. Vdekja e pengoi dënimin e tij."