Ndahet nga jeta Colin Powell
19 Tetor 2021Colin Powell, ish-Sekretari Amerikan i shtetit dhe kryetar i Shtabit të Përgjithshëm, ndërroi jetë si pasojë e komplikimeve nga koronavirusi, u njoftua të hënën (18.10) nga faqja e tij në Facebook. Ai ishte 84 vjeç. "Ai ishte plotësisht i vaksinuar. Ne duam të falenderojmë stafin mjekësor në Qendrën Mjekësore Kombëtare Walter Reed për trajtimin e tyre të kujdesshëm. Ne kemi humbur një burrë, baba, gjysh dhe një amerikan të mrekullueshëm dhe të dashur," tha familja e Powell në një postim faqen e tij në Facebook. Powell ishte Sekretari i parë amerikan i Shtetit me ngjyrë dhe shërbeu midis viteve 2001 dhe 2005 nën administratën e Bushit. Ai njihej si një republikan i moderuar.
"Gjenerali Powell është një hero amerikan, një shembull amerikan dhe një histori e madhe amerikane," kështu është shprehur asokohe presidenti George W. Bush duke komunikuar nominimin e Powell më 2001. Bush shprehu ngushëllimet e tij pas lajmit për vdekjen e Powell, duke thënë se ai dhe ish-zonja e parë Laura Bush janë "thellësisht të pikëlluar". Presidenti Joe Biden tha, se Powell "mishëronte idealet më të larta të luftëtarit dhe diplomatit".
Ndërsa, aktivisti për të drejtat civile, Reverend Al Sharpton vlerësoi Powell për "sinqeritetin dhe angazhimin" e tij.
Ministri i Jashtëm i Gjermnaisë, Heiko Maas u shpreh në twitter, se me Colin Powell SHBA humbet një politikan të drejtë në politikën e jashtme dhe Europa humbet një ndërtues urash të komunikimit transatlantik. Si gjeneral në kohën e ribashkimit të Gjermanisë, Powell ishte mjaft i lidhur me vendin tonë. Ne bashkohemi me dhimbjen e familjes dhe miqve të tij”, shkruan Maas.
Një sfond i gjerë politik
Powell bëri bujë me një fjalim në shkurt 2003 në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në lidhje me ekzistencën e pretenduar të armëve të shkatërrimit në masë në Irak. Provat që ai paraqiti më vonë u vërtetuan se ishin të rreme.
"Ajo është një njollë ... Ishte e dhimbshme. Është e dhimbshme edhe tani", tha Powell në një intervistë në vitin 2005 në ABC News.
Para se të emërohej sekretar shteti ai pati shërbyer në Luftën e Vietnamit dhe ka pasur një bursë specializimi në Shtëpinë e Bardhë nën presidentin Richard Nixon më 1972-1973. Powell gjithashtu ka qenë këshilltar i sigurisë kombëtare nën presidentin Ronald Reagan më 1978. Si gjeneral me grada i Ushtrisë ai ishte gjithashtu kryetar i stafit të bashkuar të krerëve të Ushtrisë nën presidentin George H.W. Bush gjatë Luftës së Gjirit Persik më 1991.