Liberalizimi i vizave për Kosovën një hap më afër realizimit
9 Mars 2023Procesi i tejzgjatur i liberalizimi të vizave po i afrohet përfundimit të tij. "Këshilli miratoi në lexim të parë pozicionin e vet për udhëtimin pa viza për bartësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova. Rregullat e reja do t'u lejojnë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë në vendet e Bashkimin Evropian pa një vizë dhe të qëndrojnë në këto vende për 90 ditë gjatë periudhës prej 180 ditësh” - thuhet në një njoftim të Këshillit të kryesuar nga Suedia. Në njoftim thuhet se qytetarët e Kosovës nuk do të kenë nevojë të kërkojnë vizëpër udhëtim që nga data kur sistemi evropian i udhëtimit ETIAS që shërben për regjistrimin e të dhënave, të jetë funksional, dhe jo më vonë se një janari i vitit 2024.
Raportuesi për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, holandezi Thijs Reuten, e përshëndeti vendimin duke e cilësuar atë si hap shumë të rëndësishëm.
Vendim i shumëpritur
"Më së voni më një janar të vitit 2024 Kosova do të ketë liberalizimin e vizave shumë të merituar dhe të shumëpritur. Së shpejti pritet të ndodhë edhe votimi në Komitetin e Punëve të Brendshme e pastaj edhe në seancën plenare të Parlamentit Evropian”, shkroi ai në rrjetet sociale. Votimi në Parlamentin Evropian nuk pritet të ketë ndonjë problem, për faktin që Parlamenti Evropian disa herë me anë të rezolutave ka kërkuar liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ministrja suedeze e Migracionit, Maria Malmer Stenegard, tha pas tha pas takimit të Këshillit se "Kosova ka bërë përpjekje të mëdha për të përmirësuar menaxhimin e migracionit dhe sigurinë si dhe për të përshtatur politikën e saj të vizave me atë të Bashkimit Evropian.”
Kosova është vendi i vetëm në Evropë qytetarëve të të cilit u nevojitet vizë për të udhëtuar në zonën Shengen.