Përshpejtim i zbatimit të strategjisë anti-terror
25 Mars 2016Dy ditë pas atentateve terroriste në aeroportin Zaventem dhe metronë e Brukselit (22.03), ku si pasojë mbetën më shumë se 30 viktima dhe u plagosën qindra vetë, u konsultuan në një takim të posaçëm në kryeqytetin belg ministrat e Punëve të Brendshme dhe të Drejtësisë. Për ministrin e Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere, ministrat europianë duan të tregojnë në këto momente se janë pranë Brukselit, por edhe "të marrin masa". Ministrja e Brendshme austriake, Johanna Mikl-Leitner shikoi në takimin e Brukselit "një sinjal të fortë, se të 28 shtetet anëtare janë të bashkuar në luftë kundër terrorizmit", ndërkohë që ministrja e Brendshme e Britanisë së Madhe, Theresa May u shpreh se "mesazhi ynë është i qartë. Terroristët nuk do të fitojnë."
Deklaratë e përbashkët e ministrave të BE-së në Bruksel
Ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të BE-së duan të forcojnë veprimet e përbashkëta në luftën kundër terrorizmit. Në takim u ra dakord që hapat në luftën kundër terrorit të bëhen "me shpejtësi më të madhe dhe me seriozitet më të madh", siç u shpreh pas takimit ministri i Brendshëm gjerman, de Maiziere.
Në një deklaratë të përbashkët të ministrave kërkohet që shtetet anëtare të BE-së të përmirësojnë po ashtu shkëmbimin e informacionit për të dyshuarit si terroristë. Parlamentit Europian i kërkohet që të miratojë sa më shpejt të jetë e mundur regjistrin europian të të dhënave të pasagjerëve. Në javët e ardhshme do të duhet të përpunohet një propozim, sipas të cilit do të ndërlidhen më mirë të database-t aktuale për udhëtimet, migracionin dhe sigurinë.
De Maziere u shpreh kundër ndryshimit të rrënjësishëm të strukturave të bashkëpunimit në fushën e sigurisë në Europë. "Kemi nevojë për përqëndrim në luftën kunër terrorit dhe jo përqëndrim tek çështjet strukturore", tha ministri i Brendshëm gjerman. Një platformë europiane e shërbimeve sekrete kërkon "një punë kolosale koordinimi", mes 28 vendeve anëtare, tha ai.
BE: Pa besim tek njëri-tjetri?
Aktualisht bashkëpunimi mes autoriteteve të sigurisë dhe shërbimeve sekrete të vendeve europiane paraqitet me defekte serioze. Vetëm 5 vende ofrojnë 90% të informacionit në qendrën kundër terrorit në Europol. "Gjendja është përmirësuar, por ka ende shumë për të bërë", tha një diplomate e BE-së. Prandaj Europa duhet të kalojë nga "fjalët tek veprat" kërkoi në takimin e ministrave të Brendshëm në Bruksel eurokomisioneri për çështjet e Brendshme, Dimitris Avramopoulos. "Ka ardhur koha që të vëmë në jetë të gjitha ato, për të cilat kemi rënë dakord", tha Avramopoulos.
Çështja e sigurisë për shtetet anëtare të BE-së është kompetencë kombëtare. Kësaj i shtohen edhe burokracitë mes institucioneve të vendeve të ndryshme. Por ekziston edhe një lloj dyshimi nëse "informacionet janë të sigurta në duart e miqve të mi", është shprehur mbi këtë çështje edhe zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Frans Timmerman.
Që në fund të janarit Europol ka paralajmëruar se IS-i ka përgatitur komando në Siri dhe Irak për të kryer atentate në Europë me qëllim "viktima në masë në popullsinë civile". Puna e qendrës europiane kundër terrorit (European Counter Terrorism Centre (ECTC) varet tërësisht nga gatishmëria për bashkëpunim e shteteve anëtare edhe për të ofruar informacione. Ndërkohë në Bruksel ministri i Punëve të Brendshme të Çekisë, Milan Chovanec ka bërë lidhje mes atentateve të Brukselit dhe fluksit të refugjatëve. "Kush ka menduar se ndër 1 milionë njerëzit që kanë ardhur në Europë gjen vetëm engjëj, dhe se nuk ka pasur terroristë apo kriminelë, ka qenë naiv", tha ministri socialdemokrat për agjencinë CTK.