Në arrati prej "shtetit islamik"
10 Gusht 2014Studenti nga Dortmundi Hussein Koban ka ditë që nuk mund të flerë më i qetë. Familja e jezidit ndodhet aktualisht me rreth 1000 persona të tjerë në kufirin irakiano-turk. "Unë telefonoj çdo orë me të afërmit me mi", thotë i riu. "Ata presin që të pranohen në Turqi. Por meqenëse nuk kanë letërnjoftime me vete, nuk lejohen të kalojnë kufirin. Për të ngrënë thuajse nuk kanë fare. Këta njerëz janë lënë në mëshirë të fatit", tregon studenti i shqetësuar. Sipas agjencisë kurde të lajmeve ANF rreth 300 jezidë kanë arritur ndërkohë në qytetin turk Silopi.
Jezidët ndihen të tradhëtuar
Pakica fetare që jeton kryesisht në Irak kërkon strehë jo vetëm në Turqi por edhe në malin Sinxhar në kufirin turko-irakian si dhe në zonat kurde në Sirinë fqinje.
Gazetari kurd Barzan Iso gjendet aktualisht në kufirin siriano-irakian dhe ka folur me shumë jezidë. Në intervistë me Deutsche ëelle-n reporteri thotë se shumë jezidë ndihen të tradhëtuar nga forcat kurde Peshmerga në Veri të Irakut. Këto forca duhej të kujdeseshin për sigurinë në rajonin autonom kurd në veri të Irakut. Por shumë refugjatë i akuzojnë ata tani se e kanë lëshuar qendrën e jezidëve Sinxhar pa luftime në duart e terroristëve të IS-it. "Një grua jezide tregonte se vetëm automjete të luftërarëve të IS-it qarkulluan në Sinxhar dhe Peshmergat morën arratinë prej tyre". Jezidët nuk kanë më besim tani dhe ndihen të lënë në baltë, tregon gazetari.
Ai shton se Peshmergat kurdë në fillim i kishin përgënjeshtruar fajësime të tilla. Por në fund kishin pranuar se kishin ndjekur një strategji të gabuar. Komandantët përgjegjës për këtë duhet të mbajnë përgjegjësinë përkatëse.
"Gjendja në Erbil është katastrofale"
Refugjatët jezidë dhe të krishterë vazhdojnë të jenë në arrati. Shumë prej tyre kanë mbërritur në qytetin e madh kurd Erbil në Veri të Irakut. Atje ndodhet aktivisti gjermano-kurd për të drejtat e njeriut Fuad Zindani. Zindani përshkruan për Dë se gjendja humanitare në Erbil është e tmerrshme: "Të krishterët dhe jezidët duhet të fshihen në kishat përreth. Ata nuk kanë asgjë për të ngrënë dhe për të pirë. Dhe kushtet higjenike por marrin ngadalë përmasa katastrofale."
Terroristët e IS-it i kanë dhënë një ultimatum jezidëve sipas të cilit ose duhet të lënë brenda dy orësh fshatrat e tyre ose të konvertohen në fenë islame. Njerëzit i kishte përfshirë paniku dhe kishin marrë arratinë. Shumë gra thuhet se janë përdhunuar, duzina burrave u është prerë koka. Gjatë largimit sipas dëshmitarëve janë ndaluar nga milicët e IS-it dhe janë detyruar të dorëzojnë paratë dhe sendet me vlerë, thotë Zindani. Edhe gjatë intervistës në telefon aktivisti tha se në kishë në ato momente kishte shpërthyer paniku. Vetëm pak minuta më vonë lidhja telefonike u ndërpre.
Korridore të mbrojtura drejt Sirisë
Disa mijëra jezidë kanë marrë arratinë drejt Sirisë. Ata kërkojnë strehë në krahinën autonome kurde atje, Rojava. Gazetari Barzan Iso thotë se të ashtuquajturit YPG kanë ngritur korridore të mbrojtura për refugjatët. YPG janë njësi të armatosura kurde në Siri. Korridori rreth 40 km i gjatëfillon në qytetin irakian Zaxo dhe vazhdon deri në qytetin Al-Yarubiyah në Siri, i cili kontrollohet nga kurdët sirianë. Krahas YPG për sigurinë e korridorit ndihmojnë edhe PKK nga Turqia dhe forcat Peshmerga nga Iraku. "Deri tani më shumë se 20.000 jezidë kanë mbërritur në Siri përmes këtij korridori të mbrojtur", thotë gazetari Barzan Iso.
Mijëra jezidë në malin Sinxhar presin ndihmë humanitare
Sipas agjencisë kurde të lajmeve ANF mijëra jezidë po qendrojnë në malin Sinxhar jo larg kufirit irakiano-turk. Një prej tyre është 27-vjeçari Xalit Tsuko. Ai i tha agjencisë se menjëherë pas sulmit të terroristëve të IS-it ai e kishte braktisur menjëherë fshatin e tij. "Gruaja, gjashtë fëmijët tanë dhe unë u larguam nga shtëpia. Dëgjuam shumë të shtëna të milicëve të IS-it. Shpërtheu paniku në fshat. Unë dhe gruaja kishim në krahë dy prej fëmijëve tanë." Në kaos ai pa pa arritur të ndërhyjë se si vajzat e tij Selva (7) dhe Xalid (8) u shkelën me këmvë nga turma e njerëzve në panik dhe vdiqën. "Më vonë, rrugës për në malin Sinxhar humbëm edhe dy fëmijë të tjerë. Nuk e di nëse kanë vdekur apo jetojnë ende."