Obama pa influencë? Presidenti amerikan nuk i trembet vendimeve jopopullore
22 Gusht 2014Amerikanët janë gati t'i falin presidentit të tyre shumë gjëra. Por që ai të bëjë që Amerika të duket e dobët, ekonomikisht dhe politikisht, - jo. Kjo nuk përkon me botëkuptimin amerikan për vetveten: një komb i përzgjedhur, superfuqi. Prandaj amerikanët kërkojnë nga presidenti i tyre "lidership"- fuqi drejtuese. Po qe se një amerikan do të jetojë shpirtmirësine, le të bëhet prift apo të futet në ndonjë organizatë për përmirësimin e seleksionimit të plehrave. Por ai nuk duhet të drejtojë fatet e vendit në Shtëpinë e Bardhë - apo edhe ato të botës.
Autoriteti i Obamës në krizë
Obama po bën që Amerika të duket e dobët. Ai tërhoqi trupat nga Iraku, si pasojë vendi u zhyt në kaos. Nga Afganistani po ashtu Obama po tërhiqet, madje pa ngritur atje as edhe një qeveri që të mund t'u dalë ballë talibanëve. Nga presidenti sirian Asad, Obama kërkon që të dorëhiqet, por ai ende është në pushtet. Tani bëhet publike që kishte dështuar edhe përpjekja për të liruar gazetarin amerikan nga duart e xhihadistëve.
Të gjitha këto zhvillime lenë një përshtypje fatale tek amerikanët. Pra në Shtëpinë e Bardhë qëndron i ulur dikush, që ose nuk di ta bëjë detyrën e tij, ose nuk ka fat. Të dyja të papranueshme. Këtu nuk ndihmon as që Obama në të gjthë botën angazhohet për të drejtat e minoriteteve dhe atyre pa përkrahje. Në fund të fundit vuan prej kesaj autoriteti i tij si president. Kjo ka pasoja në të gjithë botën.
Pa influencë
Kështu presidenti rus, Vladimir Putin i injoron kërkesat e Obamës për të mos i përkrahur më rebelët ne Lindje të Ukrainës: Një rajon destabilizohet. Në të njëjtën kohë kryeministri izraeit, Benjamin Netanjahu kthen mbrapsht kërkesën e presidentit amerikan të bëjë lëshime ndaj palestinezëve: Pasoja: Procesi i paqes në Lindjen e Mesme ka ngrirë. Edhe një shembull tjetër: Kina, kreditori më i madh amerikan po e modernizon ushtrinë dhe po zgjeron gjithnjë e më shumë influencën e saj në rajonin e Paqësorit.
Lista e shteteve që nuk e vrasin mendjen për atë që thotë apo dëshiron presidenti Obama mund të zgjatej edhe më shumë. Aty ku tërhiqet Amerika, krijhet vakuum pushteti. Islamistët apo sundimtarë autoritarë kërkojnë ta mbushin atë. Fuqia botërore Amerika ndodhet në tërheqje e sipër.
Guximi i Obamës
Por le të jemi të ndershëm me të vërtetën: Ky ndryshim i kursit politik një ditë duhej të vinte. Ndryshe Amerikën e kërcënon fati i supefuqisë së shpërhapur. Shumë fuqi imperiale në historinë botërore kanë rënë pikërisht për këtë shkak. Ky kurs në të vërtetë tregon për guximin e Obamës, që nuk i bën bisht problemeve të vështira. Nuk është në interesin e Shteteve të Bashkuara të mirëmbajë pa fund një makineri ushtarake gjigande - në një kohë që infrastruktura e SHBA-së rrënohet për shkak se mungojnë fondet. Sipas qëndrimit amerikan nuk mund të jetë e drejtë që në Kabul të ndërtohen spitale, ndërkohë që miliona qytetarë amerikanë nuk kanë para të shkojnë të kurohen. Kufizimi që po i vë vetes Amerika, në fund do ta bëjë atë më të fortë.
Sigurisht: Sondazhet e nxjerrin presidentin Obama shumë keq. Por ai nuk ka për të kandiduar më. Presidenti po paguan çmimin politik të dy paraardhësve të tij, të cilët SHBA-në e kthyen në xhandarin botëror. Ka mundësi që vlerat e popullaritetit të Obamës bien, si të presidentit Jimmy Carter, i cili po ashtu u përpoq të lironte pengjet amerikane dhe dështoi. Por siç dihet, shpesh atyre që iu hiet viza, jetojnë edhe më gjatë. Obama ka edhe dy vite të mandatit të tij. Gjermania duhet t'i qëndrojë në krah Obamës në riformësimin e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes. Në të mirë të interesit gjerman.